3754 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Opera Nacionale në Bordeaux mban koncert - homazh për viktimat e luftës në Kosovë

Bordeaux, 17 nëntor - Në qytetin Bordeaux të Francës, me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, Kori i Operës Nacionale të Bordeaux të enjten në mbrëmje ka mbajtur koncert - homazh për viktimat e luftës në Kosovë.


Iniciator i këtij koncerti ishte drejtori i Korit, maestro Salvatore Caputo, i cili ngase ishte i prekur nga momentet dramatike nëpër të cilat kalonte populli i Kosovës në atë kohë, gjithmonë e kishte ndjerë të domosdoshme nevojën e përkujtimit të viktimave të asaj lufte. Ai e ndërmori këtë iniciativë dhe e realizoi ngase siç thotë “beson se arti është një mjet shumë i bukur për t’i denoncuar vuajtjet e luftës”.

Koncerti ishte një recital me përzgjedhje të veprave “The Armed Man” të ‪Karl Jenkins dhe “Requiem” të ‪John Rutter, si dhe me lexime të disa pjesëve të tri fjalimeve të famshme: atij të Jean Jaurès në Albi më 1903 për rininë; të Victor Hugo më 21 gusht 1849 në hapjen e  kongresit të Paqes; si dhe atij të diktatorit fiktiv të Charlie Chaplin në filmin “Diktarori”. 

Interpretimin e këtyre fjalimeve e bëri artisti i mirënjohur Xavier Viton, i cili po ashtu lexoi edhe disa thënie të njohura të personaliteteve shqiptare nga Kosova si Adem Demaçi, Ibrahim Rugova dhe Nëna Tereze.

Adem Demaçi, fitues i Çmimit Sakharov 1991, i burgosur politik për 28 vite, shkrimtar e militant i të drejtave të njeriut: “Në Librin e shenjtë thuhet: "E para ishte fjala". Në kohën tonë mund të thuhet: "E para është fjala e lirë" si hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt demokracisë. Pa fjalë të lirë s'ka dialog, pa dialog nuk mund të zbulohet e vërteta, kurse pa të vërtetën nuk ka progres.”

Ibrahim Rugova, fitues i Çmimit Sakharov 1998, “Gandi i Ballkanit”, filozof e kritik letrar dhe presidenti i parë i Kosovës: “Nëse nuk e mposhtim urrejtjen, ndarjet dhe përçarjet,... nuk do të jemi popull i lirë.”

‪Nëna Tereze, e lindur në Shkup (në atë kohë Vilajeti i Kosovës), fituese e Çmimit Nobel 1979, prindërit me origjinë nga Kosova, e cila në Letnicë në vitin 1922 e kishte marrë vendimin që t’i përkushtohej shërbimit religjioz: “Pa dashuri dhe flijim, jeta nuk ka kuptim”.  “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”. “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Koncerti në Bordeaux ishte një koncert i bukur për adhuruasit e artit, dhe po ashtu edhe mjet i bukur për përkujtim e solidaritet me viktimat e luftës.

Foto Galeria