Na ndiqni në:

Kosova përgjithmonë do të ekzistojë shtet

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për agjencinë e specializuar për informacione rreth politikave të BE-së, EurActiv, ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, nënkupton, që Serbia të pranojë realitetin e Kosovës së pavarur, që Serbia të shohë Kosovën si partner, si shtet fqinjë, ku të dy shtetet si cak të përbashkët të kenë integrimin në Bashkimin Evropian. Pa këto parakushte nuk mund të flitet për normalizim të marrëdhënieve.

Para një kohë, një ushtarë i KFOR-it në gjendje të rënd shëndetësore është kthyer në Austri. Sa gjatë sipas mendimit tuaj duhet të qëndrojë KFOR-i?

Hoxhaj:
Sipas mendimit tonë, është shumë e rëndësishme që situata në katër komunat e veriut të Kosovës të stabilizohet. Ushtarët e KFOR-it janë duke dhënë një kontribut shumë të çmuar. Ne jemi shumë falënderues, se si na kanë mbështetur në 13 vjetët e fundit. Edhe më tutje duhet prezenca e tyre në katër komunat e veriut, në mënyrë që gjendja atje të mbetet stabile. Nëse ne arrijmë që në muajt e ardhshëm të integrojmë këto komuna në pjesën tjetër të Kosovës, pastaj mund të mendojmë, se kur trupat e NATO-së mund të largohen nga Kosova. Për shkak të situatës së sigurisë, prania e tyre është e domosdoshme. Sepse, nga situata në katër komunat nuk varet vetëm stabiliteti në Kosovë, por tërë arkitektura e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.

Dialogu me Serbinë

Te Informacionet për shtetet, në ueb faqen e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë edhe më tutje u bëhet thirrje qytetarëve gjermanë që mos të udhëtojnë në Kosovën e veriut dhe të mënjanojnë vendkalimet kufitare. Edhe për sa do të jenë të nevojshme paralajmërime të tilla?

Hoxhaj: Ne jemi të interesuar që përmes një dialogu me përfaqësuesit e serbëve, që t’i integrojmë edhe këto komuna. Të njëjtën gjë që kemi bërë në këto pesë vjet me minoritetin serbë të Kosovës, do ta bëjmë edhe në pjesën e veriore të vendit. Edhe atje ne do të implementojmë Planin e Ahtisaarit, i cili e ka transformuar Kosovën në një shtet demokratik dhe multietnik. Sot, Kosova është një vend stabil, ku ka edhe zhvillim ekonomik. Por, për integrimin e këtyre komunave është koha e fundit që kjo të ndodhë. Në 13 vjetet e fundit, qytetarët që jetojnë në këto komuna nuk kanë pasur mundësi që të marrin pjesë në institucione dhe zgjedhje demokratike. Atje nuk ka as sundim të ligjit, dhe ne besojmë, që pas fillimit të dialogut në vjeshtë, kjo gjendje do të ndryshojë.

Si është duke shkruar dialogu për veriun me Qeverinë e re në Serbi dhe marrëdhëniet fqinjësore. Çfarë ka ndryshuar Qeveria e re atje?

Hoxhaj: Nga viti 2011 deri në vitin 2012 në Bruksel janë zhvilluar nëntë raunde të dialogut teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Dialogu është përkrahur dhe lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Në këto nëntë raunde janë arritur shtatë marrëveshje. Këto marrëveshje kanë pasur për qëllim përmirësimin e jetëve të qytetarëve të dy shteteve. Disa nga këto marrëveshje janë jetësuar, derisa të tjera jo. Qeveria e Serbisë asnjëherë nuk ka pas qëllimin dhe vullnetin për t’i implenentuar ato. Natyrisht jemi të interesuar që të vazhdojmë dialogun, por nuk do të ketë takime të radhës në Bruksel, pa i implementuar Serbia të gjitha marrëveshjet.

