Na ndiqni në:

Zgjedhjet e reja, degradim për Kosovën

Nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e votojnë presidentin në njërën nga seancat e ardhshme, dhe me këtë e dërgojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, atëherë, përfundimisht Kosova do të degradohet.

Jeton Llapashtica

Nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e votojnë presidentin në njërën nga seancat e ardhshme, dhe me këtë e dërgojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, atëherë, përfundimisht Kosova do të degradohet.

Kështu mendon nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, dhe njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili gjatë një interviste për “Zërin” ka thënë se me pjesëmarrjen ose jo të opozitës në seancë, ku pritet të votohet presidenti i vendit, duhet të merret kryetari dhe kryesia e Kuvendit. Ai e pranon se qeveria nuk ka ndonjë strategji për të dalë nga ndonjë krizë e mundshme, por sipas tij, e vetmja strategji që e parandalon çdo lloj krize është votimi i kandidatit të AKR-së për president.

Kryediplomati kosovar beson se strategjia për njohje, e iniciuar nga Ministria e Punëve të Jashtme do t’i rrisë njohjet për Kosovën dhe do ta forcojë shtetin në raport me politikën ndërkombëtare. Përkundër shkurtimit të buxhetit për MPJ-në dhe Presidencën, mbi kurrizin e të cilave rëndon politika e Jashtme, për ministrin Hoxhaj kjo nuk do të jetë pengesë që të intensifikohet fushata diplomatike e Kosovës.

Zëri: Z. Hoxhaj, sapo keni marrë detyrën e ministrit të Jashtëm keni iniciuar hartimin e një strategjie për njohje. Çka synoni konkretisht të arrini me këtë hap?

Hoxhaj: Mendoj që pas vendimit pozitiv të GJND-së dhe pas formimit të institucioneve të reja, Kosova nuk mund ta ketë qasjen e njëjtë në fushën e evokimit dhe lobimit sikurse që e kishte në vitin 2008, 2009 dhe 2010. Unë angazhohem që ta kemi një politikë të jashtme shumë aktive, e cila e përfaqëson interesin shtetëror të Kosovës në çdo pjesë të botës dhe e cila e definon pse disa vende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, cilat janë arsyet, a janë të natyrës politike, për shkak të natyrës së partive politike, ose qeverisjes, a janë të natyrës së grupeve etnike, a janë të natyrës kulturore/religjioze.

A kushtëzohen këto vende për njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera të rajonit, apo shpalljen e pavarësisë, shtetndërtimin dhe rastin e Kosovës e kuptojnë në një mënyrë tjetër prej asaj se si e kanë kuptuar vendet që na kanë njohur. Prandaj, gjatë kësaj kohe kemi punuar shumë intensivisht dhe gjatë prillit do të prezantohet strategjia për lobim, e cila synon që në mënyrë të qartë të definojë se në cilat vende duhet të punohet në mënyrë intensive që ta njohin Kosovën gjatë vitit 2011, cilët njerëz duhet të bisedojnë me këto vende dhe cili nga përfaqësuesit e Kosovës duhet të jetë ai, sepse jo patjetër që ai duhet të jetë ministri i Jashtëm.

Qëllimi kryesor i strategjisë është që të bëjmë hapa konkretë, të cilët edhe Kosovës i sigurojnë njohje, gjithashtu synohet që të forcohet pozita dhe subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës, anëtarësimi në organizatat politike, financiare, kulturore, duke përfshirë edhe organizatat sportive.

Zëri: Sa është vlera e buxhetit që keni ndarë për këtë strategji?

Hoxhaj: Ministria e Punëve të Jashtme ka një buxhet i cili përfshin shumën prej tetëmbëdhjetë milionë euro. Deri tash shkurtimet në buxhet janë shkurtime që kanë të bëjnë me blerjen e ambasadave. MPJ-ja brenda për brenda qeverisë, me një konsultim edhe me presidentin, i cili është udhëheqës i politikës së jashtme, edhe me Kuvendin e Kosovës duhet të dalë me një propozim se sa ambasada ka nevojë t’i blejë Republika e Kosovës.

