Arkivi

Korrik 2014
H Ma E P Sh D
123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031

Ekonomia dhe Investimet në Kosovë


EKONOMIA E KOSOVËS


Kosova ka një ekonomi të re dhe dinamike. Baza e saj është transformuar nga një ekonomi centraliste e dirigjuar në një ekonomi të hapur të tregut, cila transformimin e saj te thellë e ka përjetuar pas vitit 1999 me çlirimin e Kosovës nga Serbia. Një ndër sfidat me të cilat ajo u përball gjatë dekadës së fundit është edhe procesi i privatizimit.

Në përpjekje për të krijuar një mjedis sa më të përshtatshëm për investitorët, AKP-ja vazhdon me një program te përshpejtuar te privatizimit re Ndërmarrjeve dhe Aseteve përmes një procesi të tenderimit transparent dhe konkurrues, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.

Ky proces është atraktiv për investitorët sepse i mundëson pronarit të ri të bëjë investime të menjëhershme si dhe të bëjë përzgjedhjen e fuqisë së re punëtorë, duke ofruar pronësi të pastër pa ndonjë borxh të trashëguar, pa ndërhyrje të kreditorëve dhe pretendentëve të mundshëm.

E ndodhur në Evropën Juglindore ekonomia e Kosovës është bërë pjesë e integrimeve ekonomike të këtij rajoni, të cilat ofrojnë mundësitë e zgjerimit të tregut në një hapësirë mjaftë të gjerë. Qellim  në vete tashmë është rritja e konkurrueshmërise së kësaj ekonomie duke rritur kapacitetin e saj eksportues për të zvogëluar deficitin tregtarë që Kosova aktualisht ka. Si vend i rëndësishëm për zhvillimin e biznesit Kosova ofron një sërë përparësish komparative si: popullsinë re dhe mjaftë mirë të kualifikuar, ku mosha mesatare e saj është mjaftë e re, resurset natyrore, kushtet e volitshme klimatike, infrastruktura e re, politika fiskale me taksat më të ulëta tatimore në rajon, pozita gjeografike me qasje në tregun rajonal të CEFTA-s dhe në atë të Bashkimit Evropian . Kosova përveç se është anëtare e CEFTA-s ,  ne Qershor te këtij viti është anëtarësuar edhe ne FMN (Fondi Monetare Ndërkombëtar) dhe BB ( Banka Botërore) dhe aspiron në mekanizma tjerë te fuqishëm ekonomiko-financiar si BERZH,  si dhe ne Bankën për zhvillim e këshillit te Evropës CEB.  Kosova gjatë muajit qershor 2013 është pranuar si anëtare e plotë në CEB. Kjo bankë është degë autonome e Këshillit të Evropës.  Aspiron në mekanizma tjerë te fuqishëm ekonomiko-financiar si Organizata botërore e Tregtisë OBT etj.

Statistikat vitale të ekonomisë

  • Nr. i banorëve: 1.8 milion
  • Sipërfaqja: 10,908 km²
  • GDP: 5.02 miliardë € (2012 vl)
  • GDP shkalla e rritjes ekonomike: 2.9% (2012 vl)
  • GDP për kokë banori: 2.750 €  (2012 vl)
  • GDP - ndarja në sektorë: bujqësia 20%, industria 20%, shërbimet 60%
  • Shkalla e papunësisë rreth 30.9%
  • Shkalla e inflacionit: 2.5% (2012)
  • Investimet e huaja direkte-IHD: 232.0 milion euro
  • Shkëmbimet tregtare
  • Eksportet: 276.100 milion € (2012)
  • Partnerët kryesor te eksportit: Italia (25.8%), Shqipëria (14.6%), Maqedonia (9.6%), Zvicra (5.5%), Gjermania(5.4%), Serbia (5.4%), Turqia (4.1%), Kina (1.2%)
  • Mallrat që eksportohen: mallra të përpunuara (56%), materiale të papërpunuara (25%), ushqime dhe kafshë të gjalla 6%, lëndë djegëse 4%, makineri e pajisje transporti (3%), etj .
  • Importet: 2.507 miliardë € (2012)
  • Partnerët e kryesorë të importit: Gjermania (12.1%), Maqedonia (11.5%), Serbia (11.1%), Italia(8.5%), Turqia (8.0 %), Kina(6.4%), Shqipëria (4.4%), Zvicra (0.9%).
  • Mallrat që importohen: makineri dhe pajisje transporti (21%), mallra të përpunuara (20%), lëndë djegëse (16%), ushqime dhe kafshë të gjalla (16%), produkte kimike (10%) etj.
  • Resurset natyrore: linjiti, zinku, plumbi, ferro-nikeli dhe toka pjellore bujqësore.
  • Valuta: EURO


