3760 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Ministri Pacolli: Është mision kombëtar tani që të bëjmë secilën familje me çati mbi kokë

Durrës, 27 nëntor 2019 – Zëvendëskyreministri i Republikës së Kosovës dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z.Behgjet Pacolli, vizitoi të mërkurën zonat e prekura rëndë nga termeti që goditi një ditë më parë Shqipërinë, dhe i cili la mbi 30 veta të vdekur dhe mbi 600 qytetarë të tjerë të plagosur. 


“Mbërrita sot në zonat e prekura të tërmetit në Shqipëri që la shumë të vdekur, shumë të plagosur, dhe shkatërroi shumë shtëpi dhe banesa. Në Thumanë vizitova komunitetet e prekura. Shpreha mbështetjen institucionale dhe private (dhe në koordinim me autoritetet përkatëse shqiptare) do të ndihmojmë qytetarët e Thumanës dhe të Shqipërisë”, tha Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës.

Për kombin shqiptar, kjo është situata më tragjike në 20 vjetët e fundit, tha z.Pacolli. Ai tha se është krenar për solidaritetin që po tregon Kosova për të prekurit nga termeti në Shqipëri dhe se vlerëson shumë ndihmën e ushtarëve e zjarrëfikësve të Kosovës, të cilët po japin gjithçka nga profesionalizmi i tyre.

Gjatë vizitës në zonat e prekura nga tërmeti në Durrës, Ministri Pacolli takoi edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të cilit në emër të tij dhe të popullit të Kosovës i shprehu ngushëllime për të gjitha jetët e humbura.

“E sigurova kryeministrin Rama për mbështetjen institucionale dhe atë të qytetarëve të Kosovës. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë bashkë dhe të sigurohemi që të gjitha familjet e prekura të kenë së shpejti një çati mbi kokë - për t'u rikthyer jetës normale. Ky është një mision kombëtar tani”, tha Ministri Pacolli.

Foto Galeria