Nishani-Hoxhaj: Kosova, realitet që i kontribuon stabilitetit në rajon
Presidenti Nishani vlerësoi lartë hapat e shtetit të Kosovës në zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës, të cilat, siç u shpreh Nishani, u njohën edhe nga komuniteti ndërkombëtar nëpërmjet heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Nishani rikonfirmoi angazhimin e tij institucional dhe personal në mbështetje të procesit të njohjes, të përfshirjes së Kosovës në nismat rajonale dhe më gjerë si dhe të integrimit të saj euroatlantik.
Në planin e bashkëpunimit dypalësh, kreu i shtetit shqiptar u shpreh se institucionet e të dyja vendeve duhet të shohin mundësitë e zgjerimit të bazës ligjore, rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe të koordinimit të nismave me karakter rajonal e më gjerë.
Nga ana e tij, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, pasi e falënderoi presidentin Nishani për angazhimin e tij në mbështetje të shtetit të Kosovës, vuri në dukje se heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës ka zgjeruar pavarësinë dhe sovranitetin mbi vendin dhe ka rritur përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës.
Publikimi i Studimit të Fizibilitetit për Kosovën nga Komisioni Evropian, që do të bëjë të mundur nënshkrimin e MSA-së, rrit bashkëpunimin e Kosovës me Brukselin, bashkëpunim që i shërben jo vetëm integrimit evropian por edhe njohjes së Kosovës nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe më gjerë, të cilat ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, ka thënë ministri Hoxhaj.
Nishani dhe Hoxhaj ndanë mendimin se Kosova është një realitet që i kontribuon stabilitetit dhe bashkëjetesës në rajon dhe se politika e fqinjësisë së mirë dhe e dialogut janë parimet bazë të politikës rajonale të Shqipërisë dhe Kosovës.





Stay Connected with MFA