Në Perëndim shpeshherë mirëmbajtja e një objekti për ambasadë kushton më shumë sesa qiraja e ambasadës. Ne duhet të blejmë një ambasadë në SHBA, një në Bruksel dhe të mendohet për ambasadë në Londër, Paris dhe Berlin, eventualisht edhe në disa vende ku ka diasporë të madhe.

Njohjet, varen nga puna në MPJ

Zëri:
Por sipas projektbuxhetit për vitin 2011 MPJ-ja dhe presidenca, që janë edhe bartëse të kësaj strategjie do të kenë buxhet më të vogël sesa ai paraprak. Si do të jetësohet kjo strategji pa para?

Hoxhaj: Buxheti është shkurtuar vetëm te pjesa e investimeve kapitale. Ka qenë kërkesë e MPJ-së që ai buxhet të mos jetë në dispozicion për vitin 2011. Mendoj se ambasadat tona në Uashington dhe në Bruksel duhet të kenë shumë më shumë njerëz, profile të njerëzve, nuk duhet të merren vetëm me çështje të diplomacisë.

Është shumë vendimtare që në Uashington, Bruksel, Londër, Paris, Berlin, ndoshta edhe në Evropë, ne të kemi njerëz që merren me çështje diplomatike, por edhe njerëz që merren edhe me ekonomi, tregti, kulturë. Duhet të ketë stafe më të mëdha të ambasadave në ato adresa politike që neve na e merr mendja që janë adresa politike vendimtare për politikën e Kosovës.

Zëri: Keni bërë më se një muaj që keni ardhur ministër dhe njohjet nuk po vijnë. Pse po ndodh kjo?

Hoxhaj: Mendoj se është pyetje e drejtë dhe legjitime. Njohjet janë akte dhe vendime të njëanshme të shteteve të cilat e njohin Republikën e Kosovës.

Zëri:
Domethënë nuk varet nga ministri?

Hoxhaj: Varet shumë nga ajo se sa punojmë ne si MPJ, por vendimin e merr vendi që neve na njeh. Mendoj që politika e jashtme duhet të jetë shumë dinamike, agresive, duhet të përfaqësohemi në çdo pjesë të botës dhe duhet çdoherë t’i japim llogari medieve dhe opinionit publik. Shumë hapa në politikën e jashtme jo patjetër duhet të bëhen me bujë shumë të madhe.

Për mua forcimi i politikës ndërkombëtare, rritja e numrit të njohjeve, anëtarësimi i Kosovës në institucionet politike, financiare, kulturore, kultivimi i marrëdhënieve shumë të veçanta që kemi ne me SHBA-në, partneriteti strategjik me BE-në janë gjëra shumë kyçe. Por politika e jashtme nuk është vetëm kjo.

Ajo është se si ne të sjellim sa më shumë investime në Kosovë, si ne sa më shumë ta forcojmë eksportin dhe importin dhe këtu unë më shumë i mbështes ministritë, komunat ose agjencitë e caktuara.

Shtetet myslimane në fokus të MPJ-së

Zëri: Meqenëse Kosova është njohur nga një pjesë e madhe e shteteve perëndimore, por jo edhe të lindjes, çka do të bëni konkretisht që t’i rrisni njohjet nga kjo pjesë e botës?

Hoxhaj: Vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike dhe vende të ndryshme myslimane do të jenë cak yni, i vizitave të shpeshta. Unë dje kam pasur një takim shumë të mirë me një delegacion nga Kuvajti, që ka një qasje shumë pozitive ndaj njohjes së Kosovës. Kam pasur një takim shumë të gjatë me ambasadorin tonë, Rexhep Boja, i cili është një personalitet dhe bën një punë të shkëlqyeshme në këtë pjesë të botës.

