Na ndiqni në:

Sara Rodiqi fituese e garës #InstaKosova

Prishtinë, 13 shkurt 2015 - Ka përfunduar gara kombëtare për fotografitë më të mira në #Instakosova për shënimin e shtatë vjetorit të shpalljes së pavarësisë, e iniciuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Kjo garë e organizuar për herë të dytë si pjesë e projektit të Diplomacisë Digjitale dhe në kuadër të festimit të shtatë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka bërë që të vlerësohen rreth 25 mijë fotografi të postuar në  hashtagët #instakosova dhe #instakosovo.

Juria e përbërë nga: Blerim Racaj (fotograf), Nita Salihu (dizajnere), Blerta Kambo (fotografe), Arjeta Emra (drejtoreshë e British Council) dhe Era Istrefi (këngëtare) kanë vlerësuar fotografitë e postuara dhe në të gjitha rrjetet sociale të cilat reflektojnë mbi arkitekturën, urbanizmin, natyrën, shoqërinë, jetën e natës, rininë dhe të jetuarit në Kosovë.

Fituesja e fotografisë më të mirë është përzgjedhur Sara Rodiqi me fotografinë “N’kamp verës në Ngom Fest, Prizren”. Juria përzgjedhëse ka vlerësuar  se “fotografia përkatëse është e pa ekzagjeruar, plot jetë, foto shokësh që me vete e kanë botën dhe limiti i kufijve të këtij vendi nuk ua limiton lidhjen utopike me hapësirën, me njëri-tjetrin dhe me ne si vëzhgues.Nuk është foto e shikimit të parë, është foto që rritet, zbukurohet, shtohet derisa e sheh”.

Ndërsa fituesit e dhjetë fotografive më të mira janë: Jetmir Idrizi, Diellza Hasani, Armend Krasniqi, Agon Syla, Agron Beqiri, Nita Deda, Orgesa Arifi, Fisnik Dobreci, Drenusha Lika, Nëntor Oseku.

Fotografia më e mirë shpërblehet me 500 euro, kurse 10 fotografitë më të mira me nga 100 euro. Ndërkohë juria ka përzgjedhur edhe rreth 100 fotografi të cilat do të publikohen  në një libër fotografish cili do të ndahet falas në institucione të ndryshme shtetërore në botë dhe në hapësira të ndryshme të artit e kulturës.

Përveç kësaj, këto fotografi do të jenë pjesë e ekspozitës #Instakosova e cila do të hapet më 16 shkurt për të festuar shtatë vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Hapja e ekspozitës do të bëhet të hënën më 16 shkurt 2015, në orën 17:00, në Sheshin Nëna Tereze në Prishtinë, pranë EU Cultural Center.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës po ashtu sot ka lansuar ueb faqen zyrtare www.instakosova.com. Në të gjenden të gjitha fotot fituese si dhe informacione të ndryshime rreth #InstaKosova.