Na ndiqni në:

Konferenca “Kosova Thërret” trajton pozicionet e shteteve të cilat hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës

Prishtinë, 19 prill 2012 - Udhëheqës të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Këshillit Britanik në Kosovë, kanë mbajtur një konferencë për media, ku kanë prezantuar detajet e Konferencës ndërkombëtare një-ditore “Kosovo Calling” (“Kosova Thërret”), e cila nis punimet nesër.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, drejtori ekzekutiv i KFOS-it, Luan Shllaku, dhe përfaqësuesja e Këshillit Britanik, Donika Berisha, kanë bërë të ditur për medie se kjo konferencë ndërkombëtare ka për qëllim të trajtoj marrëdhëniet dhe të evidentoj pozicionet dhe pesë shteteve të Bashkimit Evropian (Qipros, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë, Spanjës), dhe shteteve të rajonit (Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës), të cilat hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi, tha se kjo konferencë mëton t’i jap përgjigje pyetjes esenciale: Pse nuk na njohin pesë shtetet e BE-së dhe kur do të na njohin ato? 

Selimi tha se kjo pyetje është esenciale sepse shumë procese integruese evropiane për Kosovën dhe procese të tjera të rëndësishme ekonomike, politike por edhe për rrugën e Kosovës përpara janë të ndërlidhura me suksesin dhe komunikimin ndërmjet Kosovës me këto shtete.

Duke iu referuar prezantimit në këtë konferencë të librit “Kosova Thërret”, i cili është një udhërrëfyes diplomatik për qëndrimin e këtyre shteteve, Selimi bëri të ditur se autorët e tij janë ekspertë, ish-diplomatë dhe persona të kyçur brenda sistemeve shtetërore të pesë shteteve të BE-së dhe shteteve të rajonit të cilat se kanë njohur Kosovën, e të cilët japin përgjigje se pse ka ndodhur kjo ngecje dhe se cilat janë arsyet që qëndrojnë prapa vendimeve të këtyre shteteve që të mos e njohin Kosovën.

“Tash në bazë të këtyre përgjigjeve mund të kërkojmë edhe solucionet sepse në këtë dokument ka edhe përgjigje se çka duhet të bëjmë. Kosova sivjet ka hyrë në procesin e fizibilitetit, pra një barrierë është thyer ndaj pesë shteteve sepse nëse ato nuk e njohin Kosovën, së paku ato nuk e kanë bllokuar në këtë proces. Por, tash do të jetë qenësore dhe fondamentale që në proceset e ardhshme, këtë vit dhe vitet e ardhshme, ne ta afrojmë Kosovën sa më shumë me BE-në dhe  gjetja e solucionit, e atij çelësit magjik, i cili e zbërthen njohjen e Kosovës nga këto pesë shtete është fondamentalisht e rëndësishme”, tha Selimi.

Zëvendësministri i Jashtëm po ashtu tha se konferenca e nesërme është e rëndësishme sepse do t’i sjellë në Kosovë autorët e librit dhe përfaqësues diplomatik të këtyre shteteve, të cilët, siç u shpreh Selimi, do të bisedojnë në mënyrë të sinqertë me shoqërinë civile kosovare, por edhe me institucionet kosovare se cilat janë hapat të cilët duhet të ndërmerren në të ardhmen.

Luan Shllaku nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) tha se ideja e konferencës është që në radhë të parë t’iu referohet shteteve të cilat deri më tash nuk e kanë pranuar Kosovën.

“Ne kemi parë pak më larg sesa vetëm pesë shtetet e BE-së, kemi shkuar edhe në disa shtete rajonale, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për t’u përgatitur më mirë për një debat i cili do t’i sjellë më afër, do t’i zbërthejë më mirë të gjitha problemet brenda këtyre shteteve karshi sfidës për pranimin e pavarësisë së Kosovës”, tha Shllaku.

Lidhur me librin “Kosova thërret”, ai tha se ky dokument është hartuar nga shumë analistë, njohës të mirë të politikave të shteteve përkatëse, të cilët, siç u shpreh Shllaku, i kanë zbërthyer të gjitha ato arsye që vendosen në qendër të politikave refuzuese ndaj shtetësisë së Kosovës nga këto shtete, në këtë moment.

Donika Berisha, nga Këshilli Britanik në Kosovë, tha se ky Këshill së bashku me KFOS-in, vitin e kaluar kanë punuar individualisht me shtetet e BE-së dhe vendet e rajonit të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Po ashtu ne së bashku kemi financuar edhe punimet strategjike të këtyre shteteve, punime të cilat i tregojnë detajet dhe arsyet kryesore të mosnjohjes së Kosovës nga këto shtete. Këshilli Britanik ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet një kanal shumë i rëndësishëm i komunikimit mes Kosovës dhe këtyre shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën”, tha Berisha.

Ministri i jashtëm Pacolli takoi përfaqësuesit e agjencisë japoneze JICA, diskutohet krijimi i zonës ekonomike japoneze në Kosovë Komunikatë për mediaZëvendëskryeministri Pacolli takoi homologun nga Luksemburgu Asselborn, ri-konfirmohet vazhdimi i mbështetjes për KosovënZëvendëskryeministri Pacolli fton kompaninë e njohur Paul Wurth S.A. për investim në Kosovë