4361 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Zëvendësministri Ahmeti priti në takim përfaqësues të shoqatës VATRA


Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës z.Kreshnik Ahmeti i shoqëruar nga këshilltari i lartë i ministres Gërvalla, z.Rexhep Gjergji, kanë pritur të hënën, në një takim përfaqësuesit e shoqatës VATRA. 

Zëvendësministri Ahmeti i ka falënderuar ata për mbështetjen historike që VATRA i ka dhënë ndër vite Kosovës, që nga ditët e vështira e edhe sot.
Ahmeti ka thënë se lidhja dhe bashkëpunimi i ngushtë me këtë shoqatë dhe përfaqësuesit e saj, që janë pasardhës institucional të Fan Nolit e Faik Konicës, është nder dhe privilegj i secilës qeveri.
Ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për bashkëpunim me Vatrën, edhe ne aspektin diplomatik, duke theksuar se kjo shoqatë jo rrallë herë ka shërbyer edhe si lobuese dhe promovouese e interesave të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve nëpër botë.

Ndërsa udhëheqësi i shoqatës VATRA, z.Elmi Berisha duke uruar suksese për qeverinë e re, ka thënë se VATRA është e palëkundur në qëndrimet për ta mbështetur Prishtinën zyrtare me të gjitha kapacitetet e saja.

Duke folur në hapa konkret, Berisha i ka propozuar zëvendësministrit Ahmeti vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes për Bashkëpunim mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Shoqatës Vatra, përmes të cilit do koordinoheshin aktivitete diplomatike të rëndësishme për Kosovën, dhe ngritjen e çështjes së saj nëpër botë.

Ahmeti e ka përkrahur këtë propozim duke u zotuar se do ta diskutojnë dhe se shpejt do marrin hapat e nevojshëm.

Gjithashtu në këtë takim është diskutuar edhe për investime të reja në Kosovë, të cilat do të mundësohen përmes një bashkëpunimi mes MPJD-së dhe Rrjetit të Bizneseve të Shqiptarëve që funksionon në kuadër të Vatrës, dhe ka brenda vetës mbi 10 mijë anëtarë.

Zëvendësministri Ahmeti ka shprehur gatishmërinë e plotë, për takime dhe thellime të bashkëpunimit me Rrjetin Biznesor, duke theksuar se ndihma financiare e diasporës ka qenë dhe vazhdon të mbetet e një rëndësie të madhe për shtetin e Kosovës.


 

Foto Galeria