4676 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Shkolla Pranverore për Diplomatë të Rinj hap edicionin e 8-të, MPJD sjell në Kosovë 45 diplomatë nga 33 shtete

Pejë, 16 maj 2022-Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Ebert, kanë hapur sot zyrtarisht në Pejë edicionin e 8-të të Shkollës Pranverore për Diplomatë të Rinj me temë “Arkitektura e Sigurisë në Evropë dhe sfidat e saj”.


Diplomatëve, u ka uruar mirëseardhje në Kosovë përmes një video incizimi, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz.

Ajo ka thënë se “kur ishte dizajnuar si aktivitet për të diskutuar rreth temave të sigurisë dhe paqes, kishte zëra se këto tema do të bëheshin të tepërta me kohë. Por, marrë parasysh situatën me invadimin e Ukrainës nga Rusia, dhe luftën atje diskutimi për çështje të sigurisë ende është shumë i rëndësishëm”. Ajo i përgëzoi organizatorët dhe tha se ky aktivitet e vendos Kosovën në hartë të shteteve që diskutojnë për çështje të sigurisë dhe që ofrojnë zgjidhje për këto çështje.

Mirëseardhje në Kosovë, atyre u ka uruar edhe sekretari i përgjithshëm i MPJD-së, z.Behar Isma, duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së sfidave të sigurisë.

“Në harkun kohor të disa javëve të vështira dhe sfidave në sektorin e sigurisë, me fokus kryesor agresionin rus në Ukrainë, ne kemi një shans të mirë që përmes diskutimeve, analizave dhe pikëpamjeve nga këndvështrime të ndryshme të kontribuojmë në zgjidhjen e sfidave ndërkombëtare të sigurisë, dhe jemi vërtet mirënjohës që keni pranuar ftesën tonë dhe sot jeni prezent në këtë organizim tonin”, është shprehur Isma.

Drejtori i Fondacionit Friedrich Ebert z. Rene Schlee ka thënë se “janë shumë të lumtur që mund ta ndihmojnë qeverinë e Kosovës përmes bashkëpunimit me AD, dhe organizimin e kësaj shkolle, të cilën tashmë 10 vite e organizojmë bashkë”.

Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, ambasadori, Beqir Ismaili ka thënë para pjesëmarrësve se “është shumë e rëndësishme që temat e sigurisë të trajtohen në nivelin e duhur dhe se duke gjetur shkaqet e luftës, njohim arsyet e paqes e më pas nga përvojat e kaluara, nxjerrim mësimet e së ardhmes me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ndër rajonal”.


Shkolla Pranverore për Diplomatë të Rinj është tashmë një organizim tradicional i Akademisë Diplomatike të MPJD-së, dhe mbledh përgjatë një jave në Kosovë diplomatë nga shumë shtete të botës me qëllim të krijimit të lidhjeve dhe bashkëpunimeve mes shteteve e sidomos në avancimin tutje të marrëdhënieve edhe ashtu të shkëlqyera të Kosovës me këto shtete.

 

Foto Galeria