Na ndiqni në:

Selimi: MPJ fokus të veçant në diplomacinë publike dhe digjitale

Prishtinë, 30 korrik 2013 - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka mbajtur të martën një ligjëratë për diplomacinë publike dhe digjitale para studentëve ndërkombëtarë dhe kosovarë të Universitetit Veror të Prishtinës.

Gjatë ligjëratës, zëvendësministri Selimi ka prezantuar angazhimin e fuqishëm dhe rezultatet konkrete në diplomacinë publike, me theks të veçantë përmes aplikimit të suksesshëm të diplomacisë digjitale.

Selimi foli për projektet konkrete si dhe për disa të arritura specifike e vlerësime të rëndësishme ndërkombëtare që politika e jashtme kosovare ka marrë në këtë aspekt.

Ai veçoi faktin se ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, së fundi është renditur në mesin e 50 liderëve botërorë më aktiv në Twitter, në listën e të Twiplomacy: “Top 50 Best Connected World Leaders”.

Selimi po ashtu ka folur edhe për Strategjinë e Diplomacisë Digjitale të Kosovës, duke përmendur faktin se ajo është shpallur si strategjia e katër më e mirë në botë, pas strategjisë së SHBA-ve, Britanisë dhe Izraelit, nga magazina e specializuar “Yeni Diplomaci”.

Lidhur me diplomacinë publike, zëvendësministri Selimi ka folur për aktivitetet e shumta dhe sukseset evidente që janë arritur në këtë drejtim, duke përmendur edhe disa prej tyre, si garën e fotografive “InstaKosova”, konferencën ndërfetare, WikiAcademy-n, etj.

Studentët e Universitetit Veror të Prishtinës kanë shfaqur interesim për aspekte të ndryshme konkrete që lidhen me diplomacinë publike dhe digjitale, përmbajtjes së strategjive, zbatimit në praktikë dhe rezultateve që janë arritur në këtë drejtim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.