SHKËMBIMET TREGTARE TË KOSOVËS

Kosova gjatë vitit 2012 arriti një vlerë rreth 2.8 miliard euro në shkëmbimet tregtare Lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës, partner kryesor tregtar janë vendet e BE-së me pjesëmarrje rreth 39% për eksport dhe rreth 39% për import,si dhe vendet e CEFT-së të cilat marrin pjesë me 37% për eksport dhe 34% për import në raport me totalin e vitit 2012.

Për sa i përket eksporteve të Kosovës me vendet ballkanike, Shqipëria merr pjesë me 14.6%, Maqedonia me 9.6%, Serbia me 5.4% në raport me totalin e vitit 2012, ndërsa pjesëmarrjen më të madhe të importeve në Kosovë nga vendet ballkanike e kanë Maqedonia me 11.5%, Serbia me 11.1% dhe Shqipëria me 4.4%.

Partnerët kryesorë të Kosovës në eksport dhe import gjatë vitit 2012

VendetEksporti (000) €Pjesmarrja në total %Importi (000) €Pjesmarrja në total %
Italia71.35125.8213.4698.5
Shqiperia40.18014.6110.5284.4
Maqedonia26.3769.6287.73911.5
Zvicra15.1335.522.6640.9
Gjermania14.9955.4304.19512.1
Serbia14.9685.4278.38811.1
Turqia11.3804.1199.8818.0
Kina3.2661.2159.6516.4
Totali276.10071.62.507.60962.9


INVESTIMET NË KOSOVË


Arsyet që të investoni në Kosovë - Përfitime për investitorët potencial të huaj dhe vendorë. Disa nga përfitimet kur investoni në Kosovë janë: taksa të ulëta, resurse të pasura dhe ambient përkrahës të biznesit.

  • Taksat në Kosovë janë shumë të ulëta krahasuar me shtetet fqinjë.
  • Sistemi tatimor është mbajtur jashtëzakonisht i thjeshtë.
  • Popullata – e re dhe e motivuar, 70% nën moshën 35 vjeçare
  • Një fuqi të re dhe të motivuar punëtore me shpirt dhe aftësi të forta ndërmarrëse dhe gjithashtu njohuri të përgjithshme të shumicës së gjuhëve Evropiane.
  • Resurset e lakmueshme natyrore: linjiti, zinku, plumbi, ferro-nikeli dhe toka pjellore bujqësore.
  • Qasje të lirë në tregun e Bashkimit Evropian dhe tregjet fqinje
  • Institucione moderne në përkrahjen e bizneseve
  • procedurë të thjeshtë dhe të shpejtë për regjistrimin e bizneseve (brenda 3 ditëve)
  • Sistem te sigurtë bankar
  • Strukturë moderne ligjore dhe në pajtim me BE-në, dhe 
  • Monedha zyrtare në Kosovë është Euro, që eliminon rrezikun e Euro-zonave.


