3859 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Ministri Konjufca mori pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit

Shkup, 9 mars 2020 – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit, konkretikisht në panelin e parë “Shteti Ligjor, Migrimi, Siguria / Rreziqet Hibride”, i cili është mbajtur në Shkup.

Në Sesionin Plenar, i cili u zhvillua pasdite, fjalën e hapjes e ka mbajtur Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, z. Oliver Spasovski.

Në fjalën e tij, Ministri Konjufca ka përshëndetur organizatorin dhe ka deklaruar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, gjë që është konstatuar edhe nga Komisioni Evropian në vitin 2018. Po ashtu, ai ka thënë se Kosova nuk është kundër dialogut me Serbinë, porse sipas tij, ky dialog duhet të rezultojë me normalizimin dhe njohjen e ndërsjellë në mes të dy vendeve.

Gjatë debatit, Ministri Konjufca ka pasur një shkëmbim të ashpër pikëpamjesh me ministrin serb, Ivica Daçiq.

Ministri serb ka shfaqur pakënaqësinë që në Komunikatën e Përbashkët nuk është vendosur fusnota për Kosovën, është ankuar se Qeveria e re e Kosovës nuk po i respekton marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, me, siç ka thënë ai, zotin Thaçi, dhe ka ftuar Qeverinë e Kosovës të heqë taksën 100%.

I menjëherëshëm ka qenë reagimi i Ministrit Konjufca. Ai ka thënë se fusnota nuk është vendosur në asnjë takim të Procesit të Berlinit dhe ka informuar të pranishmit se Qeveria e Serbisë dhe Ivica Daçiq e kanë keqpërdorur dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke e paraqitur atë në mënyrë të pasaktë, jo si dialog për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, por si dialog për statusin e Kosovës.

“Ju po mundoheni të mohoni egzistencën tonë. Prej nga kjo energji kaq negative z. Daçiq. Kjo nuk është gjuhë integruese evropiane. Ju duhet të heqni dorë nga ky angazhim kundër Kosovës!”, i është drejtuar shefi i diplomacisë kosovare ministrit serb duke kërkuar ndaljen e keqperdorimit të dialogut

Në këtë debat ka marrë pjesë edhe Ministri në detyrë i Republikës së Shqipërisë z. Gent Cakaj, i cili e ka akuzuar Qeverinë e Serbisë për përdorimin e formave të palejueshme në kampanjën e saj kundër Kosovës.

Foto Galeria