Na ndiqni në:

Njohjet s’ndalen

Hoxhaj: Dialogu politik s’i pengon njohjet

Flet për “Epokën e re”, Enver Hoxhaj

Shefi i diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se dialogu politik me Serbinë nuk do të ketë ndikim në procesin e njohjeve për Republikën e Kosovës. Ai ka deklaruar se diplomacia e Kosovës është duke funksionuar me një dinamikë normale dhe se procesi i njohjeve nuk do të ndalet. Hoxhaj ka paralajmëruar se në ditët në vijim Kosova do të njihet edhe nga disa shtete të cilat janë në përfundim të përmbylljes së procedurave për njohje, por nuk i ka përmendur emrat e tyre. Kurse sa iu përket kritikave të opozitës, Hoxhaj ka thënë se disa parti politike kanë mungesë të vizionit për funksionim të politikës së jashtme

Shqipe HETEMI

Prishtinë, 8 gusht - Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka deklaruar të mërkurën se çdo takim i mundshëm në mes të liderëve politikë të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ndikojë në procesin e njohjeve të reja për Kosovën, “por ka të bëjë me përmirësimin e relacioneve ndërfqinjësore”. “Dialogu teknik nuk ka pasur kurrfarë ndikimi. Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe pothuajse gjysma e shteteve anëtare të OKB-së e kanë njohur Kosovën. Njohje të reja do të ketë edhe në të ardhmen. Askush nuk mund ta ndalë apo ta bllokojë procesin e njohjeve, aq më pak dialogu politik me Republikën e Serbisë”, ka thënë Hoxhaj në këtë intervistë për “Epokën e re”.
Shefi i diplomacisë kosovare ka paralajmëruar se në ditët në vijim Kosova mund të njihet nga disa shtete të cilat janë në përfundim të përmbylljes së procedurave për njohje. “Jam i sigurt se në ditët në vijim disa shtete, të cilat pothuajse i kanë mbyllur procedurat ta njohin Kosovën, do ta bëjnë një gjë të tillë”, është shprehur Hoxhaj.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, ky vit nuk ka qenë edhe aq i suksesshëm për Kosovën sa iu përket njohjeve. Deri më tani Kosovën e kanë njohur një numër shumë i vogël i shteteve. Pse?

Hoxhaj: Fillimisht dëshiroj të theksoj se gjatë këtij viti presidentja Jahjaga, kryeministri Thaçi, zëvendëskryeministri Pacolli dhe unë kemi udhëtuar në pjesë të ndryshme të botës, ku kemi zhvilluar takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës për ta rritur numrin e njohjeve. I kemi dërguar edhe disa përfaqësues të tjerë të Qeverisë, të cilët kanë marrë pjesë në takime të ndryshme, që të kërkojnë njohje nga disa shtete. Përveç këtij angazhimi, kemi kërkuar edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë, nga partnerët tanë euroatlantikë, që për shtete të caktuara të na ndihmojnë në rritjen e numrit të njohjeve. Përveç vizitave zyrtare, gjatë këtij viti unë kam takuar mbi 40 ministra të punëve të jashtme në nivel bilateral, pa përmendur takimet e tjera në margjinat e konferencave të ndryshme. Gjatë këtij viti procesi i njohjeve nuk është ndalur, pra ka pasur disa njohje nga shtete të ndryshme. Jam i sigurt se në ditët në vijim disa shtete të cilat pothuajse i kanë mbyllur procedurat që ta njohin Kosovën, do ta bëjnë një gjë të tillë.

“Epoka e re”: Cilat janë këto shtete?

Hoxhaj: U takon përfaqësuesve të atyre shteteve të bëjnë publike se kur do ta njohin shtetin e Kosovës, e jo mua. E rëndësishme është që njohje do të ketë së shpejti.

“Epoka e re”: Pavarësisht angazhimit tuaj dhe përfaqësuesve të tjerë të diplomacisë kosovare, ka shumë pak rezultate konkrete. Ju si ministër i Jashtëm, e keni identifikuar se ku qëndron problemi?