Jam shumë i sigurt se gjatë muajve të ardhshëm do të ketë vizita edhe prej anës sime, por do të ketë vizita edhe të disa personaliteteve të jetës sonë publike që do të vizitojnë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe deri tash disa ftesa kanë ardhur për disa njerëz që duhet të shkojnë në këtë pjesë të botës. Këtyre vendeve duhet t’u sqarohet rëndësia e njohjes së Kosovës, çështja e identitetit tonë edhe religjioz edhe kulturor.

Në të njëjtën kohë duhet të kemi mirëkuptim, sepse një pjesë e këtyre vendeve ose kanë qenë në situata jo të qarta politike, qeveri të reja ose në largim, ose formime të qeverive, të gjitha këto e kanë shtyrë procesin e njohjes. Për mua, bashkëpunimi me Organizatën e Konferencës Islamike është shumë kyçe, njohja nga vendet myslimane është shumë vendimtare dhe po punojnë intensivisht që kjo të ndodhë.

Do t’i rrisim rrogat e ambasadorëve

Zëri: Gjendja e ambasadorëve është e rëndë. Ata nuk kanë paga të mira, nuk kanë benificione, nuk kanë mjete në dispozicion për lobim. Çka do të bëni konkretisht në këtë drejtim, a do t’i rrisni pagat e ambasadorëve?

Hoxhaj: Ambasadorët tanë kanë bërë punë jashtëzakonisht të mirë. Ata kanë qenë të parët që në këto vende kanë qenë imazh i gjallë dhe përfaqësimi më i mirë i Kosovës, kanë bërë përpjekje që ta promovojnë interesin tonë politik, ekonomik dhe atë të qytetarëve. Deri tash një pjesë e madhe e ambasadave kanë arritur që të konsolidohen, të jenë funksionale.

Mendoj që pagat e ambasadorëve duhet pa dyshim të jenë më të larta se që janë aktualisht dhe të gjithë duhet t’i kenë pagat e njëjta, nuk duhet të ketë dallime në paga, por dallimi duhet të jetë te kostoja e jetës, e cila nuk mund të jetë e njëjtë me ambasadorin tonë në Tiranë dhe atë në SHBA.

Ne do të dalim me një propozim dhe besoj se ai do të hartohet shpejt, e unë do të kërkoj nga kryeministri që një vendim i tillë të miratohet në mbledhje të qeverisë.

Zëri: Ambasadorët nuk kanë sigurime shëndetësore. Kjo nuk është bërë për shkak të komplikimeve ligjore. Ka pasur propozime që pagesat të bëhen në ndonjë kompani sigurimi në Kosovë?

Hoxhaj:
Mund të them se krejt diplomacia jonë mund ta ketë një staf, i cili nuk është më shumë se 200-250 veta. Do të thotë është shumë lehtë që të bëhet zgjidhje për situata të caktuara. Sipas informatave që unë kam, të premten është diskutuar në mes të sekretarit dhe ambasadorëve edhe për çështjen e sigurimeve shëndetësore edhe për çështje të tjera, që kanë të bëjnë me rrjedhjen e parasë, faturave dhe komunikimit ditor. Me sa di unë është gjetur një zgjidhje, e cila duhet të jetë zgjidhje shumë e shpejtë. Pra, ne si MPJ duhet të marrim përsipër çështjen e sigurimeve shëndetësore.

Zëri: Duke i bërë pagesat në Kosovë, apo jashtë vendit?

Hoxhaj: Të jem shumë i sinqertë, unë nuk e di saktësisht se cila është zgjidhja, meqë nuk kam arritur ta kem një informatë deri tash, por jemi të vendosur që ta zgjidhim këtë problem.

Zëri:
Le të flasim pak për situatën aktuale politike në vend. Si e shihni vendimin e Gjykatës Kushtetuese për presidentin dhe a besoni se vendi mund të shkojë prapë në zgjedhje të jashtëzakonshme?

