3824 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Ministri Konjufca falënderon homologun e tij italian për vizitën e shpejtë dhe mbështetjen e gjithanshme

Prishtinë, 11 shkurt 2020 - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca,  një javë pasi ka pranuar detyrën e shefit të diplomacisë, ka pritur në takim homologun e tij italian, z. Luigi Di Maio, ministër për Punë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar i Republikës së Italisë.

 

Në këtë takim, të zhvilluar të martën dhe të vlerësuar si shumë miqësor prej të dy ministrave, është diskutuar për marrëdhëniet e mira dypalëshe, zhvillimet politike në vend dhe rajon, si dhe për tema të ndryshme, me synim thellimin e raporteve bilaterale midis dy vendeve mike, Kosovës dhe Italisë.

 

Ministri Konjufca i tha homologut italian se është i nderuar me vizitën e tij dhe e falënderoi atë për mbështetjen e pakursyer që Italia i ka ofruar Kosovës në të gjitha fazat e shtetëndërtimit, duke filluar nga kontributi i kontigjentit italian në kuadër të KFOR-it, mbështetja e procesit të pavarësimit të Republikës së Kosovës dhe proceseve të tjera me rëndësi për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Qeveria e re i ka fituar zgjedhjet duke premtuar ndryshimin, dhe përveç reformave të brendshme, do të punojmë të thellojmë raportet bilaterale me vendet mike, njëra prej të cilave është edhe Italia”, tha ministri Konjufca, duke shtuar se Kosova mund të përfitoj edhe nga rritja e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe investimeve në fushën e teknologjisë.

 “Kosova dhe Italia nuk kanë vetëm raporte të mira ndër-institucionale. Miqësia jonë është e vjetër dhe shumë e thellë, është historike, midis dy popujve, prandaj duhet t’i shfrytëzojmë këto raporte në mënyrë që marrëdhëniet tona të ngriten në nivele sa më të larta”, tha Ministri i Jashtëm i Kosovës.

Nga ana e tij, shefi i diplomacisë italiane tha se ka ardhur në Kosovë të sjell mesazhin se shteti i tij mbështetë qeverinë e re në implementimin e reformave të paralajmëruara, mbështetë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe të gjitha proceset tjera integruese të Kosovës dhe rajonit.

“Ne kemi kaluar nëpër faza të ndryshme tranzicioni, kemi eksperiencë, prandaj llogaritni në mbështetjen tonë në të gjitha fushat, dhe sidomos në ofrimin e ndihmës sonë në luftën kundër korrupsionit”, tha ministri Di Maio.

Duke e falënderuar për mikpritjen, shefi i diplomacisë italiane e ftoi ministrin Konjufca të vizitojë Italinë, sa më parë, me synim që të thellohen edhe më raportet e mira bilaterale midis dy vendeve.

Foto Galeria