Na ndiqni në:

Bujqësia, sektori që pritet të përfitojë shumë nga MSA

Prishtinë, 7 dhjetor 2015 - Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), Kosova ka arritur të negociojë lirimin nga taksa doganore për eksportin e pothuajse të gjitha produkteve bujqësore të vendit, në tregun e 28 vendeve të BE-së.

BE-ja do t’i heqë tarifat doganore për eksportin e pothuajse të gjitha produkteve bujqësore dhe të peshkut të Kosovës nga hyrja në fuqi e MSA-së, e cila është nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe BE-së si dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. “Janë rreth 2 mijë e 560 produkte bujqësore të cilat Republika e Kosovës mund t’i eksportojë në BE pa tarifë doganore që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes”, ka thënë ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.

Sipas tij, me marrëveshje, Kosova ka arritur të sigurojë rritje të kuotës për eksport të verës në BE nga 20 mijë hektolitër në 50 mijë hektolitër apo 5 milionë litra në vit. Një tjetër fakt pozitiv për eksportin e verës është se kjo kuotë tani e tutje është e garantuar, gjë që më herët ka mundur të ndryshojë në çdo kohë.
Ngjashëm, edhe për mishin e viçit dhe peshkun e llojit krap dhe troftë të Kosovës, BE-ja ka thënë se ka ofruar trajtim preferencial brenda kuotës së caktuar.

Ndërsa, për një numër produktesh do të vazhdojë të ketë tarifë doganore e cila do të hiqet gradualisht brenda 5, 7 ose 10 vjetëve të ardhshëm me qëllim të mbrojtjes së prodhuesve dhe fermerëve vendës.

Çollaku konsideron se kjo marrëveshje, përveç anëve pozitive rreth liberalizimit tregtar, po ashtu do të ketë efekte pozitive edhe në rritjen e kualitetit dhe sigurisë së produkteve si dhe në mbrojtjen dhe autenticitetin e prodhimeve vendore.

Me MSA-në, Kosova do të përfitojë nga bashkëpunimi me BE-në edhe përmes ekspertizës teknike dhe mbështetjes financiare në zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe agroindustrisë drejt modernizimit të sektorit, përmirësimit të menaxhimit rural, të pyjeve dhe të ujitjes, si dhe drejt arritjes së standardeve sanitare të BE-së.

Burimi: http://alturl.com/p5si6

Kosova në karate fiton tri medalje në Kampionatin Ballkanik“Frankenshtain” rikthen Ilir Bokshin në Teatrin Kombëtar të TiranësN-ja çon në Londër rrëfimin për NEWBORN-inOborri fiton çmimin për videoklipin më të mirë në Venecia