Na ndiqni në:

Konferenca ndërkombëtare ndërfetare mbledhë përfaqësues kyç rajonalë dhe ndërkombëtarë për dialog jetik dhe pajtim

Pejë, 25 maj 2013 - Java e Tolerancës dhe Pajtimit në Kosovë shënoi mbrëmë hapjen e Konferencës Ndërfetare në Pejë, e cila do të zhvillohet nga 24-26 maj. Kjo konferencë, e cila bashkon përfaqësues të feve kryesore në rajon, dhe të komunitetit ndërfetar ndërkombëtar, është ngjarja më e madhe e këtij lloji që po zhvillohet në Kosovë dhe rajon. Përderisa kjo konferencë shqyrton rëndësinë e fesë për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës – ajo gjithashtu hapë debaton për të ardhmen e dialogut ndërfetar. Mbi 160 liderë fetarë, udhëheqës të komuniteteve dhe ekspertë nga 42 shtete do të diskutojnë për pajtimin dhe se si feja mund të jetë një forcë bashkuese, në nivelin rajonal dhe global.

Konferenca ndërfetare u hap nga kryetarja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga:

“Kosova ka një traditë unike të tolerancës ndërfetare. Kjo traditë shprehet në vlerat arkitektonike, në trashëgiminë tonë kulturore, në objektet e kultit dhe është një testament dëshmues i jetesës sonë të përbashkët përgjatë shekujve. Jo shumë kohë më parë, në historinë e re të Kosovës, ne ishim të përfshirë në luftë dhe konflikt. Lufta ka lënë shumë vrragë të thella dhe shumë çështje të pazgjidhura.

Ajo shtoi: “Me vrull të madh jemi duke u munduar që ta ndërrojmë drejtimin e historisë sonë të vonshme, ta lëmë urrejtjen pas nesh, së bashku me humbjet dhe vuajtjet që kanë prekur jetët tona. Ne jemi duke ndërtuar një shoqëri multikulturore, një shtet të fortë dhe prosperues, për secilin qytetar të vendit tonë, një popull i cili fetë i konsideron si pasurinë më të madhe dhe ku liria fetare është vlera jonë kryesore.”

Ministri i Jashtëm i Kosovës, z. Enver Hoxhaj, tha:

“Që nga shpallja e pavarësisë më 2008, Kosova ka ndërtuar një shoqëri multietnike. Sot, Kosova është shembulli më i mirë i mbrojtjes së të drejtave fetare dhe kulturore. Ne jemi krenarë që sekularizmi është një nga shtyllat kryesore të shoqërisë kosovare.”

Prijës fetarë nga të gjitha komunitetet fetare gjithashtu folën në hapjen e Konferencës Ndërfetare.

Myftiu Tërnava nga Bashkësia Islame e Kosovës tha:

“Bashkësia Islame e Kosovës e sheh dialogun reciprok si alternativën e vetme, pavarësisht besimeve. Kemi më shumë të përbashkëta sesa pika që na ndajnë.

Nëpërmjet dialogut dhe tolerances ne pranojmë unitetin e fesë. Është një rrugëtim i cili na shpie drejt vëllazërisë së përbashkët. Dhuratat më të mëdha që brezi i sotëm mund t’u japë fëmijëve janë toleranca dhe pajtimi. Ky është virtyti më i lartë i të gjitha feve.

Ai shtoi: “Duhet të lëvizim nga toleranca drejt bashkëpunimit, dhe nga marrëveshjet e deri te zbatimi. Kjo është shumë e rëndësishme për një klimë të besimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë në shtetin tonë.”

Peshkopi Teodosije i Kishës Ortodokse Serbe dhe Peshkopi i Rashkës-Prizrenit tha:

“Pas sfidës së rëndë të konfliktit të armatosur të vitit 1999, së bashku me prijës tjerë fetarë në Kosovë, krijuam një lidhje të vërtetë të respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Edhe pse nuk ishte fetar, konflikti megjithatë është reflektuar në fenë. Si prijës fetarë, mirëkuptimi dhe toleranca është përgjegjësia jonë për brezat e ardhshëm.”

Duke nënvizuar trashëgiminë e pasur kulturore të kulturës ortodokse serbe, ai tha: “Do të ishte shumë e vështirë të përfytyrohej kjo zonë, pa traditën tonë, e cila njihet botërisht dhe që e ka bërë Kosovën të njohur si rajonin me disa nga manastiret dhe kishat më të bukura mesjetare, katër prej të cilave tashmë janë gdhendur në listat e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s”.

Përderisa ai e pranoi se këto objekte fetare ende shihen gabimisht nga shumë njerëz si simbole të ideologjive kombëtare, e jo shtëpi të Perëndisë, ai qartësoi duke thënë: “Në Kosovë, kemi arritur të zhvillojmë një koncept të identitetit gjithëpërfshirës i cili ruan identitetin origjinal të objekteve fetare dhe kulturore dhe njëkohësisht i lë ato të hapura për pjesëtarët e komuniteteve të tjera me të cilat ndajmë këtë vend të bukur. Portat e vendeve tona të shenjta do të mbeten të hapura për të gjithë ata që sinqerisht kërkojnë paqe shpirtërore dhe pushim.”

Imzot Dodë Gjergji, Administrator Katolik i Administratës Apostolike të Kosovës, tha:

Misioni ynë është që ta shndërrojmë botën në një vend më të mirë për njerëzimin. Një besimtar i ofrohet dashurisë hyjnore për t’u bashkuar me vëllezërit dhe motrat e tij. Dialogu është dashuri. Diversiteti në Kosovë është një pasuri që duhet të shfrytëzohet me përgjegjësi për të krijuar një mozaik për të ardhmen duke hapur zemrat për një dialog të hapur midis komuniteteve.”

Duke cituar fjalët e Nënë Terezës, laureates së Çmimit për Paqe: “dashuria fillon nga shtëpia jonë”, kreu i Komunitetit të Protestantëve Ungjillorë të Kosovës, Driton Krasniqi, tha:

“Kosova ka një trashëgimi të bashkëjetesës dhe ne besojmë se në këtë shtet ka vend për të gjithë njerëzit që të kontribuojnë për të mirën e këtij vendi.”

Kryetari i Komunitetit Hebraik të Kosovës, Votim Demiri, tha:

“Beteja për tolerancë dhe bashkëjetesë është një detyrë për të gjithë ne; dështimi për të pranuar njëri-tjetrin krijon armiqësi.”

Përfaqësuesit morën pjesë në darkën e organizuar nga kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha, Shkëlqesia e Tij ambasadori norvegjez në Kosovë, Jan Braathu, dhe ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff.

Një ekspozitë fotografike nga libri “Besa – Myslimanët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore” nga Norman H. Gershman, hapet si pjesë e Konferencën Ndërfetare.

Për informacione më të hollësishme lidhur me ndonjërën nga këto ngjarje, luteni ta vizitoni uebfaqen Interfaith Kosovo, www.interfaithkosovo.org , ose ndiqni @InterfaithKosovo në twitter përmes #Interfaith #Kosovo.