4511 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Zëvendësministri Ahmeti nis vizitën zyrtare në Itali

Milano, 24 tetor 2021- Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, kanë filluar të shtunën vizitën zyrtare në Itali.

Në ditën e parë të vizitës, në ambientet e përbashkëta të Konsullatave të Përgjithshme të Kosovës dhe Shqipërisë në Milano, së bashku me ambasadoren Lendita Haxhitasim dhe konsullin e Përgjithshëm Adrian Andreja, ata takuan studentë nga Kosova të cilët po studiojnë në Universitetin Politeknik të Milanos.

Në takim u diskutuan sfidat e studentëve, mënyrat më të mira të bashkëpunimit të tyre me misionet diplomatike e konsullore të Republikës të Kosovës, si dhe format e kontributit që ata mund të bëjnë për Kosovën.

Në të njëjtën ditë, delegacioni u ftua nga komuniteti shqiptar i rajonit të Lombardisë, për të marrë pjesë në Meshën e udhëhequr në gjuhën shqipe nga Don Lush Gjergji dhe në aktivitetin e organizuar nga komuniteti shqiptar për nder të Nënës Terezë dhe datëlindjes së Gjergj Fishtës.

Me bashkatdhetarët u diskutua mbi mundësitë e organizimit dhe thellimit të bashkëpunimit, për të koordinuar implementimin e projekteve të Qeverisë për diasporën.

Ndërsa sot, delegacioni zyrtar mori pjesë në shugurimin e Kishës "Nënë Tereza" në Milano, e cila u mbajt nga Arqipeshkvi i Dioqezës së Milanos, Monsinjor Mario Enrico Delpini.

Në dy ditët e ardhshme, zëvendësministri Ahmeti, do të vijojë me agjendën e tij në Romë, ku do të takohet me zyrtarë të lartë të institucioneve të shtetit të Italisë.

Foto Galeria