Hoxhaj: Vendimi i gjykatës është vendim që i takon Kushtetueses dhe duhet të respektohet nga të gjithë. Sa i takon zgjedhjeve, unë mendoj se nuk ka as nevojë të brendshme dhe nuk është as e domosdoshme që të ketë zgjedhje të reja në Republikën e Kosovës, meqë Kosova pothuajse ka pasur zgjedhje të shpeshta në këta 3-4 vjetët e fundit. Mendoj që javën e ardhshme do të ketë një proces të rregullt, ku do të zgjidhet presidenti i Republikës në bazë dhe në përputhje të marrëveshjes që kanë partitë e koalicionit.

Me opozitën të merret kryetari i Kuvendit

Zëri: Por kemi deklarata nga partitë opozitare që kundërshtojnë të marrin pjesë në seancë, ku do të jetë kandidat Behgjet Pacolli? A ka qeveria kandidat tjetër, të pranueshëm për të gjithë?

Hoxhaj: Ne e kemi një marrëveshje të koalicionit, e cila është ndërtuar mbi parimet e qarta dhe parimet janë që ish-kryetari i AKR-së të jetë kandidat për postin e presidentit. Besoj se kjo marrëveshje do të jetë valide dhe do të mbështetet. Sa i përket çështjes së pranisë ose mospranisë së deputetëve, kjo është çështje që i takon kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit, të cilët duhet të kërkojnë nga të gjithë deputetët që të respektohen procedurat demokratike të pranisë së tyre dhe më së paku mua më takon t’iu them deputetëve se si duhet të sillen, sepse ata e përfaqësojnë interesin e qytetarëve dhe iu takon atyre që të vendosin se si duhet të sillen?

Zëri: Ju jeni njëri nga figurat kyçe të PDK-së. Në rast se prapë kandidohet Pacolli, opozita e bojkoton seancën, a ndjehet fajtore PDK-ja nëse futemi në një krizë të re?

Hoxhaj: Edhe në të kaluarën ka pasur, edhe është pjesë përbërëse e natyrës së demokracisë që kandidatët për president, për poste tjera udhëheqëse të institucioneve të Kosovës të mos i përfaqësojnë të gjitha partitë politike. Por ajo që është shumë e rëndësishme për fazën në të cilën është Kosova, është që të ndiqet interesi nacional dhe qytetarët kanë nevojë për adresim të problemeve të tyre.

Nuk ma merr mendja që dikush në Kosovë ka interesim të veçantë për kriza të reja politike. Mënyra si unë e kam kuptuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një shkelje e procedurave, nga Kuvendi, nga ana e të gjithëve, dhe unë besoj që në javën e ardhshme procedurat do të respektohen dhe Republika e Kosovës do të ketë presidentin e ri. Kuptohet që iu takon partive opozitare të mos mbështesin, ose ta mbështesin presidentin, por kur të zgjidhet presidenti, ai e përfaqëson interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Zëri:
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për presidentin është krijuar një konfuzion në opinion. A ka PDK-ja ndonjë strategji konkrete si të dilet nga kjo situatë?

Hoxhaj: Mendoj se strategjia e vetme që është, është se duhet të respektohet procedurat e kuvendit, Kushtetuta dhe duhet të ketë një seancë për zgjedhjen e presidentit të ri. Kjo është realisht alternativa e vetme që e kanë institucionet dhe qytetarët e Kosovës. Çdo alternativë tjetër, realisht, nuk është zgjidhje, përkundrazi, është degradim i situatës.

PDK nuk ka kohë për zgjedhje të brendshme

Zëri: Po dëgjojmë deklarata që flasin për pakënaqësi në PDK-së. Fatmir Limaj tha se kryetari i partisë Hashim Thaçi sillet sikur diktator në parti, merr vendime krye në vete dhe bën çka të dojë. Ka pasur edhe zëra të tjerë në PDK kundër zgjedhjes së Pacollit. A i bie se kjo parti po përçahet me të madhe?