Hoxhaj: Arsyet pse një shtet e shtyn vendimin për njohjen e Kosovës janë të natyrës së brendshme dhe kanë të bëjnë me situata të caktuara politike. Gjatë këtij viti kemi punuar në mënyrë intensive që ta rrisim numrin e njohjeve. Njohjet kanë ndodhur dhe do të ndodhin edhe në të ardhmen. Pra, ne e kemi kryer pjesën tonë të punës, përderisa po insistojmë në baza të rregullta që shtetet e caktuara ta njohin Republikën e Kosovës. Gjatë kësaj periudhe kemi përcjell shkresa për njohje në të gjitha shtetet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, kemi hartuar dokumente strategjike, kemi ofruar informata të sfondit, të argumenteve historike, politike dhe të së drejtës ndërkombëtare, pse një shtet duhet ta njohë Kosovën. Po ashtu, kemi ofruar edhe modele se si një shtet do të duhej ta njohë Republikën e Kosovës. Kështu që, njohje do të ketë dhe unë besoj se kjo që ka ndodhur gjatë këtij viti duhet të shihet si sukses. Atë që kam premtuar edhe jam duke e bërë, sepse po punoj 15 orë në ditë.

“Epoka e re”: Përkundrazi, opozita po ju kritikon për mosfunksionim.

Hoxhaj: Përveç njohjes së plotë të Republikës së Kosovës, MPJ ka edhe prioritete të tjera, dhe në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë nuk do të duhet të reduktohet e tërë puna e ministrisë në procesin e njohjeve. Qëllimi i parë është mbrojtja, prezantimi dhe promovimi i interesit shtetëror të Kosovës. Ne e kemi bërë një gjë të tillë në mënyrë shumë dinamike. Për këtë qytetarët mund ta japin mendimin më të drejtë sesa ndonjë subjekt i caktuar politik. Qëllimi i dytë ka qenë promovimi i interesave politike dhe ekonomike të shtetit tonë. Qëllimi i tretë është përfaqësimi i interesit të qytetarëve të Kosovës. Deri më tani diplomacia kosovare është jashtëzakonisht funksionale, jashtëzakonisht aktive dhe dinamike. Kështu që, jemi duke bërë një punë shumë të mirë. Por, natyrisht se mund të punohet edhe më shumë dhe më mirë.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, pajtoheni me vlerësimin e ish-shefit të diplomacisë së Kosovës, Skënder Hyseni, “se mungesa e rezultateve në diplomaci është si pasojë e shumëfishimit të njerëzve në këtë fushë”?

Hoxhaj: Kam parë qëndrime për një temë të tillë. Mund të them se kjo është mungesë e vizionit se si funksionon një politikë e jashtme. Sa më shumë njerëz që përfshihen në këtë fushë aq më dinamike mund të jetë politika e jashtme. Çdo vend i botës ka të ngarkuar të posaçëm për çështje të veçanta. Mjafton ta shohë çdokush një medium ndërkombëtar se si operojnë të tjerët dhe të kupton që ka të ngarkuar, emisarë të veçantë për çështje të ndryshme të politikës së jashtme. Prandaj, nuk shoh asgjë të keqe nga shumëfishimi i njerëzve në këtë fushë.

“Epoka e re”: Por, po vërehet se ka inate dhe mungesë të koordinimit në mes të përfaqësuesve të politikës së jashtme.

Hoxhaj: Jo, përkundrazi, ekziston një koordinim i plotë në mes të gjithë akterëve në politikë të jashtme. Zëvendëskryeministrja Tahiri është marrë vetëm me dialog, ndërsa zëvendëskryeministri Pacolli ka për detyrë procesin e njohjeve dhe sjelljen e investimeve, përderisa unë si ministër i Punëve të Jashtme jam marr me politikë të jashtme si tërësi, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.

“Epoka e re”: Gjatë këtij viti janë paralajmëruar shumë njohje, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Është duke u dëmtuar procesi me paralajmërime?