Pas pavarësimit te saj, Kosova  ka arritur progres të madh në shumë fusha të zhvillimit të saj si në: rritjen e stabilitetit  politik, ngritjen e nivelit të  sigurisë, ekonomi stabile  me rritje të vazhdueshme, plotësim të  legjislacionit etj. Ajo është bërë pjesë e rëndësishme e iniciativave  të bashkëpunimit regjional, përmes të cilave është arritur krijimi i tregut të përbashkët rajonal, eliminimi i tarifave doganore, eliminimi i barrierave tregtare, si dhe hapja e perspektivave të reja. Institucionet e Kosovës kanë punuar dhe vazhdojnë me hapa të shpejtë të punojnë në përmbushjen e standardeve të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Është krijuar mjedis stabil makroekonomik, sistem i qëndrueshëm financiar, janë bërë reforma në politikën fiskale në aplikimin e normave më të ulëta tatimore në rajon. Nder objektivat e rëndësishme që vendi ynë ka venë para vetës është edhe rritja e konkurrueshmërisë se ekonomisë së vendit në tregun rajonal.

Është arritur progres në ngritjen e infrastrukturës moderne, si brenda Kosovës e po ashtu edhe me lidhjen me rajonin, vlen të përmendet këtu lidhja me Shqipërinë përmes autostradës së ndërtuar si dhe zotimet e Shqipërisë që ne një të ardhme jo të largët të ndërtoj edhe vijën hekurudhore që lidh këto dy vende. Rëndësia e kësaj rruge për Kosovën ka kuptim të dyfishtë kur kihet parasysh se Kosova tashmë ka edhe portin e saj në Adriatik përmes të cilit ajo lidhet me transportin detar. Përmes kësaj rruge Kosova lidhet me portin e saj me një distancë kohore me vetëm dy ore e gjysmë. Së shpejti fillon edhe ndërtimi i autostradave të cilat e lidhin Kosovën me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Serbinë, ndërtimi i së cilave paraqet mundësi mjaftë të favorshme për investitorë të jashtëm.

Vendi ynë ofron mundësi të mëdha për investim edhe në sektorë tjerë si në: bujqësi, energji,vreshtari,turizëm,nxjerrje dhe përpunim të metaleve etj.

Sistemi i regjistrimit të biznesit në Kosovë përbën një faktor tjetër nxitës në rritjen e investimeve, me proceduara të thjeshtuara dhe me shpejtësi të regjistrimit të bizneseve të reja për një kohë të shkurtë.

Të gjitha këto e veçojnë Kosovën si një vend mjaft atraktiv me mundësi  investimi për secilin investitor të sektorëve të ndryshëm, si në privatizim ku tashmë pritet privatizimi dhe dhënia në koncesion i kompanive të mëdha publike si: Posta dhe Telekomi i Kosovës dhe Sistemi i Distribuimit të Energjisë Elektrike  e po ashtu edhe investimi në fushat e gjelbra, në të cilat mundësi mjaftë të favorshme në ofrimin e infrastrukturës fizike ofrojnë parqet industriale.

Kosova po punon në krijimin tregut te kapitalit financiar, në të cilin do të gjenin plasman investitorët të cilët duan të investojnë në aksionet e kompanive të ndryshme.

Gjatë vitit 2012 vlerësohet te jenë investuar 232 milionë €, numri i përgjithshëm i kompanive të huaja që operojnë në Kosovë arrin në rreth 5018 sosh.

Investimet në sistemin bankar paraqesin vlerën më të madhe financiare me kapital të huaj.

Kapitali i huaj ka një shpërndarje gjeografike të gjerë, nga më së 80 vende të Botës, ku Shqipëria zënë vendin e parë për nga numri i bizneseve të regjistruara.

Shpërndarja e kompanive të huaja investuese sipas sektorëve të ekonomisë


NrSektoriNr. kompanive% në total
1.Tregti195238.9%
2.Prodhim79115.8%
3. Aktivitete shërbyese76415.2%
4.Konstruksion60712.1%
5.Turizëm dhe hoteleri3507.1%
6.Transport1813.6%
7.Sektori financiar1412.8%
8.Telekomunikim1212.4%
9.Shëndetësi681.3%
10.Edukim
430.8%

TOTALI5018
100%

SISTEMI DOGANOR

Dogana e Kosovës aplikon proceduara të avancuara në zhdoganimin e mallrave,  përmes sistemit elektronik – TIMS (Trade Information Management System) ku  90% e deklarimeve bëhet përmes DTI (Direct Trade Input). Koha mesatare e vlerësuar për zhdoganim në kalimet kufitare është 3 orë.