Dialogu në dy nivele


Është caktuar termini, sipas të cilit dialogu fillon në shtator. Përgatitjet janë vazhduar. Çfarë mund të pritet në këtë dialog?

Hoxhaj:
Duhet të ketë dy nivele të dialogut. Së pari një dialog, i cili për qëllim do të kishte integrimin e komunave në veri me pjesën tjetër të Kosovës, pra implementimi i planit të Ahtisaarit dhe integrimi i tyre në strukturat shtetërore të Republikës së Kosovës. Që kjo të ndodhë, është e domosdoshme shpërbërja e strukturave të sigurisë, policisë dhe grupeve paramilitare që shteti i Serbisë i mban në veri. Ky është parakushti i parë. Natyrisht që ne jemi të gatshëm të bisedojmë edhe një agjendë të zhvillimit socio-ekonomik të atyre komunave, ngase ekonomia ka një rol shumë të rëndësishëm në integrimin e tyre. Niveli i dytë ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Për ne mbetet prioritet normalizimi i marrëdhënieve me Republikën e Serbisë. Kosova përgjithmonë do të ekzistojë si shtet në Ballkan dhe Evropë. Normalizimi i marrëdhënieve nënkupton, që Serbia të pranojë realitetin e Kosovës së pavarur, që Serbia të shohë Kosovën si partner -  si fqinjë, ku të dy shtetet do të kishin cakun e fundit integrimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Një parakusht shumë i rëndësishëm për këtë është që Serbia të njohë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Ky akt, do të përfundonte njëherë e përgjithmonë konfliktin historik. Për të trajtuar këto tema, do të zhvillohet dialogu.

Marrëveshjet vetëm në letër, janë të pavlefshme


A mendoni se kushtet/marrëveshjet në lidhje me veriun janë implementuar. Edita Tahiri është ankuar se Brukseli nuk është duke i respektuar marrëveshjet?

Hoxhaj: Është koha e fundit që marrëveshjet e arritura në dialog në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të mos mbesin vetëm në letër, por të implementohen. Përndryshe, ato janë të pavlefshme. Brukseli ka përgjegjësinë, që të ushtrojë presion mbi Serbinë, në mënyrë që të implementohen të gjitha marrëveshjet, sepse vetëm përmes tyre mund të përmirësojmë jetën e qytetarëve. Vetëm kështu, qytetarët e dy shteteve mund të kenë përparësi nga dialogu. Për ne është me rëndësi, që marrëveshja për anëtarësimin dhe bashkëpunimin rajonal të implementohet si dhe marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve që së pari të nënshkruhet nga ana e Qeverisë së Serbisë dhe pastaj të implementohet. Implementimi i këtyre marrëveshjeve është parakusht për të vazhduar dialogun teknik në Bruksel. Pa implementimin e tyre nuk do të ketë takime në Bruksel. Në këtë drejtim, pozicioni i Qeverisë sime është i qartë si kristali.

Ndërkohë serbët po insistojnë që përfaqësuesit e Kosovës mos të  mbajnë simbole shtetërore. Çfarë mund të thoni për këtë?

Hoxhaj: Të gjitha marrëveshjet që janë arritur në mes marsit 2011 dhe 2012, janë marrëveshje bilaterale ndërmjet dy shteteve. Ato janë një kornizë ligjore, për të zgjedhur probleme të caktuar për të dy shtetet e pavarura. Marrëveshja për bashkëpunim rajonal i mundëson pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës, në të gjitha forumet rajonale, evropiane që Kosova të flasë në emër të vet. Kjo marrëveshje na mundëson neve që të nënshkruajmë marrëveshje multilaterale. Kjo nënkupton që Kosova trajtohet si shtet, si partner i barabartë së bashku me shtetet e tjera. Prandaj është shumë i rëndësishëm implementimi i marrëveshjeve, ngase e gjithë besueshmëria e këtij procesi është vënë në pikëpyetje. BE-ja duhet të ushtrojë presion mbi Serbinë, ngase ajo ishte institucioni, që ka mbështetur dhe mundësuar këtë proces.

