Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Republikës së Kosovës ka kënaqësi t’ju njoftojë se Fondi i Ballkanit Perëndimor- FBB (Western Balkans Fund) ka shpallur thirrjen e IV-të të hapur për propozim projekte, e cila do të jetë e hapur deri me 23 dhjetor 2021.
Aplikimet mund të dorëzohen përmes sistemit të aplikimit që gjendet në faqen zyrtare të këtij fondi: https://wbfportal.org/applicant/
Ndërsa aplikantët potencialë mund të gjejnë më shumë informata në linkun në vijim: http://westernbalkansfund.org/
Me qëllim të informimit sa më të mirë të organizatave të shoqërisë civile dhe palëve të tjera jofitimprurëse për objektivat dhe modalitetet e aplikimit, Fondi i Ballkanit Perëndimor në bashkëpunim me MPJD-në, do të mbajnë edhe Sesionin Informativ në Prishtinë (Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës) me datë 25 nëntor 2021, në ora 11:00.
Për të marrë pjesë në këtë Sesion Informativ, organizatat e shoqërisë civile dhe palët të tjerë jofitimprurëse duhet të regjistrohen përmes linkut së mëposhtme:
https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSfWNTi9u3jXGFKF06wsjZoB91e8AtDZHCfOoUtG0bHFWeCoaw/viewform
Kjo është thirrja e katërt që nga themelimi i Fondit të Ballkanit Perëndimor në vitin 2017, por e para që përfiton nga një mbështetje e konsiderueshme nga Bashkimi Evropian, duke bashkë-financuar grantet rajonale nëpërmjet fondeve të IPA – Instrumenti i Para Aderimit.
Organizatat e shoqërisë civile janë përfituesit kryesorë të veprimit të përbashkët BE/FBB. Fituesit e mundshëm të granateve përfshijnë shoqata, fondacione, organizata jofitimprurëse, rrjete rajonale, entitete publike lokale dhe rajonale ose shoqata biznesi.
Fondi i Ballkanit Perëndimor, një organizatë rajonale e themeluar nga ministritë e Jashtme të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, është një mekanizëm unik rajonal, me qëllim të promovimit të zhvillimit të bashkëpunimit më të ngushtë dhe fuqizimit të lidhjeve mes tyre.