4454 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

ENA franceze dhe Akademia Diplomatike organizuan trajnim për diplomaci ekonomike dhe publike


Prishtinë, 25 gusht 2021 – Ambasada e Francës, Shkolla Kombëtare e Administratës (ENA) dhe Akademia Diplomatike e Kosovës organizuan dy ditë trajnim dhe shkëmbim përvojash mes diplomatëve kosovarë dhe ekspertëve të ENA-s.

“Trajnimi i bashkë-organizuar nga ENA franceze dhe Akademia Diplomatike e Kosovës është një mundësi e mirë që diplomatët kosovarë të mësojnë nga përvojat më të mira franceze në fusha me rëndësi si ekonomia dhe marrëdhëniet me publikun. Bashkëpunime të tilla thellojnë tutje marrëdhëniet bilaterale.”, tha Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z.Kreshnik Ahmeti. 

Ky aktivitet dyditor u zhvillua në Prishtinë më 24 dhe 25 gusht në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Akademisë Diplomatike dhe ENA-s, nënshkruar në vitin 2016. Kjo marrëveshje strukturon bashkëpunimin e ndërsjellë, veçanërisht kontributin në fushën e trajnimit të diplomatëve kosovarë.

“I gëzohemi faktit që ENA dhe Franca mund të kontribuojnë në përforcimin e aftësive dhe trajnimin e diplomatëve kosovarë”, u shpreh me këtë rast znj.Marie-Christine Butel, Ambasadore e Francës në Kosovë.

Trajnimi i datës 24 gusht u udhëheq nga znj. Marie-Cécile Tardieu, Zëvendës Drejtoreshë e Business France, organizëm qendror për strategjinë ekonomike Franceze në të gjitha aspektet e saj jashtë vendit. Ajo prezantoi edhe konferencën me titull “Diplomacia sportive: promovimi i atraktivitetit përmes sportit”. 

Ditën e dytë, më 25 gusht, Ambasadori Jean-Loup Kuhn-Delforge trajtoi së bashku me diplomatët kosovarë temën e diplomacisë publike, “country branding “, diplomacisë brenda Bashkimit Evropian dhe atë ndaj shteteve anëtare të tij.

Konferenca e organizuar në gjuhë frënge, në partneritet me Klubin e diplomatëve kosovarë, u pasua nga diskutime joformale në prani të z. Éric Poppe, Përfaqësues i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë për Evropën Qendrore dhe Lindore.

“Vlerësojmë lartë bashkë-organizimin e këtij trajnimi me ENA-n dhe Ambasadën Franceze, edhe në kushtet e pandemisë. Në të ardhmen do të shohim edhe më shumë aktivitete e shkëmbime të përbashkëta me Francën”, tha Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, z. Sabri Kiçmari.

Këto dy ditë qenë një mundësi e mirë për të bashkëbiseduar dhe shkëmbyer pikëpamje, si dhe për të diskutuar rreth politikave atraktive, bërthamë e diplomacisë moderne.

Foto Galeria