4514 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Republika e Kosovës duhet të ketë perspektivë të qartë të integrimit në BE

Romë, 26 tetor 2021 - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, z. Kreshnik Ahmeti, është pritur në takim nga Sekretar i Shtetit për Çështje Evropiane pranë Kryeministrisë së Italisë, z. Vincenzo Amendola.

Palët diskutuan për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë, me theks të veçantë në lëmitë e shkëmbimeve ekonomike, tregtare dhe politike.  

Zëvendësministri Ahmeti e njoftoi z. Amendola për vizitën e tij në Milano dhe takimet e zhvilluara me diasporën e Kosovës, dhe pastaj e bëri një ekspoze të shkurtër për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, por edhe për gjendjen ekonomike e cila sipas tij ka treguar shenja të përmirësimit të dukshëm, pas masave shtrënguese të ndërmarra në lidhje me pandeminë Covid-19.

Nga ana tjetër, z. Amendola përsëriti qëndrimin e Qeverisë italiane se Italia është partnere dhe përkrahëse e fuqishme e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian. Për më tepër, ai sqaroi situatën politike brenda BE-së në lidhje me procesin e zgjerimit. Sipas tij, po bëhen përpjekje të mëdha që të binden shtetet anëtare skeptike që procesi i zgjerimit të fillohet sa më parë, me mekanizma të qartë për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Lidhur me këtë, zëvendësministri Ahmeti kërkoi që Brukseli të bëj hapa të guximshëm drejt procesit të zgjerimit, duke shtuar se Republika e Kosovës duhet të ketë perspektivë të qartë të integrimit në BE.

Foto Galeria