4368 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Ministrja Gërvalla priti në Prishtinë homologun e saj kroat Grlić Radman


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, ka pritur në vizitë zyrtare, në Prishtinë, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, z. Gordan Grlić Radman, me të cilin ka zhvilluar takim dhe konferencë të përbashkët për media.

Ministrja Gërvalla ka falënderuar homologun e saj kroat për ndihmën e vazhdueshme që Kroacia i ka ofruar Kosovës nëpër të gjitha fazat e shtetëndërtimit, duke theksuar raportet e shkëlqyera që kanë dy vendet, miqësinë dhe bashkëpunimin bilateral në shumë fusha.

Tutje e ka informuar ministrin kroat për prioritetet e Kosovës në politikën e jashtme.

“Për Kosovën mbetet thelbësore avancimi në procesin e integrimit euro-atlantik. Në këtë drejtim njohuritë dhe përvoja e Kroacisë është shumë e vlefshme për ne dhe jemi të përkushtuar të thellojmë bashkëpunimin dhe shkëmbimet në këtë drejtim”, ka thënë ministrja Gërvalla në takim.

Çështja e menaxhimit të pandemisë ishte po ashtu temë diskutimi, dhe ministrja Gërvalla shprehu falënderim në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës për donacionin prej 10 mijë vaksinave kundër Covid-19, të cilat Republika e Kroacisë do t’ia jap Kosovës. 

Është biseduar edhe për diasporën e Kosovës në Kroaci, për çka u vlerësua se është mirë e integruar në shtetin kroat. Me këtë rast, ministrja ka potencuar nevojën për të shtuar edhe më tutje bashkëpunimin në rrafshin ekonomik, kulturor e shkencor në mes të dy vendeve. 

Nga ana tjetër, ministri kroat Grlić Radman rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Kroacisë ndaj proceseve dhe agjendës evropiane të Kosovës.

“Kroacia është aktive në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe e përkrah plotësisht integrimin e saj euro-atlantik. Gjithashtu e mbështesim anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka theksuar Grlić Radman.

Për më tepër ai ka shprehur gatishmëri që të ketë bashkëpunim të rregullt midis dy vendeve për tema të ndryshme dhe të ofrohet përkrahja e Kroacisë lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për Kosovën.

Palët shprehën përkushtimin që të shtyjnë përpara edhe marrëveshjet bilaterale që janë në proces e që lidhen me bashkëpunimin doganor, njohjen e patentëshoferëve, transferimin e personave të dënuar, promovimin reciprok dhe mbrojtjen e investimeve, etj.

Foto Galeria