Hoxhaj: Partia Demokratike e Kosovës, siç thotë edhe mbiemri i saj, është demokratike dhe ka në situata të caktuara mendime dhe opinione të ndryshme. Në përputhje me pozitat që kanë anëtarët e saj qoftë në parti, qoftë në Kuvendin e Kosovës, mund të deklarohen, të japin mendime në situata të caktuara, të cilat mund të jenë shpeshherë diverse, por absolutisht kjo nuk flet për përçarje, por për ballafaqim të ideve.

Mendimet piqen atëherë kur paraprakisht ka debat, mirëpo nëse merren mendimi në grup parlamentar, që mbështet këtë qëndrim të partisë, besoj se është e natyrshme dhe jo diçka e jashtëzakonshme dhe duhet të interpretohet në formën si është.

Zëri: PDK ka pasur një kuvend pak kohë para zgjedhjeve në vend, që është cilësuar si kuvend sa për t’u certifikuar nga KQZ, ndërsa është thënë se do të ketë zgjedhje të reja brendapartiake në pranverë dhe më pas një kuvend të ri. Pse nuk po mbahen këto zgjedhje?

Hoxhaj: Besoj që aktualisht të gjithë anëtarët e kryesisë së PDK-së, deputetët e PDK-së, kanë goxha shumë punë për të bërë, sesa që të mendojnë se si të ketë zgjedhje të organizuara brenda partisë. Mendoj që në një kohë të caktuar duhet të merret një vendim për atë se kur duhet të ketë zgjedhje të reja në PDK.

Nuk besoj që në vitin 2011 kur Kosova ballafaqohet me shumë sfida dhe na pret shumë punë, ne e kemi luksin që të ulemi dhe të mendojmë se kush do të zgjidhet dhe kush çfarë pozite do të ketë në PDK, meqë nuk ma merr mendja se kjo iu bën shumë përshtypje qytetarëve të Kosovës.

Zëri: Por ju po thoni që jeni parti demokratike, ndërsa zgjedhje s’keni mbajtur qe pesë vjet?

Hoxhaj: Pa dyshim. Por unë po e jap opinionin tim, mund të ketë të tjerë që mendojnë se mund të ketë më herët zgjedhje. Partitë kur janë në pushtet duhet të përqendrohen në investimin e krejt energjive dhe fuqive dhe përkushtimit personal në punën institucionale.

Kuptohet që partie nuk duhet të lihet anash, por mendoj se brenda vitit 2011 as që duhet të mendohet të ketë zgjedhje brenda PDK-së. Ky është mendim i imi, ndërsa i takon kryesisë së PDK-së që të marrë vendimin se kur do të fillojë procesi, por mendoj se kjo është rrugë që na pret në vitin tjetër, ose eventualisht në vitin 2013.

Zëri: Saktësimin deri në vitin 2013 a po e bëni nga frika se përçarjet brenda partisë mund të dalin në sipërfaqe në kuvendin e PDK-së?

Hoxhaj: Absolutisht jo. Nuk besoj që brendapërbrenda PDK-së ka klimë, nevojë dhe domosdoshmëri për ndonjë situatë politike të caktuar. Përkundrazi, PDK-ja është subjekt stabil, ka një vizion të qartë.

Unë mendoj që duhet të punohet edhe më shumë që të ketë sa më tepër njerëz profesional në PDK, por iu takon edhe partive të tjera që të gjejnë sa më shumë njerëz që kanë dije profesionale nga fusha të ndryshme dhe jam i sigurt se të gjithë hapat që kanë ndodhur kohën e fundit flasin për atë që PDK-ja është parti e reformuar, por pa dyshim që duhet të reformohet edhe më tutje.

"Belgrad muss Souveränität des Kosovo akzeptieren"„Serbien muss sich endlich entscheiden“ Enver Hoxhaj, der Außenminister des Kosovo, über die Verhandlungen zwischen Pristina und Belgrad. „Die Mehrheit will eine Normalisierung“Kosovos Außenminister: "Serbien muss noch mehr machen"