3674 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 14 June 2019
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli është pritur në takim nga Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit te Republikës së Çekisë

Kosova dhe Çekia me marrëveshje të bashkëpunimit ekonomik. Ministri i Jashtëm Pacolli është pritur në takim nga Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit te Republikës së Çekisë, dhe nga nënpresidenti i Senatit, Jiří Růžička.

 

Pragë, 14 qershor  2019 – Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka takuar sot gjatë ditës Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit te Republikës së Çekisë, Radek Vondráček, në ditën e dytë të vizitës zyrtare.

 

Në takim u bisedua për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Parlamenteve të dy vendeve dhe shkëmbimin e përvojave.

 

Ministri Pacolli vlerësoi se Parlamenti i Çekisë mund të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj të integrimeve evropiane dhe në përafrimin e legjislacionit të Republikës së Kosovës me BE-në. Gjatë takimit u bisedua hapur për bashkëpunimin e dy vendeve në fusha të ndryshme dhe për krijimin e një Grupi të Miqësisë ndërmjet Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe të Çekisë.

 

“Thellimi i bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe të investime me Çekinë ka një rëndësi të veçantë, andaj kërkoj nga Kryetari i Parlamentit më shumë prani Çeke në Kosovë dhe më shumë Evropë në Kosovë”, tha ministri Pacolli duke shtuar se mbështetja e Republikës së Çekisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Këshillin e Evropës dhe mekanizmat e sigurisë, si në Interpol ka një rendësi të veçantë. Duke falënderuar për mikpritje ministri Pacolli ftoj për vizitë në Kosovë kryetarin e Parlamentit çek.

 

Ministri gjatë ditës ka vizituar edhe Senatin e Parlamentit të Republikës së Çekisë, një prej institucioneve më mbështetëse të Republikës së Kosovës.

 

Aty është pritur nga nënpresidenti i Senatit, Jiří Růžička dhe anëtarët e delegacionit të tij ku u bisedua për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. I shoqëruar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ministri Pacolli ka theksuar se Kosova është mirënjohëse për gjithë ndihmën që Republika e Çekisë i ka dhëne Kosovës që prej përfundimit të luftës dhe njëkohësisht për angazhimin e saj në vendosjen e bashkëpunimit ekonomik që do të përafroje dy vendet tona me shumë.

 

“Është e rëndësishme që të thellojmë bashkëpunimin ndërparlamentar dhe të përgatisim rrugën e integrimeve evropiane bazuar në praktikat e mira të Republikës së Çekisë”, tha ministri Pacolli.

 

Me bashkëbiseduesit u folën edhe temat e ndryshme të bashkëpunimit me theks edhe në bashkëpunimin në fushën e arsimit.

Foto Galeria