4204 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Deklaratë e Ministres: Serbia po fsheh qëllimisht të vërtetën e gjenocidit të kryer në Kosovë


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, shpreh indinjatën e thellë ndaj autoriteteve në Serbi, të cilat vazhdojnë të fshehin  krimet monstruoze të kryera në Kosovë, duke mos treguar vendndodhjen e mbetjeve mortore të qytetarëve të pafajshëm, të vrarë nga forcat paramilitare serbe, trupat e të cilëve janë fshehur qëllimisht në varrezat masive  nëpër Serbi.

Gjykatat dhe prokuroria e ashtuquajtur e krimeve të luftës në Serbi me dekada kanë qenë në dijeni për mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës në vendin e quajtur Kizhevak, afër Rashkës, por nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të zbardhur këtë krim dhe për të urdhëruar paraburgimin e atyre që janë përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve gjenocidale.

Kjo dëshmon se krimet e kryera nga aparati shtetëror e kriminal i Millosheviqit, bashkëpunëtorët e ngushtë dhe besnikët e të cilit  sot janë në krye të shtetit serb, Vuçiç e Daçiq, qëllimisht po mbajnë të hapur një nga plagët më të rënda të Kosovës së pasluftës, çështjen e të pagjeturve. Kjo shpërfaqë edhe fytyrën e vërtetë të udhëheqësve të Serbisë, të cilët kurrsesi nuk po distancohen nga e kaluara e tyre kriminale. Nuk mund të ketë as dialog e as marrëveshje përfundimtare me një shtet i cili vazhdon të mos kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë dhe që vazhdon të fsheh gjurmët e gjenocidit. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta shoh Rashkën dhe varrezat tjera masive në Serbi dhe të mos heshtë përballë fakteve që dëshmojnë përgjegjësinë e Serbisë para drejtësisë ndërkombëtare për secilin krim, masakër dhe gjenocidin e kryer në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përgëzon, Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe drejtorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, që po punojnë me shumë përkushtim për zbulimin dhe identifikimin e trupave të të pagjeturve të fshehur në këtë varrezë masive në Serbi.

Ia kemi borxh Kosovës, nënës Ferdonije në Gjakovë dhe të gjitha nënave dhe familjarëve të të pagjeturave që të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë dhe të mos lëmë gur pa lëvizur deri në ndriçimin e plotë të fatit të të dashurve të tyre.

Me mendje e zemër jemi pranë familjarëve në këtë periudhë të vështirë, për të cilët këto ditë po rëndohet dhimbja, dhe po thellohet plaga e luftës, 21 vjet pas përfundimit të saj.

Vazhdimi i politikës së pandëshkueshmërisë së Serbisë, vazhdon të jetë njollë në drejtësinë ndërkombëtare.

18 nëntor 2020

 

Foto Galeria