Na ndiqni në:

Kosova përkujton hebrenjtë që u vranë gjatë Holokaustit, Prishtina zbulon pllakën e përhershme përkujtimore

Prishtinë, 23 maj 2013 - Java e Tolerancës në Kosovë, e cila po zhvillohet nga 20 deri më 26 maj, sot shënoi përkujtimin e viktimave të Holokaustit, ndërsa një pllakë e përhershme përkujtimore u zbulua përballë Kuvendit të Kosovës.

Komuniteti hebraik në Kosovë ka pasur një histori të gjatë, duke kontribuar shumë për diversitetin e vendit, ndërsa e bënë Kosovën shtëpi të tyre. Shumë hebrenj u shpëtuan falë kodit të vjetër të nderit, të njohur si “besa”, ndërsa ata ikën nga regjimi për në Shqipëri, përmes Kosovës, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky kod bëri thirrje në mënyrë specifike për kujdesin për refugjatët. Fatkeqësisht, shumë hebrenj u vranë në kohën kur nazistët arritën në Kosovë afër përfundimit të luftës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili zbuloi pllakën në një ceremoni zyrtare sot, tha:

“Po e zbulojmë këtë pllakë përkujtimore për të kujtuar hebrenjtë e Kosovës të cilët u vranë në kampet naziste gjatë Holokaustit. Duhet të nxjerrim mësim nga kjo tragjedi e përmasave të papërfytyrueshme. Të mos i harrojmë kurrë familjet kosovare që shpëtuan popullatën hebraike gjatë kësaj periudhë të errët dhe gjithashtu duhet ta gjejmë forcë sot të lëvizim përtej konfliktit, përtej urrejtjes, për të bashkëpunuar me fqinjët tanë, për t’iu bashkuar komunitetit të kombeve të lira evropiane, liria e të cilëve është ndërtuar mbi gjakun e derdhur gjatë Luftës së Dytë Botërore.”

Kryeministri po ashtu theksoi: “Përderisa ne kujtojmë viktimat e konfliktit, për të arritur pajtimin e vërtetë, gjatë këtij procesi, ne duhet t’i kujtojmë edhe fajtorët.”

I pranishëm në ceremoni, Shkëlqesia e tij z. Yosef Levy, ambasador i shtetit të Izraelit, tha:

“Shteti i Izraelit përqafon dhe çmon përpjekjet për të ruajtur kujtimin për viktimat hebraike të Holokaustit në Kosovë. Izraeli shpreh mirënjohjen e tij për ripërtëritjen e jetës hebraike në Kosovë, duke përfshirë mirëmbajtjen e varrezave dhe vendosjen e pllakës në vendin e Sinagogës së shkatërruar në Prishtinë."

Në mbishkrimin në pllakë, në gjuhët shqipe, angleze, hebraike, thuhet:

“Ky është vendi ku ndodhej Sinagoga e fundit e Kosovës më 1963. Kjo pllakë është ngritur në kujtim të hebrenjve të Kosovës që u vranë në kampet naziste gjatë Holokaustit. Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë ata”.

Vendi i përzgjedhur shënon vendin ku qëndronte Sinagoga e fundit. Ajo u shkatërrua nga regjimi komunist në vitet 1960-ta për t’u zëvendësuar me arkitekturën socrealiste, siç ishin shkatërruar edhe objektet të tjera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore duke përfshirë pazarin e vjetër të qytetit.

Z. Votim Demiri nga Bashkësia Hebraike e Kosovës, tha:

“Gati 70 vjet pas Holokaustit, ne sot jemi dëshmitarë të momentit kur e kaluara takon të sotmen, me një mesazh të qartë për të ardhmen: kjo të mos përsëritët kurrë. Duke e vendosur këtë pllakë përkujtimore, shoqëria e Kosovës dëshmon pjekurinë e saj, duke treguar se ndërtimi i një shoqërie multikulturore dhe tolerante është hapi i duhur drejt integrimit evropian. Në emër të Bashkësisë Hebraike të Kosovës, dhe në emër të të gjithë hebrenjve nga e gjithë bota, falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës për këtë ngjarje.”

Z. Agron Rezniqi, përfaqësues i Familjeve të Drejta (familjeve shqiptare myslimane që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë), tha:

“Kishim për detyrë t’u ndihmojmë refugjatëve hebrenj të cilët po kërkonin strehë. Familjet kosovare janë krenare që kanë shpëtuar sa më shumë hebrenj që kanë mundur dhe sot i kujtojmë ata të cilët fatkeqësisht nuk i kanë shpëtuar terrorit nazist.”

Pjesë e kësaj mbrëmjeje është edhe një prezantim nga arkitektët e “Ron Arad Architects” për projektet e trashëgimisë hebraike në Muzeun Etnologjik. Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, dhe Jason Steinbaum, shef i stafit të kongresistit demokrat, z. Eliot Engel, i cili ka mbështetur Kosovën për një kohë të gjatë, do t’iu drejtohen të pranishmëve.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës po ashtu do të organizojë një darkë për mysafirët, ku folës kryesor do të jetë rabini Levi Matusof nga Parlamenti Evropian i Rabinëve.

Një ekspozitë fotografike nga libri “Besa – Myslimanët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, nga Norman H. Gershman, do të hapet si pjesë e Konferencës Ndërfetare, që do të mbahet më 24-26 maj në Pejë, e cila do të tubojë gati dyqind përfaqësues të komuniteteve, prijës fetarë dhe ekspertë nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.

Për informacione më të hollësishme lidhur me ndonjërën nga këto ngjarje, luteni ta vizitoni uebfaqen Interfaith Kosovo, www.interfaithkosovo.org , ose ndiqni @InterfaithKosovo në twitter përmes #Interfaith #Kosovo.