Na ndiqni në:

Konferenca ndërfetare në Kosovë mblodhi prijës fetarë dhe të komuniteteve nga e gjithë bota për të rënë dakord për arritjen e mirëkuptimit të ndërsjellë

Pejë, e hënë, 27 maj 2013 - Dje përfundoi Konferenca Ndërfetare që zhvilloi punimet në Pejë, nga 24-26 maj 2013. Rreth 200 pjesëmarrës nga mbarë rajoni dhe bota kanë marrë pjesë në diskutimet për mënyrat e forcimit të dialogut dhe mirëkuptimit mes komuniteteve fetare. Kjo konferencë është vlerësuar si një pikë e rëndësishme referimi për komunitetin global ndërfetar – me pjesëmarrës nga vende të largëta dhe kontinente të ndryshme, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mianmarin, Arabinë Saudite dhe Katarin.

Duke i hapur punimet e ditës së fundit të konferencës, zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, falënderoi pjesëmarrësit që kishin ardhur në Kosovë dhe shprehu shpresën e tij se rezultati i kësaj konference të rëndësishme do të pasqyrohej në “Parimet e Pejës”, një varg zotimesh që mbështeten në diskutimet e zhvilluara në konferencë.

Diskutimet e gjalla mbi temën e “medieve të vjetra, medieve sociale dhe marrëdhënieve ndërfetare” u drejtuan nga Noori Bibo, drejtoreshë e organizatës Young Muslim Voice (Zërat e Rinj Myslimanë) në Mbretërinë e Bashkuara. Këto diskutime u përqendruan në atë se si zhvillimet ne medie dhe në teknologji mund të ndihmojnë në dialogun e dobishëm, dhe se si mediet mund gjithashtu të jenë një pengesë kur përdoren nga ekstremistë dhe fundamentalistë fetarë.

Në mesin e panelistëve ishin Rabini Joshua Stanton, drejtor i asociuar pranë Qendrës për Judaizëm Global në Kolegjin Hebraik në SHBA, i cili tha: “Mediet sociale do të vazhdojnë me aktivitetet e tyre. Pyetja ime është se çfarë bëjmë ne?” Ai ofroi shembuj se si i kishte përdorur mediet sociale në mënyrë efektive në punën e tij për të krijuar komunitete në internet.

Panelistët tjerë përfshinë Stephen Suleyman Schwartz, një kolumnist në uebfaqen gjerësisht të vizituar, Huffington Post; Rizwan Hussain, themelues i organizatës e cila punon me të rinjtë pakistanezë, me seli në Mbretërinë e Bashkuara; Omer Karabeg, redaktor në Radion Evropa e Lirë, me seli në Pragë; dhe Anna Di Lellio, e cila aktualisht ligjëron në universitetin New School në New York City.

Temat e ngritura gjatë diskutimeve përfshinë atë se si mbingarkesa me informacione në kohën reale mund të shtrembërojë saktësinë dhe rolin e individëve; janë shfaqur shqetësime se disa foruma të internetit janë shndërruar në platformë për dezinformata dhe gjuhë të urrejtjes, kurse individët arrijnë të fshihen prapa ekraneve të tyre kompjuterike. Megjithatë, fuqia e medieve sociale nënkupton se është e rëndësishme që prijësit fetarë dhe të komuniteteve të angazhohen që diskursi pozitiv të jetë i pranishëm edhe në internet.

Pas fjalimeve gjatë drekës nga Sabri Bajgora, Kryeimam i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora, dhe Peshkopi Andrej nga Kisha Ortodokse Serbe, pjesëmarrësit shkuan në një turne të Pejës. Ata vizituan vende historike dhe fetare, duke përfshirë Muzeun Etnologjik të Pejës, Çarshinë e Vjetër, Xhaminë Bajrakli dhe Patriarkanën e Pejës.

Shumë nga pjesëmarrësit ndërkombëtare lëshuan Kosovën sot, edhe pse disa prej tyre po planifikojnë për të vizituar vende tjera në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit.

Për informacione më të hollësishme, luteni të vizitoni faqen e internetit http://interfaithkosovo.org/  ose ndiqni @InterfaithRKS në twitter përmes #Kosovo ose #interfaithkosovo.