Takimi me baroneshën Catherine Ashton

Përfaqësuesit e Kosovës do të zhvillojnë një takim me baroneshën Catherine Ashton. Kush do të marrë pjesë në këtë takim? Dhe çfarë pritni ju nga ky takim?

Hoxhaj: Deri më tani nuk ka ndonjë agjendë. Atë që mund të them është kjo: Plani për komunat e veriut, të cilin Bashkimi Evropian e ka kërkuar në Raportin e fundit të Progresit tashmë është gati. Këtë plan ne dëshirojmë ta diskutojmë me qytetarët në veri, për të gjetur zgjidhje, të cilat janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me planin e Ahtisaarit. Në të njëjtën kohë, jemi duke u munduar që të ndërtojmë marrëdhënie normale si dy shtete të pavarura me Serbinë, ashtu siç Kosova i ka me shtete tjera fqinje. Procesi i dialogut duhet t’i përmbajë këto dy fusha.

Mos është Bashkimi Evropian shumë i fokusuar në krizën e Euros dhe në problemet e borxheve dhe si rrjedhojë ka mungesë të kapaciteteve për Ballkanin Perëndimorë?


Hoxhaj: Bashkimi Evropian, edhe përkundër krizës ekonomike dhe të borxheve duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje Ballkanit Perëndimorë. Në rrugën e integrimeve evropiane, Kroacia ka dhënë një shembull shumë të mirë dhe ka krijuar një momentum shumë të rëndësishëm në Ballkan. Kjo tregon që shtetet, elitat dhe Qeveritë janë shumë të motivuara, që rrugën evropiane ta përshpejtojnë, duke ndërmarrë reforma të ndryshme. Nëse shohim nga një këndvështrim global, BE-ja është institucioni që më së shumti mund të ndihmojë Ballkanin. Në këtë drejtim ka përparim: Nga shtatë shtete të ish Jugosllavisë, Sllovenia dhe Kroacia janë bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Unë mendoj se edhe shtetet e tjera si Kosova, Bosnja, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia duhet të kenë të ardhmen e njëjtë. Natyrisht që për ne është shumë e qartë, që integrimi evropian nuk varet vetëm nga faktori i jashtëm, por edhe nga dinamika brenda shteteve. Megjithatë, nevojitet më shumë vëmendje, iniciativë dhe mbështetje. Të gjitha shtetet në Ballkan, pa perspe
ktivën evropiane, pa reforma, pa procesin e integrimeve nuk mund të ekzistojnë.

Pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën nuk paraqesin një bllok


Edhe më tutje janë pesë shtete në BE, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Së fundi kanë ardhur informacione nga Austria, që pozita e Sllovakisë është lëkundur. A keni shpresa konkrete, që Sllovakia mund të jetë shteti i parë nga këto pesë shtete që e njeh Kosovën?


Hoxhaj: Këto pesë shtete, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, nuk përbëjnë ndo një grup apo bllok kundër pavarësisë së Kosovës. Procesi i njohjeve të pavarësisë së Kosovës është i pandalshëm. Njohjet kanë një gjeografi globale, ka shumë shtete të botës që tashmë kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Çdo muaj ka shtete të reja, që marrin vendimin për njohjen e Kosovës. Natyrisht që edhe shumica dërmuese e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë njohur Republikën e Kosovës. Ka arsyeje të ndryshime pse këto shtete nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Arsyetimi kryesor i tyre për një kohë të gjatë ka qenë që të respektohet e drejta ndërkombëtare. Sa i përket të drejtës ndërkombëtare, siç e dimë të gjithë, që në qershor të vitit 2010,  Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Kombeve të Bashkuara ka marrë një vendim, ku shumë qartë thuhet se pavarësia e Kosovës është në përputhmëri me ligjet ndërkombëtare dhe që ne nuk i kemi lënduar ligjet ndërkombëtare.

