4069 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Ministrja Haradinaj Stublla e përmbyll vizitën e saj zyrtare në Vjenë, e lumtur dhe krenare me bashkatdhetarët që kanë prosperuar në Austri, dhe veprimtarët që mbajnë të bashkuar diasporën tonë atje

Vjenë, 18 shtator 2020 – Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj Stublla, e ka përmbyllur e lumtur vizitën e saj zyrtare në Austri, me shqiptarë të Kosovës që kanë prosperuar dhe mbajnë pozita administrative e politike në këtë shtet, ekspertë, veprimtarë të diasporës sonë atje, si dhe përfaqësues shoqatash shqiptaro-austriake.  

Ministrja Haradinaj Stublla këtë takim e zhvilloi në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë. Ishin të pranishëm: Hazir Mehmeti - Drejtor i “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri”; Valon Halimi - Drejtori i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Shqiptare në Steiermark dhe Graz; Miradije Berishaj - Kryetare e shoqatës” Naim Frashëri” në Austri dhe Kaltrina Durmishi - Kryetare e Këshillit Koordinues të shoqatave Shqiptare në Vjenë.

Po ashtu, në këtë takim të përzemërt, ishin edhe Rolanda Limani - Kandidate për Deputete në Parlamentin e Austrisë; Drita Cacaj - Ish-Kandidate për Deputete në Parlamentin e Austrisë; Nisret Bujari - Anëtari i Këshillit të Qytetit në Baden dhe Bahri Troja - Koordinator i Çështjeve të Integrimit nga Zyra Federale për Integrim (Fondi Austriak i Integrimit).

“Po e përmbylli vizitën time në Vjenë në takim me diasporën tonë të çmuar. Këta dhe shumë të tjerë, janë përfaqësimi jonë më i denjë, dhe roli i tyre në ndërtimin e miqësisë dhe urave të bashkëpunimit me Austrinë, është rol kyç”, tha Kryediplomatja, e lumtur për arritjet e diasporës sonë në Austri.

“Me falënderimet dhe të falat nga Kosova jonë, u njoftova për proceset në të cilat ndodhemi, dhe rrugën që e kemi përpara. Bashkëpunimi jonë veçsa do thellohet, duke ju bashkuar më shumë me vendin tuaj. Unifikimi i diasporës tonë, është mesazh për ne, që të bashkuar mund të jemi faktor kudo në botë. Krenohemi me ju!”, u tha Ministrja Haradinaj Stublla të pranishmëve në këtë takim.

Gjatë ditës së sotme, Kryediplomatja e Kosovës ka qëndruar për vizitë zyrtare në Vjenë, ku është takuar me homologun e saj, Ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme i Austrisë, Alexander Schallenberg, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit austriak.

Foto Galeria