Na ndiqni në:

Ministri Pacolli: Nuk do të lejojmë ndarje, kapërcim të Planit Ahtisaari dhe konfrontim të botës në blloqe për anëtarësim në OKB

Prishtinë, 8 Dhjetor 2017 - Procesi i Integrimit tonë ndërkombëtarë si në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe ato respektive po lëvizë në dy shina të ndërlidhura fuqishëm me njëra tjetrën: negociatat në Bruksel dhe njohjet dy-palëshe. Aq të ndërlidhura janë sa Serbia për të rritur pazarin në negociatat e Brukselit në dhjetëvjetorin e pavarësisë sonë, investohet në të ashtuquajturin revokim të njohjeve (rasti i Surinamit dhe Guinea Bissaut). Besoj se pas marrjes së njohjes sonë nga Madagaskari, janë bërë pak qesharakë dhe janë tërhequr.

 Ky ishte adresimi i Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Jashtëm z. Behgjet Pacolli, në Forumin 2015 me titull: mungesë angazhimi, vëzhgim në spektrin e politikave të vendeve të Bashkimit Europian kundrejt Kosovës.

“Tash unë mendoj se duhet të fokusohemi tek fuqizimi i pozitës sonë në negociatat e Brukselit (stabilitet politik i brendshëm, ekspertizë ndërkombëtare, etj), duke mos lejuar: a)as ndarje të Kosovës, b)as kapërcim të Planit Ahtisaari, dhe as c) konfrontim të botës në blloqe në lidhje me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në OKB...”, është shprehur Ministri Pacolli.

Në vijim të prezantimit të tij ai ka vlerësuar se “shtet krijimi dhe shtet ndërtimi, nuk është një proces që ndodh çdo ditë apo çdo vit në globin tonë”.

“Kosova do duhet të ishte histori suksesi ndërkombëtare: e çliruar nga ndërhyrja e NATO-s, me asistencë perëndimore dhe të Bashkimit Europian në shtet-ndërtim, në rimëkëmbje ekonomike, me rini të mrekullueshme, me pasuri natyrore, në qendër të Europës do duhej të ishte e anëtarësuar tashmë”, ka theksuar Ministri Pacolli, duke shtuar se ka pasur mungesë vizioni në projektimin e politikave.

“Ju keni identifikuar mungesën e angazhimit si shkak të kësaj vonese në integrimin tonë ndërkombëtar. Unë do shtoja mungesën e vizionit, dmth afatgjatësisë në projektimin e politikave ndaj Kosovës, që në rastin e një grupi shtetesh, është përkeqësuar nga gjetja e emëruesit të përbashkët mes tyre. Disa prej tyre kanë qenë autolezionistë kur e kanë interiorizuar rastin e Kosovës, në përpjekje për të bllokuar zhvillime të brendshme me karakter shkëputës”, ka thënë ai.

Tutje, Ministri Pacolli përmendi edhe argumentet pse Kosova është rast i veçantë, ndërkohë që potencoi që në raportin e hartuar nga ky Forum do duhej përfshiheshin edhe kontributet në lobim.

“Më vjen keq, që në raportin tuaj nuk përfshihet puna e madhe lobuese kundrejt shteteve të tjera jashtë europiane, që ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme. Ndoshta pse kjo punë, ku unë si kryetar i një partie shpesh në opozitë apo si ndërmarrës me profil ndërkombëtar, kam njëlloj protagonizmi. Nuk ka patur publicitet sepse ajo shpesh nuk është përkrahur mjerisht nga institucionet përgjegjëse. Unë e di që njohjet janë një sport shumë i shtrenjtë. I papërballueshëm për shtete të vogla si yni. Të qenit prej meje një ndërmarrës me profil të lartë ndërkombëtar, më ka lehtësuar punën-unë njihem globalisht, por dhe më ka thjeshtuar çështjen e shpenzimeve në dëm të familjes, por ka fituar Kosova. Kam çarë atje ku fuqitë e mëdha nuk kanë mundur të arrijnë sukses, pse investimi i tyre ka sjellë rezistencë më të madhe, apo pazar më të madh në shtete të caktuara: na falni borxhet e 50 vjetëve, apo na shpërbleni, etj”, tha Ministri Pacolli.

Gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve, Ministri Pacolli prezantoi edhe tiparet e tij të forta në çështje të lobimit, të cilat e kanë bërë punën e tij të suksesshme, duke prezantuar shembuj konkret dhe përvoja të tij në këtë drejtim.

“Shikoni unë nuk jam diplomat profesionist, por kjo s’do të thotë se nuk kam arritur suksese”, tha ai.

Në vazhdim Ministri Pacolli përmendi si shembull të mirë modelin e diplomacisë dhe diplomatëve britanik, të cilët adaptohen sipas modelit shoqëror dhe politik të vendit ku punojnë, respektivisht kushteve të vendit.

“Diplomacia britanike është e sofistikuar dhe ndërtohet mbi psikologjinë e vendit ku operon.

Këshilltarët e mi, më sollën shembullin e dështimit të negociatave të paqes së Kemp Dejvidit në SHBA midis Izraelit dhe Palestinës në vitin 2000.

Pse dështuan ato ? Sepse ai model zgjidhjeje që i dukej shumë i mirë diplomatëve në zyrat e tyre, nuk ngjau i tillë për dy palët në konflikt, nuk respektoi ndjeshmëritë e tyre psikologjike” është shprehur Pacolli.

Në përfundim të fjalës së tij, ai i dha një theksim të veçantë llojit të diplomacisë, që ai po e praktikon, sidomos në kontinentin afrikan.

“A e dini për shembull se aktualisht në Prishtinë, vijnë delegacione të pafundme nga Nigeria, Gana, Uganda, etj ? Unë po përpiqem të fuqizoj marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve. Nigeria është një vend shumë i madh në Afrikë, i cili ofron oportunitete të jashtëzakonshme për disa prej ndërmarrësve tanë. Afrika sot është kontinenti i të ardhmes së ekonomisë botërore. Ja pse atje ka gjithmonë udhëtime, të ndërmarrësve të mëdhenj botërorë.

Dhe unë nuk e kam parë lobimin thjesht si sigurim të njohjes. Shumë prej atyre që lexojnë lajmet për lobimin, mendojnë se lobimi është thjesht marrje e një trofeje- nota verbale dhe kaq. Kjo është dritëshkurtër. Nesër një vend që të ka dhënë një notë verbale, dhe ti s’ke marrë asnjë kontakt tjetër, mund dhe të mos votojë pro teje për anëtarësimin në OKB”, potencoi Ministri Pacolli duke shtuar se angazhimi i tij shkon përtej kësaj.

“Unë po bëj diçka shumë të madhe në lobimin tim. Unë po bëj atë që një studiues e ka quajtur « nation branding ». Unë po krijoj markën e Kosovës në botë. A mund të imagjinonte dikush se Kosova, ndërmarrësit e saj, të rinjtë e saj mund të vendosin një lidhje të caktuar biznesi, me një vend afrikan ? Këtë unë bëra në Nigeri para disa vitesh, dhe mora shumë kritika qesharake brenda Kosovës. Nga forcimi i marrëdhënieve ekonomike, apo në fusha të tjera- edhe vota pro nesër, në OKB, është e sigurt”, përfundoi Ministri Pacolli.

Ministri i Jashtëm Pacolli dënon sulmin vetëvrasës në Kabul që raportohet se mori jetën e më shumë se 31 personaveDeklaratë për mediaZëvendësministri Dedaj: Arbëreshet janë krenaria heroike e Arbërisë!Sqarim për media