Hoxhaj: Nuk mund të them nëse është duke u dëmtuar ky proces. Personalisht asnjëherë nuk kam folur dhe nuk flas në emër të shteteve të tjera. Më ka ndodhur shumë shpesh gjatë këtyre dy viteve si ministër i Punëve të Jashtme, që t’i takoj homologët e mi, kryeministrat, presidentët e vendeve të ndryshme, të cilët kanë simpati për besimin dhe aspiratën e fuqishme që e kanë pasur qytetarët e Kosovës në kohën më të errët të robërisë dhe gjatë luftës për liri. Kështu që, meritorë pse një shtet e njeh Republikën e Kosovës padyshim se janë qytetarët tanë dhe vullneti i tyre pathyeshëm. Ndërsa puna e MPJ-së është të përfaqësojë me një përgatitje sa më të mirë politike dhe intelektuale shtetin e Kosovës dhe të bëjë presion të rregullt në baza ditore për ta rritur numrin e njohjeve, për ta mbrojtur interesin e Kosovë, për ta përmirësuar imazhin e Kosovës, qoftë edhe për t’i penguar iniciativat të cilat tentojnë ta dëmtojnë shtetësinë tonë të re.

“Epoka e re”: Izraeli ka bërë me dije se është duke e shqyrtuar mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Keni informacione se kur do të ndodhë kjo njohje?

Hoxhaj: Gjatë vitit të kaluar, edhe në këtë vit, ne kemi pasur një bashkëpunim institucional me shtetin e Izraelit, si dhe kemi pasur disa kontakte në nivele të ndryshme. Mirëpo për sa i takon kohës se kur do të merret një vendim që Izraeli ta njohë Republikën e Kosovës është çështje e brendshme e këtij shteti. Ka rëndësi që përfaqësuesit politikë dhe diplomatikë të Izraelit kanë marrë shpjegime dhe kanë dëgjuar qëndrimet e Republikës së Kosovës, pse është e domosdoshme ta njohin shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

“Epoka e re”: Duke e pasur parasysh ndikimin e Izraelit, si do të mund të ndikojë njohja eventuale në arenën ndërkombëtare?

Hoxhaj: Njohjet që vijnë janë vendime sovrane të shteteve të pavarura. Realisht, i takon çdo shteti që në përputhje me interesat e tij politike, strategjike dhe gjeopolitike ta marrë një vendim të tillë. Ne si Qeveri e Kosovës kemi bërë përpjekje maksimale të lëvizim në pjesë të ndryshe të botës, pra çdo shteti që nuk e ka njohur Kosovën t’ia përcjellim qëndrimet tona dhe të kërkojmë mbështetje politike dhe diplomatike. Ndërsa sa i përket asaj se sa mund të ndikojë njohja e një shteti te shtete e tjera. është çështje e diskutueshme. Me shumë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën kemi bërë përpjekje maksimale të kemi bashkëpunim institucional të rregullt dhe të kemi kanale të ndryshme të komunikimit, edhe sa i përket njohjes formale dhe zyrtare të Republikës së Kosovës, por edhe sa i përket bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, është paralajmëruar se në shtator do të fillojë dialogu politik për zgjidhjen e çështjes së veriut. Si do të ndikojë ky dialog në procesin e njohjeve?

Hoxhaj: Para se të fillojë dialogu teknik kemi pasur situatën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Serbia nuk e ka bërë thjesht një pyetje për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, në GJND, por ka kërkuar mekanizma për bllokimin e procesit të njohjeve për të krijuar një lloj hutie publike ndërkombëtare për Kosovën. Për fat të mirë, Serbia nuk ia arriti. Po ashtu, edhe dialogu teknik nuk ka mundur ta bllokojë procesin e njohjeve meqë gjatë vitit të kaluar dhe në këtë vit kemi pasur disa njohje. Aty ku diplomacia serbe ka bërë përpjeke të keqinterpretojë dialogun teknik kam qenë unë i pranishëm t’ua shpjegoj atyre shteteve që është fjala për çështje teknike. Po ashtu, për çdo takim të ardhshëm të mundshëm në mes të liderëve politikë të Kosovës dhe liderëve politikë të Serbisë, që ka të bëjë me përmirësimin e relacioneve të dy shteteve, pra për përmirësimin e relacioneve ndërfqinjësore, padyshim se është obligim yni t’ua sqarojmë shteteve që nuk e kanë njohur vendin tonë, që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se do të jetë çdoherë pjesë e peizazhit të shteteve të pavarura të Ballkanit dhe askush nuk mund ta ndalë historinë e shtetndërtimit të Kosovës. Kështu që, çfarëdo procesi nuk mund të ketë ndikim direkt në njohjet e Kosovës.

