3751 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Në MPJ u shpall hapja e Festivalit “Java e Filmit Frankofon”

Prishtinë, 13 nëntor 2019 – Festivali “Java e Filmit Frankofon”, i organizuar nga Ambasada e Republikës së Francës në Prishtinë, në partneritet me institucionet e Republikës së Kosovës, dhe mbështetur nga ambasadat frankofone, Zvicrës, Belgjikës dhe Luksemburgut, është shpall i hapur të mërkurën me një ceremoni të mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.


Në konferencën e organizuar për media, Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ambasadori Albert Prenkaj, tha se është i nderuar të mirëpres përfaqësuesit e Ambasadave frankofone për të hapur Javën e Filmit të Frankofonisë në Kosovë dhe falëndëroi në veçanti Ambasadën franceze për nderin dhe besimin e dhënë institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ambasadori Prenkaj tha se Ambasadat frankofone, Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës bashkëpunojnë ngushtë për të krijuar kushte dhe mundësi për të zbulluar një univers të pafund të pasurive kulturore të botës frëngjisht-folëse.

“Përmes aktiviteteve të këtilla Republika e Kosovës dëshmon përkushtimin e saj të fuqishëm në përforcimin e pranisë së gjuhës dhe kulturës frankofone, por edhe angazhimit për vlerat që bashkojnë kosovarët me familjen e madhe frankofone, siç janë promovimi i paqes, demokracisë, barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut”, tha Penkaj.

Pas ambasadorit Prenkaj, fjalën e mori ambasadorja franceze në Kosovë, znj. Marie-Christine Butel, e cila tha se ka kënaqësinë të shpall të hapur Edicionin e 19-të të Festivalit të Filmit Frankofon. Ajo tha se sivjet kanë vendosur të nderojnë komedinë dhe humorin nga Belgjika, Luksemburgu, Zvicra, Kosova dhe Franca, dhe se të gjithë filmat e përzgjedhur do të shfaqen jo vetëm në kinematë e Prishtinës, por edhe në ato të Pejës, Prizrenit, Mitrovicës, Gjakovës dhe Vushtrrisë.

“A ka më mirë se sa një festival i këtillë të na bashkojë neve frankofonëve dhe dashamirëve të Artit të Shtatë, për të dëftuar se gjuha frënge u përket të gjithëve atyre që e flasin”, tha ambasadorja BUTEL.

Java e Filmit Frankofon u përkrahë edhe nga zevendes/ambasadorja e Zvicrës, Pauline Menthonnex; E Ngarkuar me Punë në Ambasdën e Luksemburgut, Natacha Gomes; Shefi i misionit belg, Jean-Louis Servais dhe Jehona Shyti nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës.

Kosova në vitin 2014 u bë anëtare vezhguese e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe që atëherë filloi një politikë proaktive për të promovuar rrezatimin e gjuhës frënge në vend.

Në vitin 2017, Universiteti i Prishtinës u anëtarësua në rrjetin e Agjencisë Universitare të Frankofonisë dhe të njëjtin vit, Shkolla Ndërkombëtare Franceze e Prishtinës hapi dyert e saj.

Në vitin 2018, Kosova u bë anëtare e asociuar e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe Ambasada Franceze bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës filloi një program të mësimit të gjuhës frënge për zyrtarë dhe diplomatët kosovarë.

Përveç këtyre sukseseve institucionale, sipas ambasadores Butel, Kosova ka një numër të konsiderueshëm ngjarjesh që lidhen me frankofoninë si Java e Frankofonisë, Festa e Muzikës, Forumi i Studimeve në Francë dhe natyrisht festivali tashmë i njohur “Java e Filmit Frankofon”.

Foto Galeria