Na ndiqni në:

Zhvilloi punimet Konferenca për Diplomaci Publike dhe Bashkëpunim Ndërkufitar

Prishtinë, 4 prill 2013 – Organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, sot në Prishtinë ka zhvilluar punimet Konferenca për Diplomaci Publike dhe Bashkëpunim Ndërkufitar.

Në konferencë kanë marrë pjesë udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës,
përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve dhe të Foreign Office të Mbretërisë së Bashkuar, diplomatë të akredituar në Kosovë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile e jetës akademike.

Punimet e Konferencës janë hapur nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi, në fjalën e tij para diplomatëve dhe përfaqësuesve të ndryshëm të jetës institucionale e politike të pranishëm në Konferencë, ka folur për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton.
 
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Thaçi ka thënë se ditët në vijim do të jenë kritike për procesin e dialogut.

“Kemi ardhur në një fazë tanimë të rëndësishme, në një fazë vendimtare. Mund të them lirisht edhe në procesin final të vendimmarrjes dhe hapjes së temave të ndjeshme, që nuk janë fare populiste për lidershipin as në Kosovë, e ndoshta as në Serbi, por që janë në interesin e paqes dhe të stabilitetit dhe që  janë në interesin e Kosovës, që janë në interesin edhe të perspektivës së Serbisë, por që janë në interesin edhe të të gjithë rajonit dhe investimeve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, në Serbi dhe në gjithë rajonin”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri vlerësoi po ashtu se këto vendime janë në interes të vendit dhe se ato dalin mbi çdo poen politik apo elektoral dhe hapin perspektivën për të ardhmen, duke shtuar se “normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi përfundimisht do të jetë mesazh i qartë se rajoni, respektivisht Ballkani, po i përmbyllë konfliktet që i ka pasur në këto 20 vitet e fundit”.

Sa i përket marrëveshjes, Thaçi tha se Prishtina ka qenë e gatshme që të lëvizë drejt marrëveshjes edhe më 4 mars, ka qenë e gatshme edhe parmbrëmë pas 14 orë takimi, duke shtuar se ndihet tepër mirë që pozicioni i Prishtinës, i prezantuar në takimet në Bruksel, është i njëjtë me mbështetjen dhe vizionin e shteteve të BE-së dhe të ShBA-së për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Kryeministri Thaçi ka thënë se kanë mbetur edhe pak ditë deri në mundësinë që të arrihet kjo marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për të cilën gjë ai shpreson se kjo mundësi nuk do të humbasë, për ndryshe, ai paralajmëron se do të jetë me pasoja për të dyja vendet, por në të njëjtën kohë do të përcillet edhe me pasoja dhe reflektime edhe në rajon.

 “Çdo ditë e më tepër po e shoh që edhe Beogradi është i vetëdijshëm se diçka e tillë nuk mund të realizohet, as formimi i ndonjë “Republika Srbska”, as formimi i ndonjë rrethane për status të veçantë”, ka thënë ai.

Kryeministri Thaçi ka thënë se angazhimi i Qeverisë së Kosovës, i delegacionit të saj, ka qenë që të kemi zgjidhje që i rehaton, i ofron, i integron qytetarët në veri, edhe serbët edhe të tjerët, në shoqëri, në institucione. Por, sipas tij, ajo që është vërejtur tek Beogradi gjatë takimeve të fundit, është tendenca e Beogradit, interesimi për territorin dhe jo interesimi se çfarë të drejtash do të kenë qytetarët ne veri.

 “Dallimi tjetër aktualisht në mes Prishtinës dhe Beogradit është se ne përpiqemi dhe punojmë që të kemi zgjidhje në shërbim të të gjithë qytetarëve në bazë të parimit shumetnik, ndërsa qasja e Beogradit është vetëm për serbët në veri në asnjë rrethanë Beogradi kurrë, në tetë takime nuk ka folur as edhe një fjalë për serbët që jetojnë në jug, dhe kjo është shqetësuese”, ka thënë ai.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar lartë rëndësinë e Konferencës për Diplomacisë Publike.

Pasi përshëndeti të pranishmit në Konferencë, Hoxhaj falënderoi posaçërisht për pjesëmarrjen ambasadorin Adam Erely, zëvendës asistent i parë i sekretarit të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve si dhe ambasadorin Adam Bye, koordinator për diplomaci digjitale në Foreign Office të Mbretërisë së Bashkuar si dhe të ftuarit e tjerë nga Kosova dhe rajoni.

“Kjo konferencë mbahet në Prishtinë kur Kosova është në një fazë shumë të rëndësishme të shtetndërtimit të saj, në një fazë e cila padyshim është fillimi i kohës evropiane për Kosovën dhe fillimi i ndërtimit të Kosovës evropiane”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj foli për procesin e shtetndërtimit të brendshëm, fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe stabilitetin politik, social e ekonomik në Kosovë, gjatë pesë vjetëve të fundit.

“Kemi qenë në gjendje që ta forcojmë pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës përmes rritjes së numrit të njohjeve dhe sot është një lajm i fuqishëm për çdo qytetar të Kosovës, shtetet partnere por edhe ato që nuk e kanë njohur Kosovën, se Kosova është njohur nga gjysma e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara”, tha Hoxhaj. 

Ministri i Jashtëm i Kosovës foli po ashtu për objektivat kryesore të politikës së jashtme të Kosovës.

“Politika e jashtme e Kosovës i ka tre qëllimi gjithëpërfshirëse dhe afatgjata: anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe strukturat euroatlantike, së dyti pjesëmarrja aktive dhe dinamike në mekanizmat rajonal dhe ndërkombëtar dhe së treti promovimi i Kosovës jashtë vendit. Diplomacia publike është kyçe jo vetëm për ta përmbushur objektivin e tretë, por edhe për të përmbushur objektivat e tjetër në një plan afatgjatë”, tha Hoxhaj, para të pranishmëve në këtë Konferencë.

Ministri Hoxhaj ka folur edhe për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për domosdoshmërinë e rritjes së komunikimit ndërmjet vendeve të rajonit si dhe fuqizimin e relacioneve ndërnjerëzore afatgjata në rajon.

“Kjo konferencë do të hapë një kaptinë të re për diplomacinë publike në Kosovë dhe diplomacia publike do të jetë një instrument i fuqishëm i promovimit të Kosovës dhe tërë rajonit”, tha Hoxhaj.

Më pas, gjatë punimeve të Konferencës, është diskutuar për rolin e diplomacisë publike në promovimin e agjendës së politikës së jashtme si dhe për rolin e diplomacisë publike, digjitale dhe kulturore në avancimin e agjendave progresive dhe bashkëpunimit ndërkufitar.
   
Kontribut të posaçëm në panelet e konferencës kanë dhënë ambasadori Adam Erely, zëvendës asistent i parë i sekretarit të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, përgjegjës për diplomaci publike si dhe ambasadori Adam Bye, koordinator për diplomaci digjitale në Foreign Office të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe diplomatë e ekspertë të tjerë të marrëdhënieve ndërkombëtare nga Kosova dhe rajoni.