“Epoka e re”: As dialogu politik?

Hoxhaj: Dialogu teknik nuk ka pasur kurrfarë ndikimi. Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe pothuajse gjysma e shteteve anëtare të OKB-së e kanë njohur Kosovën. Njohje të reja do të ketë dhe askush nuk mund ta ndalë apo ta bllokojë procesin e njohjeve e aq më pak dialogu politik me Republikën e Serbisë.

“Epoka e re”: Problem edhe më tutje mbetet njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian. Konkretisht çfarë përmban strategjia lobuese për këto vende?

Hoxhaj: Është e rëndësishme që këto vende nuk paraqesin një bllok dhe nuk duhet të shihen si të tilla. Këto vende nuk kanë asnjë argument legal juridik, që mos ta njohin Republikën e Kosovës. Arsyeja pse këto vende nuk kanë arritur të marrin vendim pozitiv për ta njohur Kosovën ka të bëjë me atë se shembulli i Kosovës mund të shërbejë si precedent për grupe të ndryshme etnike. Mirëpo është parë që gjatë këtyre viteve pavarësia e Kosovës i ka shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, që në asnjë vend të botës, as në Evropë, e as në kontinente të tjera nuk ka shërbyer si precendet, prandaj këto pesë shtete nuk kanë ndonjë argument as politik e as juridik që mos ta njohin Kosovën.

“Epoka e re”: Ministër, çfarë keni bërë që këto vende ta njohin Kosovën?

Hoxhaj: Gjatë vitit të kaluar, por edhe në këtë vit, kemi pasur bashkëpunim të mirëfilltë institucional me këto vende dhe kemi arritur ta zbusim qëndrimin e tyre sa i takon integrimit evropian të Kosovës. E dimë se disa nga këto vende kanë dalë haptas në favor të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Përkundër asaj që këto vende nuk e kanë njohur Kosovën, si ministri kemi pasur një bashkëpunim për të gjitha çështjet bilaterale.

“Epoka e re”: Cili do të jete roli i Akademisë Diplomatike në afirmimin e diplomacisë kosovare?

Hoxhaj: Akademia Diplomatike e Kosovës do të merret me hartimin e dokumenteve strategjike dhe relevante të politikës së jashtme. Po ashtu, do të merret me trajnimin e diplomatëve të Kosovës, si dhe do të merret me organizimin e konferencave, forumeve, takimeve rajonale dhe seminareve për çështjet e politikës së jashtme si tërësi. Selia e saj do të jetë në Prizren dhe do të ketë një staf shumë profesional. Me fjalë të tjera, do të jetë një urë e fuqishme që do ta lidhë Kosovën me qendrat e mëdha të vendosjes politike.

“Epoka e re”: Kush do ta udhëheqë këtë akademi?

Hoxhaj: Mund të jetë dikush nga ambasadorët tanë që është pjesë e korit diplomatik të Republikës së Kosovës, por mund të jetë edhe një akademik. Detyra jonë është ta gjejmë një person i cili është adekuat dhe ka përgatitjet e nevojshme profesionale.

“Epoka e re”: Sipas jush, kush e meriton të jetë në krye të akademisë?

Hoxhaj: Pres propozime nga bashkëpunëtorët e mi, pastaj do ta marr një vendim të drejtë. Deri më tani nuk kemi pasur propozime, pasi parashihet të formohet bordi i akademisë, pastaj do të ketë një proces të konsultave. E rëndësishme është se Akademia Diplomatike do të jetë funksionale brenda disa javësh.

(“Epokën e re”)

Kosovo hofft nun auf UN-MitgliedschaftDie Verantwortung liegt bei BelgradVisiting Kosovo foreign minister says Ignatieff writings influenced him „Serbien muss sich endlich entscheiden“ Enver Hoxhaj, der Außenminister des Kosovo, über die Verhandlungen zwischen Pristina und Belgrad.