Na ndiqni në:

Hoxhaj promovon Javën e Tolerancës, viziton Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe në Kishën Shën Gjergji të Stubllës

Stubëll, 21 maj 2014 - Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vazhduar me promovimin e Javës së Tolerancës, që nis këtë të premte nën organizimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Një ditë pasi ka takuar krerët e Bashkësisë Islame në Podujevë, Hoxhaj ka qëndruar sot në Stubëll të Vitisë, ku ka vizituar Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe (1584-1905) në Kishën Shën Gjergji në këtë fshat dhe Famullinë e Shën Josefit.

Ministri Hoxhaj ka thënë se Kosova ka çfarë t’i tregojë botës për trashëgiminë e saj të pasur fetare dhe veçmas të lashtësisë shqiptare nga organizimi i Konferencës Ndërkombëtare për Dialogun Ndërfetare në Prizren nga 23 deri më 30 Maj.

“Jam i nderuar që sot po e vizitoj Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe në Kishën e Shën Gjergjit që nuk është referencë vetëm për Kosovën por edhe për shqiptarët. Jam këtu të zotohem se Qeveria e Kosovës dhe veçmas Ministria e Jashtme do të bëj edhe më shumë për ta ruajtur këtë trashëgimi dhe për ta promovuar edhe më shumë brenda dhe jashtë. Java e Tolerancës që e organizojmë në Prizren për herë të dytë është një mundësi e mirë që t’u tregojmë të gjithë prijësve fetarë nga bota dhe shoqërive tjera që në Kosovë, feja ka qenë burim bashkimi i njerëzve e veçmas shqiptarëve dhe jo përçarjeje. Bashkëjetesa është trashëgimia jonë e pasur dhe vlera me të cilën duhet të krenohemi të gjithë”, ka thënë Hoxhaj. 

Famullitari Don Alberti e falënderoi ministrin Hoxhaj për vizitën dhe kujdesin që ka treguar me vite të tëra, jo vetëm për këtë Famulli, por edhe për bashkësitë fetare që ta ruajnë dhe kultivojnë lirinë fetare.

Organizimi i Javës së Tolerancës është platforma e dytë ndërkombëtare që mbahet në Prizren nga 23 deri më 30 Maj të këtij viti, pasi vitin e kaluar ishte mbajtur në Pejë. Në këtë konferencë të nivelit ndërkombëtar pritet të marrin pjesë mbi 100 personalitete fetare, teologë dhe studiues nga bota për të diskutuar marrëdhëniet për fenë dhe politikën, veçmas avancimin e dialogut ndërfetar si formë e zhvillimit demokratik. Gjatë kësaj jave do të organizohen një sërë aktivitetesh në nivel të Kosovës siç janë: Konferenca Ndërkombëtare Ndërfetare “Feja dhe Politika” në Prizren, lansimi i librit “The Destruction of Islamic Heritage in the Kosovo War, 1998-1999” si dhe ligjërata dhe aktivitete të tjera.