4680 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Kryediplomatja Gërvalla: Kemi përkrahje të gjerë, dhe jemi optimist për anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Prishtinë, 13 maj 2022 - Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Donika Gërvalla, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka folur për rëndësinë dhe procesin e aplikimit që Republika e Kosovës ka bërë të enjten, në Këshillin e Evropës.

Para gazetarëve, ministrja Gërvalla ka thënë se pranimi në  KE, do të jetë hapi më i rëndësishëm për Kosovën, që pas pavarësisë së saj.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të jetë për vendin tonë, ndoshta hapi më i rëndësishëm që nga pavarësia e vitit 2008, në rrugën tonë drejt integrimeve evropiane. Jemi të përgatitur mirë, sepse kushtet dhe normat e Këshillit të Evropës, jemi duke i aplikuar që nga dita e parë”, është shprehur shefja e diplomacisë kosovare.

Kryediplomatja kosovare, ka thënë se është shumë optimiste për pranimin në Këshillin e Evropës, duke njoftuar Republika e Kosovës  ka përkrahje të gjerë për këtë proces. 

“Jemi shumë të lumtur që kërkesën tonë për anëtarësim po e bazojmë në përkrahje të gjerë politike, brenda Këshillit të Evropës. Prandaj jemi njëkohësisht të përgjegjshëm dhe mirënjohës, por edhe optimistë, që homologët e mi në Këshillin Ministror, me datën 20 maj të këtij viti do ta mirëpresin kërkesën tonë për anëtarësim”, ka thënë Gërvalla.

Shefja e diplomacisë, ka thënë se janë të vetëdijshëm për volumin e punës që i pret, por se janë të gatshëm për këtë sfidë.

“Jemi të ndërgjegjshëm se ky është vetëm hapi i parë në një rrugë të gjatë dhe plot sfida deri në anëtarësimin e Kosovës, por jemi të gatshëm të punojmë shumë që me përkrahjen e të gjitha shteteve demokratike në Këshillin e Evropës dhe në bashkërendim të plotë me partnerët dhe aleatët tanë, ta arrijmë anëtarësimin sa më shpejt”, ka thënë Gërvalla.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Gërvalla ka thënë se përfshirja e Kosovës në familjen e shteteve evropiane, në Këshillin e Evropës do të  jetë një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin dhe më në fund paqen në Ballkan.

“Pranimi i realitetit se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran do ti jap fund përpjekjeve për të ndryshuar me konflikte dhe dhunë kufijtë në Evropën Juglindore. Ne besojmë se ky është hapi i duhur në kohën e duhur”, ka thënë Gërvalla para gazetarëve.

Shefja e diplomacisë, ka dorëzuar personalisht letrën e aplikimit për në Këshillin e Evropës në Sekretariatin e KE-së, paraditen e të enjtes.

Foto Galeria