4464 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Zv.ministrja Gashi në Konferencën ‘Women in Foreign Policy’ në Shkup, vë në pah fuqizimin e gruas kosovare në politikë


 Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Liza Gashi ka marrë pjesë sot në Konferencën Ndërkombëtare ‘Women in Foreign Policy’, që po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Zv. Ministrja Gashi në fjalën e saj ka theksuar domosdoshmërinë e angazhimit dhe përfaqësimit të gruas në jetën politike në përgjithësi dhe në arenën diplomatike në veçanti. 
Ajo ka folur për Kosovën si një shembull, që në vitet e fundit ka shënuar progres në përfaqësimin politik të gruas edhe në skenën politike vendore e ndërkombëtare.

“Qeveria e Kosovës tashmë ka treguar seriozitetin e saj në raport me këtë çështje, duke i dhënë hapësirën gruas në pozitat më të larta në hierarkinë tonë shtetërore: diplomacia jonë udhëhiqet nga dy gra të zellshme dhe të fuqishme - njëra është Presidentja e Republikës sonë - Znj. Vjosa Osmani Sadriu, dhe tjetra, ministrja ime, znj. Donika Gërvalla-Schwartz, si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Më tej, gjashtë gra profesioniste mbajnë poste kabineti në qeverinë tonë. Kjo përfshin dy poste si zëvendëskryeministre nga tre sa janë gjithsej.” është shprehur Gashi.

Ajo ka theksuar gjithashtu se Kosova dhe qeveria e saj janë të interesuar që të krijojnë mundësi për fuqizimin e gruas pa asnjë dallim, dhe në të gjitha fushat.

“Ne jemi të interesuar të krijojmë një mjedis ku gratë integrohen falë  profesionalizmit të tyre, integritetit dhe punës së palodhur. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për fuqizimin e grave në mënyrë që ato, me forcën e tyre dhe duke dëshmuar për veten e tyre, të jenë të suksesshme në botën e politikës, diplomacisë, biznesit  arsimit dhe në çfarëdo fushë tjetër” ka thënë Gashi.

Ajo ka përmendur gjithashtu ambasadorët më të mira të Kosovës në botë, si Dua Lipa, Rita Ora e Era Istrefi të cilat me punën e tyre e kanë vendosur Kosovën në hartën e botës moderne.

Foto Galeria