Së treti, këto shtete nuk kanë asnjë arsye as politike as legale që të zvarrisin njohjen e Kosovës. Ne si Qeveri, me të gjitha këto shtete kemi marrëdhënie shumë të mira dhe bashkëpunim institucional. Ne jemi falënderues që të gjitha këto shtete janë pro integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Disa nga to kanë marrë vendime shumë të rëndësishme për anëtarësimin e Kosovës në organizata politike dhe ekonomike ose kanë pranuar pasaportat e Republikës së Kosovës.

Qeveria e re në Serbi gëzon shumë pak kredi të perëndimit. A mund të jetë kjo në mënyrë indirekte e dobishme për Kosovën?

Hoxhaj: Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Ajo çfarë ndodh në Serbi nuk ka asnjë ndikim as brenda Kosovës e as në pozitën ndërkombëtare. Si Qeveri ne jemi shumë aktiv. Kosova është e përfaqësuar në të gjithë botën, në gjithë botën ofrojmë shërbime për qytetarët, ndërmjet ambasadave tona. Por, Qeveria e re në Serbi personifikon një të kaluar shumë të rëndë. Një Qeveri me personalitete të tilla, pa dyshim që është një kthim mbrapa, pas përfundimit të regjimit të Milloshevicit. Ndërrimi i Qeverisë në Serbi nuk flet shumë për një Serbi demokratike dhe më së miri e dinë qytetarët e Sllovenisë, Bosnjës dhe Kosovës se çfarë do të thotë një Serbi antidemokratike. Por kjo është zgjedhja e popullit serb. Ne do nuk do të masim Qeverinë e Serbisë me fjali të një retorike moderne, por vetëm me veprime.

Falënderues për iniciativat gjermane

Qeveria e Gjermanisë është në prag të zgjedhjeve parlamentare. A përbën kjo ndonjë vështirësi?

Hoxhaj: Gjermania është një partner shumë i rëndësishëm i Kosovës dhe për të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimorë. Gjermania ka bërë shumë në ndërtimin e institucioneve, në bazën ekonomike, në modernizimin e shoqërisë në Kosovë. Ne jemi shumë mirënjohës për këta hapa dhe iniciativa politike, që zonja kancelare Merkel dhe ministri i Punëve të Jashtme Guido Westerwelle i kanë ndërmarrë për Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit. Mendoj se pesha e Gjermanisë në Evropë dhe botë është shumë më e madhe, dhe për këtë ka një vlerësim të madh në Kosovë dhe Ballkanin perëndimorë. Përveç marrëdhënieve shumë të mira mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, Berlini është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe integrimet evropiane të Kosovës. Berlini për ne është një adresë shumë e rëndësishme.

... edhe Austria e përkushtuar për rajonin

A ndjeheni mjaftueshëm të përfaqësuar edhe nga Austria?

Hoxhaj: Austria ka shumë mirëkuptim për Kosovën dhe Ballkanin dhe përmes gjeografisë dhe historisë ka krijuar një ndenje të veçantë për rajonin. Zhvillimet këtu, Austria gjithmonë i ka parandier, i ka lexuar drejt dhe i ka vlerësuar. Austria, mbi të gjitha sa i përket Kosovës ka luajtur një rol shumë të madh në pavarësinë e Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme, Michael Spindelegger është një ithtar i madh i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Mendoj, që përveç Gjermanisë dhe Austrisë, edhe shtetet e tjera evropiane duhet të kenë një qëndrim unik sa i përket Ballkanit. Të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e dinë që kosovarët nga historia, gjeografia dhe kultura kanë qenë gjithmonë një popull evropian, që jemi të gdhendur nga i njëjti dru. Por, në periudhën afatshkurtër dhe afatgjatë, BE përbën kornizën e vetme për një stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe modernizim të shoqërisë.

Në shtator përfundon mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Çfarë prisni nga kjo etapë e re?


