Përfundon Trajnimi i trajnerëve me Institutin Holandez “Clingendael”
Hagë, 5-10 dhjetor 2016 – Organizuar nga Akademia Diplomatike në bashkëpunim me Institutin Holandez për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Clingendael”, ka përfunduar sesioni i gjashtë dhe i fundit i programit “Trajnimi i trajnerëve” për tetë zyrtarë e diplomatë kosovarë.Përveç pjesëmarrësve dhe ligjëruesit Z. Nils de Mooij, në ceremoninë e certifikimit morën pjesë edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Holandë Sh. S. Znj. Vjosa Dobruna, drejtori i institutit holandez “Clingendael” Z. Ron Ton, si dhe zyrtari i lartë për trajnime dhe zhvillim i Akademisë Diplomatike Z. Enis Xhemaili.
Z. Ron Ton tha me këtë rast se Akademia “Clingendael” ka kënaqësinë që ka përkrahur zyrtarët e Republikës së Kosovës edhe para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me Akademinë Diplomatike të Kosovës.
Një fjalë rasti e mbajti edhe ambasadorja Dobruna e cila i përgëzoi të gjithë diplomatët dhe iu kërkoi atyre që ta shpërndajnë këtë dije tek kolegët e tyre në Kosovë. Ndërkaq, në emër të Akademisë Diplomatike foli Z. Enis Xhemaili i cili tha se i inkurajon pjesëmarrësit e këtij trajnimi që të vazhdojnë tutje dhe se Akademia Diplomatike do ti përkrahë ata edhe në të ardhmen.










