Na ndiqni në:

Ministri Hyseni kërkon njohjen e Kosovës nga Jordania

Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni gjatë qëndrimit të tij në Nju-Jork, ka vazhduar serinë e takimeve me homologë dhe diplomatë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim sigurimin e sa më shumë njohjeve, por edhe sigurimin e sa më shumë votimeve kundër rezolutës serbe. Në kuadër të këtyre takimeve, dje (sipas kohës lokale) ministri Hyseni ka patur një takim me ministrin e Jashtëm të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Salaheddin Al-Bashir.

Gjatë takimit, ministri Hyseni e ka njoftuar nga afër homologun e tij për të gjitha arritjet e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, si dhe për sfidat e saj, sidomos në fushën e ekonomisë. Hyseni ka kërkuar që Jordania të shikojë të gjitha mundësitë që ofron Kosova për të investuar në fushën e ekonomisë.
Pjesë e rëndësishme e bisedës ishte gjendja e sigurisë në Kosovë, sidomos në Veri të vendit. Ministri Hyseni ka siguruar minstrin e Jashtëm jordanez se Qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës po bëjnë të gjitha përpjekjet për integrimin e plotë të minoritetit serb në shoqërinë kosovare pas pavarësisë. Ai ka theksuar se për të garantuar sigurinë dhe të gjitha të drejtat e minoriteve, Parlamenti i Kosovës ka nxjerrë një mori ligjesh.
Natyrisht se temë themelore edhe e këtij takimi, si dhe e takimeve të tjera që ka zhvilluar në Nju-Jork deri më tash ministri i Jashtëm i Kosovës, ishte njohja e pavarësisë së Kosovës dhe bllokimi i rezolutës serbe. Ministri Hyseni ka kërkuar edhe një herë që Mbretëria e Jordanisë ta njohë Kosovën sa më parë që të jetë e mundur, që të ndihmojë në hapjen e perspektivave për zhvillim ekonomik dhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të saj.
Ministri i Jashtëm jordanez, Al-Bashir, u shpreh se vendi i tij me interesim të madh ndjek secilin zhvillim në Kosovë. Ai përgëzoi ministrin Hyseni për të arriturat e Kosovës në rindërtimin e vendit pas luftës dhe për përparimet e mëdha që Kosova ka arritur në fushën e sigurisë.
Sa i takon çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës, ministri i Jashtëm i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë premtoi se vendi i tij në një kohë optimale do ta shqyrtojë përfundimisht këtë çështje dhe do të marrë vendimin. 

Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së, Fitim Sadiku, takoi zyrtaren e lartë gjermane, Kerstin Zielosko-Labonte, diskutohet për bashkëpunimin reciprok Kosova do të bëhet me status të anëtarit asociues në Organizatën e FrankofonisëMinistri i Jashtëm Pacolli priti homologun maqedonas Dimitrov, marrëdhëniet në mes dy vendeve shembull i bashkëpunimit në rajon Komunikatë për Media