3263 - Politika_single | Ministria e Puneve te Jashtme
  • 04 September 2018
  • SHARE
  • PRINT

Iniciativa ndërfetare në Kosovë bën jehonë në mbarë globin

Prishtinë, qershor 2015 - Konferenca e 4-të Ndërkombëtare Ndërfetare në Kosovë, Prishtinë, vendosi nivele të reja për arritjen globale nëpërmjet mediave sociale, pjesëmarrjes së të rinjve, barazisë gjinore dhe diversitetit.

Me titull "Dialogu ndërfetar në kohën e mediave sociale: Jetësimi i agjentëve të ndryshimit, kundërvënia e ekstremizmit të dhunshëm dhe gjuhës së urrejtjes", ngjarja treditore u fokusua në tema debatuese, përmes një qasjeje multidisiplinare dhe zhvillimit të mjeteve për ta përmirësuar aktivizmin social kundër ekstremizmit fetar.

Delegatët përfshinin udhëheqës globalë fetarë, ministra dhe zyrtarë të lartë qeveritarë, sipërmarrës, përfaqësues ndërkombëtarë dhe anëtarë të shoqërisë civile.

Fjalimi hyrës nga Presidentja e Kosovës, SH.S. Atifete Jahjaga, u përcoll pastaj nga fjalimi kryesor frymëzues dhe i mirëpritur nga Rabini Michael Melchior, Kryerabin i Norvegjisë.

Të pranishmëve iu drejtuan edhe udhëheqësit fetarë të Kosovës. Ata ishin z. Ejup Ramadani nga Bashkësia Islame e Kosovës; Dr. Don Lush Gjergji nga Kisha Katolike e Kosovës; At Sava Janjiq, Kisha Ortodokse; Pastor Driton Krasniqi, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës; Sheh Lulzim Shehu, Bashkësia e Sufi Tarikateve të Kosovës; z. Votim Demiri, Bashkësia Hebraike e Kosovës; Baba Mumin Lama, Komuniteti Bektashian i Kosovës.

Dita e dytë e konferencës u hap me fjalën e z. Valon Murtezaj, zëvendës shef i kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, i cili para të pranishmëve foli për tolerancën në Kosovë.

Drejtuesja për Facebook, znj. Monika Bickert, duke vazhduar bisedat e kalibrit të lartë, të nesërmen, ofroi njohuri të vlefshme mbi politikat dhe praktikat e Facebook-ut për raportimin e përmbajtjes së dhunshme, gjuhës së urrejtjes dhe përmbajtjes grafike.

Duke shprehur kënaqësinë e saj për takimet me grupe të ndryshme njerëzish nga e gjithë Kosova dhe rajoni, ajo theksoi fuqinë e përdorimit të mediave sociale për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, duke thënë: "Ne kemi nevojë për më shumë fjalime dhe diskutime të hapura për ta rritur ndërgjegjësimin dhe për ta promovuar tolerancën".

Bisedat në vazhdim u zhvilluan në një panel akademikësh, diplomatësh, gazetarësh dhe aktivistësh: Dr. Debra Mason (SHBA); Sarah Snyder (SHBA); Andreas Sandre (Itali); Behar Xharra (Bangladesh/Kosovë;) Ben Freeman (Skoci, MB); dhe Brian Pellot (SHBA). Ata i diskutuan mënyrat për t’i shpërndarë kundër-narrativat në vëllime të paprecedentë dhe për të promovuar modelet pozitive.

Z. Duško Marković, zëvendëskryeministër i Malit të Zi, ndoqi panelin dhe ofroi shembuj të ndërlidhur pozitivë të tolerancës ndëretnike nga vendi i tij – me qëllim që të demonstronte sesi marrëdhëniet e mira sjellin dobi jo vetëm për sigurinë, por edhe për shoqërinë.

Më pas u vazhdua me një panel të moderuar nga Valerie Hopkins nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, duke bashkuar akademikë, aktivistë dhe udhëheqësit fetarë në diskutimet rreth luftimit të ekstremizmit të dhunshëm, nëpërmjet grupeve të bazuara në besim në komunitetet digjitale dhe ato lokale. Ian Linden (MB); Prof. Francisco Blanco (Panama); Rabini Joshua Stanton (SHBA); z. Georges Labreche, (SHBA/Kosovë); dhe Profesoreshë Besa Ismaili, (Kosovë) frymëzuan të menduarit rreth lidershipit bazë të komuniteteve dhe fillimin e bisedave reale në familje dhe hapësira besimi.

Më pas, punëtoritë e udhëhequra nga zotëri Geoffrey Nice (MB); Harold Hyman (Francë); Petrit Selimi (Kosovë); Andreas Sandre (Itali); dhe Veton Nurkollari (Kosovë) sollën diskutimin deri në detajet më delikate të drejtësisë dhe diplomacisë digjitale në pajtimin e pasluftës, blogimin politik, optimizimin e mesazheve progresive dhe organizimin e festivaleve të filmit me përgjegjësi shoqërore.

Një panel energjik i moderuar nga gazetarja hulumtuese e Kosovës, Arbana Xharra, mblodhi së bashku komentues televizivë dhe gazetarë nga mediat tradicionale për të diskutuar se si agjencitë e lajmeve perceptojnë, shqyrtojnë dhe raportojnë çështjet fetare. Harold Hyman, Antoine Colonna (Francë) dhe Norbert Mappes-Niediek (Gjermani) shpjeguan realitetet botërore të medias në përgjigje të pyetjeve kritike nga një audiencë shumë e përfshirë.

Konferenca u përmbyll me moderimin nga Zëvendës Ministri i Jashtëm i Kosovës, Selimi, në panelin e quajtur “duke ecur përpara, me shpejtësi”. SH.T. Maqsoud Kruse (EBA); Rev Donald Reeves (MB); dhe Dr. Tina Kempin Reuter (SHBA), ofruan mendime motivuese dhe sugjerime praktike për të ardhmen duke përfshirë kthimin e Kosovës në një qendër globale për konferencat ndërfetare.

Përdorimi i aftësuar i mediave sociale nga pjesëmarrësit i ngriti bisedat në rekorde të reja të shtrirjes globale për një konferencë në Kosovë.

Duke qenë trendi numër 7 në SHBA në Twitter, hashtagu #faithsinkosovo, e promovoi bisedën në 3.5 milionë llogari (timelines) në Twitter.

Më shumë se 200 pjesëmarrës udhëtuan nga Bangladeshi, Nigeria dhe Panamaja për të shkëmbyer njohuri dhe ide.

Konferenca u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe Instituti Ndërkombëtar për Dialog Ndërfetar (IIID) me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara, Ambasadës Mbretërore Norvegjeze, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Këshillit Britanik, Ambasadës Britanike, Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Ambasadës Gjermane.

FOTOT MUND T’I GJENI KËTU http://www.interfaithkosovo.org/prishtina-conference-2015/913/prishtina-2015/?lang=En

Për më shumë informata mbi projektet e Interfaith Kosovo, kontaktoni në e-mail-in: info@interfaithkosovo.org

Foto Galeria