4679 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Gërvalla takon të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin, merr mbështetjen e tij për Këshillin e Evropës

Prishtinë, 13 maj 2022 - Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, ka pritur sot në një takim të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor z. Manuel Sarrazin.

Pas takimit, në një konferencë të përbashkët për media, ministrja Gërvalla e ka falënderuar emisarin Sarrazi për mbështetjen që shteti gjerman i ka dhënë në vazhdimësi Republikës së Kosovës.

“Është kënaqësi e veçantë ta pres sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme emisarin Sarrazi, i cili është një njohës i vjetër i temave të Ballkanit, një njohës dhe përkrahës i vjetër i zhvillimit në Kosovë, i demokratizimit, dhe progreseve të këtij vendi dhe prandaj është kënaqësi e veçantë që qeveria gjermane e ka caktuar si emisar të posaçëm”, është shprehur ministrja Gërvalla.

Ministrja Gërvalla ka thënë se Kosova është me fat që ka një mik si Gjermania dhe që në vazhdimësi ka pasur përkrahjen e qeverive gjermane.

“Ne jemi shumë mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme dhe të jashtëzakonshme që të gjitha qeveritë gjermane i kanë dhënë Kosovës, jemi të lumtur që edhe qeveria e re, kancelari i ri, në takimin me kryeministrin Kurti  shprehu dhe përsëriti edhe njëherë se  pozicioni gjerman do të jetë edhe më aktiv  se sa muajve të kaluar lidhur me sfidat rajonale në Ballkanin Perëndimor”,  është shprehur shefja e diplomacisë kosovare.

Sarrazi, nga ana e tij duke e falënderuar për mikpritjen, i ka konfirmuar ministres Gërvalla, se Gjermania do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Ne e njohim Kosovën si shtet të pavarur. Ne do ta mbështesim anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet evropiane. Ne jemi pro dhe do ta mbështesim me të gjitha kapacitetet tona aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës. Shpresojmë të kontribuojmë në këtë proces”, është shprehur Sarrazi në konferencën e përbashkët për media.

Emisari gjerman ka ofruar gjithashtu mbështetjen e tij edhe për procesin e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.

“Ne kemi vërtet nevojë urgjente për liberalizimin e vizave për Kosovën. Pra është e qartë se nëse liberalizimi i vizave vihet në një listë temash në komisionet vendimtare evropiane, atëherë ne do të votojmë pro dhe ju mund t’i besoni kësaj. Kjo është ajo që ne mund të bëjmë, vota gjermane është pro. Gjithashtu kemi biseduar me partnerët tanë që mendojmë se janë plotësuar të gjitha kriteret. Ne ndjekim qëndrimin e komisionit dhe përpiqemi të jemi bindës në argumentet tona pse është e drejt dhe e nevojshme ta bëjmë këtë”, është shprehur emisari gjerman.

Foto Galeria