Hoxhaj: Kjo është një etapë e re për shtetësinë e Kosovës dhe tregon që Kosova në pesë vjetët e fundit si shtet i pavarur ka implementuar të gjitha obligimet që dalin nga plani i Ahtisaarit. Ne nuk kemi ndërtuar vetëm një shtet nga themelet, por edhe një ekonomi, sistemin e arsimit, të kulturës dhe kemi reformuar fusha të tjera. Shoqëria e jonë, nëpërmjet këto procesi të transformimit ka ndryshuar shumë. Kosova sot është një shtet multietnik dhe demokratik. Edhe Ekonomia është duke ecur mirë. Derisa tërë Evropa flet për krizën financiare dhe borxhet, ne kemi ruajtur stabilitetin financiar dhe deri më tani nuk kemi as borxhe. Rritja ekonomike prej 5% është dyfishi i rritjes ekonomike para pavarësisë së Kosovës. Por, përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë do të ndryshojë edhe natyrën e shtetësisë. Kjo nënkupton që Kosova merr sovranitet më shumë dhe më shumë përgjegjësi. Fokusi i jonë do të jetë Bashkimi Evropian. Nëse krahasoni implementimin e obligimeve ndërkombëtare në shtetet e tjera  të rajonit, ku ka pasur marrëveshje, atëherë mund të them se shtetndërtimi në Kosovë është një storie e suksesit të qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve euroatlantikë.

Megjithëkëtë, opozita po kritikon se me prezencën e UNMIK-ut, EULEX-it dhe KFOR-it nuk është fituar pavarësia e plotë...

Hoxhaj: Zyra Civile Ndërkombtare (ICO), e cila ka pasur për detyrë që të mbikëqyrë pavarësinë e Kosovës do të përfundojë misionin e saj në shtator. Sa i përket EULEX-it, Kosova si shtet sovran ka të drejtë të ftojë një mision që ta mbështesë në fusha të caktuara. Ne jemi duke e përcaktuar misionin dhe funksionin e EULEX-it. Do të ketë një shkëmbim të letrave ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe baroneshës Catherine Ashton, me ç’rast do të përcaktohet mandati i EULEX-it. Sa i përket afatit, EULEX do të qëndrojë deri më 2014 në Kosovë. Deri atëherë EULEX do të ndihmojë Kosovën në sundim të ligjit. Kjo është në interes tonin.

Në kuadër të përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë do të organizohen një vark aktivitetesh, në të cilat do të marrin pjesë Martti Ahtisaari, Wolfgang Ischinger dhe Frank Wisner. Çfarë karakteri kanë këto aktivitete?


Hoxhaj:
Në shtator do të organizohet një konferencë për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Në të do të marrin pjesë përfaqësues të 25 shteteve, të cilat në pesë vjetet e fundit kanë ndihmuar Kosovën në mënyrë masive, që të implementohet plani  i Ahtisaarit dhe që të ndërtohen një shtet nga themelet. Do të ketë një seancë plenare, ku Martti Ahtisaari, Frank Wisner dhe Wolfgang Ischinger, të cilët gjatë negociatave për statusin kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm do të mbajnë fjalime para deputetëve. Do të ketë edhe aktivitete të tjera. Do të ketë një konferencë, në të cilën do të marrin pjesë kryeministra, zv/kryeministra, ministra të jashtëm nga shtete të ndryshme të botës.

Ne do të mundohemi t’i tregojmë botës që në Kosovë në pesë vjetet e fundit janë bërë përparime shumë të mëdha dhe që Kosova është një shtet evropian, dhe integrimet evropian janë agjenda e vetme e saj.

(“Epoka e re”)

Die Verantwortung liegt bei BelgradKosovo hofft nun auf UN-MitgliedschaftVisiting Kosovo foreign minister says Ignatieff writings influenced him "Belgrad muss Souveränität des Kosovo akzeptieren"