Na ndiqni në:

Zëvendësministri Selimi merr pjesë në konferencën ndërkombëtare të feve në Katar

Doha, 24 prill 2013 - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, që njëkohësisht është edhe anëtar i Komisionit shtetëror për liritë fetare është ftuar të marrë pjesë në Konferencën jubilare ndërfetare të Dohas, dedikuar praktikave më të mira të dialogut fetar.

Kjo konferencë sivjet mbahet për të dhjetën herë dhe ka mbledhur liderë fetarë, diplomatë, teologë dhe ekspertë të çështjes së dialogut ndërfetar, nën organizimin e organizatës DICID të Katarit dhe mbështetjen e këtij shteti të Gjirit Persik.

Zëvendësministri Selimi është ftuar të mbajë fjalim në panelin përmbyllës ku ka prezantuar projektet e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës dedikuar tolerancës dhe pajtimit përfshi Universitetin Veror që sivjet do të mbahet në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Fondacionin “Tony Blair”, dedikuar diplomatëve që janë të angazhuar në çështjet ndërfetare si dhe konferencën e madhe ndërfetare që do të mbahet në Pejë, në fund të majit.

Gjatë qëndrimit në Katar, zëvendësministri Selimi pati shumë takime bilaterale, duke nisur nga takimi me drejtorin e Qendrës së Katarit për dialog ndërfetar dhe anëtarin e familjes mbretërore Hasan Bin Abdulah, drejtorin ligjor të Ministrisë së Jashtme të Marokut, Brahim Ammousi, përfaqësues të partive politike të Egjiptit, Tunizisë dhe Indonezisë.

Në fillim të fjalimit të zëvendësministrit Selimi, delegacionet u informuan nga diplomati suedez Jan Henningson për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që u mirëprit me duartrokitje nga pjesëmarrësit e konferencës, ndërsa z. Selimi pati edhe disa paraqitje për mediat lokale.