Tarifat doganore në Kosovë sa i përket importit janë:

  • 0% për mallrat që importohen nga vendet e CEFTA
  • 10% për mallrat që importohen nga të gjitha shtetet tjera
  • Taksa e akcizës variabile për produkte si: duhani, nafta, alkooli, etj.

Pas ndryshimeve të bëra në sistemin doganorë është bërë reduktimi i tarifave doganore për:


  • mjetet kapitale (Themelore)
  • lëndët e para për agrobiznes dhe disa sektorë tjerë të prodhimtarisë
  • lëndëve të ndërmjetme për procesim të mëtutjeshëm nga 10% në 0%, 

Të liruara nga tarifat doganore janë:


  • Plehrat artificiale
  • Prodhimet farmaceutike 
  • Instrumentet dhe aparatura kirurgjike
  • Mallrat për qëllime humanitare
  • Mallrat që përdoren nga diplomatët e huaj dhe misionet konsullore
  • KFOR-i
  • UNHCR
  • Kryqi i Kuq Ndërkombëtar 
  • OJQ e regjistruara te UNMIK-u që kanë qëllim mbështetjen e programeve dhe projekteve humanitare dhe rindërtuese në Kosovë

SISTEMI TATIMOR

Politika tatimore në Kosovë është e orientuar drejt rregulloreve të thjeshta të cilat sigurojnë bazë të gjerë tatimore dhe normat më të ulëta tatimore në rajon dhe më gjerë. Tatimet dallojnë në bazë të formës së biznesit dhe qarkullimit vjetorë.

Administrata tatimore aplikon tri regjime të kryesore të tatimeve:

• Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)
• Tatimi në të Ardhurat e Korporatave (TAK)
• Tatimi në të Ardhurat Personale (TAP)

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) - Tatimi kryesor në Kosovë është Tatimi mbi vlerën e shtuar TVSH-ja e cila paguhet për mallra dhe shërbime. Norma e këtij tatimi është fikse prej 16% për të gjitha mallrat pa marrë parasysh origjinën e tyre dhe 0% për mallrat të cilat i dedikohen eksportit. Bizneset që kanë qarkullim vjetorë prej 50000 € duhet të regjistrohen për TVSH.

Tatimi në të ardhurat e korporatave - Ky tatim paguhet çdo tre muaj varësisht nga qarkullimi vjetorë. Norma e tatimit në korporata me qarkullim vjetorë mbi 50,000€ është 10%.

Tatimi mbi të ardhurat personale - Ky lloj tatimi aplikohet në të ardhura nga paga, biznesi, qiraja, interesi, pasuria e patundshme etj. Normat tatimore të tatimit në të ardhura personale nga paga janë progresive duke u bazuar në lartësinë e pagës së fituar dhe njëherësh norma më të ulëta në regjion dhe në shtetet e UE.

Normat tatimore janë:

Normat tatimore janë:
0% deri në 960 euro/vit
4% mbi 960 dhe 3000 euro/vit
8% mes të 3001 dhe 5400 euro/vit
10% mbi 5400 euro vit

Kontributet pensionale - Përgjegjës për administrimin dhe menaxhimin e llogarive individuale për kursimin e pensionit është Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës. Ky tatim obligon të punësuarin por edhe punëdhënësin të kontribuojnë në financimin e pensioneve të punësuarit me normë prej 5% të pagës nga ana e të punësuarin dhe 5% nga ana e punëdhënësit

Nga kjo tabelë mund të shihen taksat e vendeve të rajonit1:

VendiTatimi në fitim dhe korporata
Tatimi në të ardhura
TVSH
Kosovë10%4-8-10%16%
Mali i Zi
9%12%17%
Maqedonia10%10%18%
Serbia10%10-20%18%
Kroacia20%15-45%23%
Bullgaria10%10%20%
Greqia25%0-40%19%
Rumania16%16%19%


Valuta - përdorimi i euros si valutë ndikon në krijimin e mjedisit të besueshëm, me inflacion të ulët.

