4500 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Zëvendësministri Ahmeti priti në takim ambasadorin jo-rezident të Kanadasë për Kosovën, z. Bowman

Në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zëvendësministri Kreshnik Ahmeti priti në takim ambasadorin jo-rezident të Kanadasë për Republikën e Kosovës, z. Alan Bowman.

Në një diskutim të përzemërt, z. Ahmeti falënderoi z. Bowman për ndihmën e përhershme të Kanadasë për lirinë dhe zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës. Z. Bowman shprehi mirënjohjen e tij të thellë për vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për pranimin dhe strehimin e refugjatëve afgan dhe për konstruktivitetin e Kosovës në raport me Kanadanë.

Përgjatë takimit u shqyrtuan mundësitë e thellimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, me theks në investimet në sektorin e teknologjisë informative dhe burimeve minerare; në fushën e sigurisë, duke përafruar bashkëpunimin mes Ministrive të Mbrojtjes të të dyja vendeve; dhe në fushën e diplomacisë, duke rritur edhe më shumë komunikimin mes Ministrive të Jashtme dhe misioneve tona diplomatike.

Zëvendësministri Ahmeti dhe Ambasadori Bowman u pajtuan që të vazhdojnë komunikimet në shërbim të zgjerimit të mëtutjeshëm të raporteve mes Republikës së Kosovës dhe Kanadasë.

Foto Galeria