Na ndiqni në:

Delegacioni i Kosovës vazhdon aktivitetin lobues në Nju-Jork

Gjatë ditës së djeshme, delegacioni i Kosovës në Nju-Jork ka vazhduar serinë e takimeve, gjatë të cilave temë kryesore ka qenë kërkesa e Kosovës për vazhdimësi të procesit të njohjeve të shtetësisë së saj si dhe kërkesa tjetër e saj për bllokimin e rezolutës serbe.

Pas takimeve me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap De Hop Skefer, presidentin Vujanoviq, të Malit të Zi dhe me ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Rocen, presidentin e Maqedonisë, z. Branko Cërvenkovski etj, presidenti I Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu dhe ministri I Punëve të Jashtme, Skender Hyseni janë pritur nga presidenti i Shqipërisë, z. Bamir Topi.
Ashtu si edhe pritej, një pjesë e konsiderueshme e takimit i është kushtuar procesit të njohjes së shtetësisë së Kosovës, duke vënë theksin te rëndësia që ka për Kosovën vijimësia e këtij procesi. Gjatë bisedës, është vlerësuar që Kosova ka marrë njohje tejet të rëndësishme dhe se përpjekjet për njohje të reja duhet të vazhdojnë intesivisht.
Me theks të veçantë është diskutuar për çështjen e rezolutës serbe, paraqitur Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Bashkëbiseduesit janë pajtuar që vota pro kësaj rezolute do të thotë dëmtim i ndjeshëm i raporteve afatgjata në rajon. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe procesi nuk ka kthim, kanë vlerësuar krerët e të dy shteteve.
Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, Presidenti Sejdiu dhe ministri i Jashtëm Hyseni kanë pasur një drekë pune me ish-presidentin finlandez M. Ahtisari dhe me z. P. Feith, gjatë së cilës kryesisht është biseduar për procesin e njohjes së Kosovës dhe për proceset e brendshme politike në Kosovë. Ndërkaq, presidenti dhe ministri i Jashtëm i Kosovës kanë marrë pjesë në pritjen e organizuar nga homologët e tyre, presidenti i Turqisë Abdullah Gyl dhe ministri i Jashtëm i këtij vendi, Ali Babaxhan.
Presidenti Sejdiu dhe ministri i Jashtëm i Kosovës edhe një herë kanë falënderuar homologët e tyre për përkrahjen e përhershme që ka dhënë Turqia për Kosovën, si dhe për reagimin e menjëhershëm të Turqisë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt.
Me këtë rast, presidenti dhe ministri i Jashtëm i Kosovës kanë takuar personalitete të larta shtetërore të vendeve të ndryshme të botës, si dhe ambasadorë të akredituar në OKB. Presidenti dhe ministri e kanë bërë të njohur qëndrimin e vendosur të Kosovës kundër rezolutës serbe, si dhe kanë kërkuar bllokimin e saj, me qëllim t'i kontribuohet paqes dhe sigurisë në rajon. 

Zëvendës ministrja Vuniqi në Forumin Ekonomik në Luksemburg, fton bizneset të investojnë në KosovëZëvendës ministrja Vuniqi kërkon mbështetjen e Luksemburgut për liberalizimin e vizave për Kosovën, konfirmon përmbushjen e kritereveMinistri i Jashtëm Pacolli dënon sulmin në Kanada, ku humbën jetën 10 dhe u plagosën 15 personaMinistri i jashtëm Pacolli do të flasë në panelin kushtuar financimit të terrorizmit, për punën e Kosovës në këtë drejtim, duke kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Interpol