REGJISTRIMI I BIZNESIT

Proceduarat e regjistrimit te biznesit në Kosovë janë mjaftë të thjeshta dhe të shpejta. Për investimet e jashtme ekziston  Ligji për Investimet e Huaja, i cili mbron investitorët e huaj dhe i trajton të barabartë me investitorët e brendshëm.

Për të operuar si biznes legjitim, ndërmarrjet e huaja dhe vendore duhet të regjistrohen në Agjencionin e Regjistrimit të Bizneseve, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë si një nga këto kategori biznesesh.

1.    Biznese Individuale,
2.    Ortakëri të përgjithshme,
3.    Ortakëri e kufizuar,
4.    Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar
5.    Shoqëri aksionare,
6.    Kompani e huaj,
7.    Ndërmarrje shoqërore,
8.    Ndërmarrje publike,
9.    Kooperativa bujqësore,
10.  Ndërmarrje të tjera nën juridiksionin e AKM-së

Në përputhje me nenet e Ligjit për Investim të Huaj, kompanitë e huaja janë të lejuara të angazhohen në çfarëdo aktivitet biznesor që janë të hapura për bizneset vendore, dhe nuk ekziston ndonjë kufizim sa i përket kapitalit që mund të kenë këto kompani. Investitorët e jashtëm mund të themelojnë degë të veta në të njëjtën formë si bizneset vendore.

DISA SEKTORË TË EKONOMISË SË KOSOVËS


Energjia dhe Minierat - Kosova ka pasuri të mëdha nëntokësore, me 14,700 milion tonë, ajo zë vendin e pestë në botë për rezerva linjitit prej të cilit ajo edhe prodhon sasinë më të madhe të energjisë elektrike. Kosova gjatë vitit 2008 ka prodhuar  4738 miliard kWh dhe ka shpenzuar 5156 miliard kë/h energji elektrike

Rezervat e këtij minerali që përdoret si burim kryesor i prodhimit energjetik në Kosovë,  vlerësohet se do të zgjasin për 650 vjet të tjera, me ritmin e nxjerrjes momentale.

Rezerva linjiti janë të shpërndara edhe në legenin e Dukagjinit dhe atë të Drenicës, por nxjerrja e mineralit momentalisht është kufizuar vetëm në legenin e Kosovës. Pos linjitit Kosova është e pasur edhe me zink, plumb, ari, kadmium dhe bismuth,boksit, nikel etj. Kultura e  nxjerrjes së linjitit daton që nga koha romake, nxjerrja moderne e mineraleve në Kosovë fillon  në vitet 1930'ta, me themelimin e  Kompleksit të Trepçës.

Bujqësia dhe Blegtoria -
Kosova është e pasur me tokë bujqësore, 53 për qind të sipërfaqes totale janë tokë e punueshme. Momentalisht sektori i bujqësisë kontribuon vetëm 19 për qind në NVP-në e përgjithshme dhe 15 për qind në vlerën e eksportit. Procedimi i ushqimit në Kosovë tradicionalisht është udhëhequr nga ndërmarrjet shoqërore, derisa sot këto janë jo-aktive; kompani të reja private kanë filluar të operojnë në këtë fushë. Pjesa më e madhe e këtyre kompanive janë të vogla dhe nuk janë ende të afta për të mbuluar pjesën më të madhe të kërkesave në treg.

Investimi në këto kompani, sigurimi i teknikave të reja të menaxhmentit do të mund të rilindte industrinë e agro-pronësimit në Kosovë, deri në atë pikë që do të mund të garonte në tregjet ndërkombëtare.

