4405 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Gërvalla pret në Prishtinë homologun e saj Di Maio, arrihet marrëveshje për eleminimin e taksave të dyfishta me Italinë

Prishtinë, 22 qershor 2021 - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës znj. Donika Gërvalla, priti sot në vizitë zyrtare në Prishtinë, homologun e saj italian, z.Luigi Di Maio, me të cilin patën edhe deklarim para mediave.

Duke e falënderuar për vizitën në Republikën e Kosovës, ministrja Gërvalla shprehu mirënjohje të thellë për Qeverinë dhe qytetarët italian, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë ofruar Kosovës përgjatë fazave të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar vendi si dhe në sektorë të ndryshëm zhvillimor.

Palët gjatë takimit i vlerësuan tëjet të mira marrëdhëniet mes të dyja vendeve duke veçuar raportin ekonomik dhe nevojën për të thelluar relacionet në këtë pikë. Në këtë kontekst Gërvalla e siguroi ministrin Di Maio se Republika e Kosovës tashmë ka një ambient dhe ofertë serioze për të gjitha bizneset e huaja që duan të investojnë këtu.

Ministrja Gërvalla e njoftoi kryediplomatin italian me zhvillimet politike në Kosovë, planet e Qeverisë së re që ka kryefjalë forcimin e sundimit të ligjit dhe po ashtu hapat që po ndërmerren në raport me politikën e jashtme të vendit.

“Ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që Italia i ka ofruar Kosovës edhe sa i përket avancimit të agjendës evropiane. Librealizimi i vizave mbetet një prej çështjeve që duhet përmbyllur sa më shpejtë dhe roli mbështetës i Italisë në këtë pikë është shumë domethënës”, ka theksuar ajo.

Nga ana tjetër ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Italisë, Luigi Di Maio, rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për agjendën evropiane të Kosovës dhe procesin e liberalizimit të vizave.

Takimi zyrtarë me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë u përmbyll me ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes të dyja vendeve për “Eliminimin e tatimit të dyfishtë sa i përket tatimit në të ardhura dhe parandalimin e evazionit fiskal dhe shmangies”, e nënshkruar nga ministri Financave, Punës dhe Transfereve z.Hekuran Murati si dhe nga ana tjetër nga ambasadori i Italisë në Kosovë, z.Nikola Orlando.

Foto Galeria