Vreshtat - Rritja e rrushit dhe prodhimi i verës është një traditë e vjetër në Kosovë. Gjatë viteve të arta industria e verës vetëm në Rahovec ka pasur kapacitet prodhimi deri në 50 milion litra në vit. Në vitin 1989, eksporti i verës së Rahovecit ka arritur në 40 milion litra që kryesisht janë shpërndarë në tregun gjerman. Pas privatizimit të një pjese të vreshtave, dhe fabrikës se verërave në Rahovec, është arritur të mbulohet një pjesë e mire e tregut vendor e po ashtu ka gjetur plasman të suksesshëm në tregun ndërkombëtar, posaçërisht në atë evropian.

Ndërtimtari -
Viteve të fundit industria e ndërtimit është bërë njëri ndër sektorët më të rëndësishëm në ekonominë Kosovare. Ky sektor vazhdon të jetë një potencial shumë i madh ekonomik për Kosovën, duke marrë parasysh nevojën për ndërtime të vendbanimeve të reja dhe infrastrukturës rrugore. Vet Qeveria e Kosovës ka vendosur për qëllim që të lidhë vendin me korridoret më të rëndësishme në Maqedoni, Shqipëri dhe Serbi.

Industria e tekstilit - Tekstili ka qenë sektori i dytë për nga madhësia në Kosovë, ndërsa në kulmin e zhvillimit të saj 15 ndërmarrjet shoqërore të prodhimit të tekstilit kanë punësuar më shumë se 1,000 njerëz dhe kanë arritur shitje deri në 35 milion euro. Përkundër zhvillimeve të fundit në rajon, që kanë prishur lidhjet e tregtisë, analizat ndikojnë se nga 55  deri në 65 milionë euro mund të arrihen me eksportim, në rast të rikthimit të këtyre lidhjeve. Në këtë sektor ka mjaft hapësirë për investitorë që edhe njëherë Kosova të prodhojë rroba të përfunduara nga tekstili i prodhuar në rajon.

Turizmi - Potenciali turistik i Kosovës lidhet ngushtë me pozitën gjeografike të Kosovës, e rrethuar nga të gjitha anët me male, dhe në qendër të Ballkanit, vendi ka potencial për turizëm dimëror. Malet në jug të Kosovës, vendpushimet si Brezovica dhe Malet e Sharrit janë mundësi shumë të mira dhe interesante për investitorët. Momentalisht vendpushimi i Brezovicës përfshin tre hotele, dy restorante dhe nëntë ski-lifte që momentalisht janë pronë shoqërore. Përpos Brezovicës, vend tjetër malor që shfrytëzohet për turizëm dimëror janë Bjeshkët e Nemuna, të vendosura në perëndim të Kosovës. Mendohet se ky lokacion turistik ka potencial për të pranuar deri në 30,000 vizitorë turistikë. Potencialin e këtij rajoni veç më kanë filluar të shfrytëzojnë kompani të vogla private që kanë ndërtuar komplekse private në fshatin Bogaj.

Sistemi bankar

Sektori bankar në Kosovë vlerësohet ndër sektorët me performancën më të mirë në ekonomi. Depozitat bankare dhe kreditë janë në rritje, ndërsa shkalla e shërbimeve financiare po shënon zgjerim. Banka Qendrore e Kosovës  i  ka autoritetin të licencojë, mbikëqyrë dhe rregullojë institucionet financiare në territorin e Kosovës. Sektori i bankave komerciale përbëhet prej 10 bankave. Bankat komerciale ofrojnë pakon e plotë të shërbimeve bankare, përfshirë: huat, garancitë, llogaritë rrjedhëse, llogaritë e kursimeve, depozitat e afatizuara, transferet në vend dhe jashtë tij, si dhe shërbimet për ruajtjen e gjësendeve me vlerë

Sektori bankar, që përfaqëson pjesën më të madhe të sektorit financiar të Kosovës, u karakterizua me një rritje të shkallës së ndërmjetësimit financiar

Burim kryesor i depozitave vazhdojnë të jenë ekonomitë familjare, ndërsa në aspektin e maturitetit dominojnë depozitat me afat të shkurtër.

Banka Qendrore e Kosovës, http://www.bqk-kos.org  Për më gjerësisht shih të bashkangjitur Listën e Bankave Komerciale: