3662 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 03 May 2019
  • SHARE
  • PRINT

Komunikatë për media

Prishtinë, 2 maj 2019 - Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, para deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, është shprehur i sigurt se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë brenda këtij viti. Kurse, për pretendimet mbi tërheqjet e njohjeve, ai siguroi deputetët se shumë shpejt do të arrijnë njohje të reja për Kosovën.

Pacolli bëri të ditur se këto ditë pritet njohja nga dy shtete, dhe se nga njëri shtet është marrë konfirmimi, të cilët tashmë kanë nisur procedurat për njohjen e Kosovës.

 

Gjatë raportimi, ministri Pacolli njoftoi po ashtu se Kosova do aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndërsa, lidhur me ecurinë e anëtarësimit në INTERPOL, ai tha se do të njoftojë në një mbledhje të mbyllur të komisionit. Raportimi i ministrit Pacolli kishte të bënte me angazhimet diplomatike të Ministrisë për Punë të Jashtme gjatë katër mujorit të këtij viti, përfshirë këtu edhe Samitin e Berlinit, mbajtur ditë më parë.

Ministri në mënyrë kronologjike njoftoi për marrëdhëniet dypalëshe të vendit tonë, procesin e njohjeve, diplomacinë ekonomike, marrëdhëniet rajonale, raportet me BE-në, organizatat ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në luftën globale kundër terrorizmit. Ai u është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve që ngritën anëtarët e komisionit.

Gjatë takimit, anëtarët e komisionit interesim të veçantë shfaqën lidhur me Samitin e Berlinit, përkatësisht qëndrimit të delegacionit tonë, i cili sipas tyre nuk ka qenë unik.  Duke njoftuar për këtë çështje, ministri Pacolli bëri të ditur se delegacioni kosovar në këtë Samit ka paraqitur qëndrim unik dhe të koordinuar mirë. Me këtë rast, ai bëri të ditur se kërkesa për suspendimin e përkohshëm të taksës për mallrat serbe dhe të atyre nga Bosnjë- Hercegovina, është përsëritur disa herë nga Kancelarja gjermane Merkel si dhe Presidenti francez Makron. Vendosja e taksës, tha ai, është arsyetuar nga presidenti i vendit si dhe kryeministri.

 

Në fund të takimit, anëtarët e komisionit kërkuan që të njoftohen me shkrim lidhur me konsujt e nderit të angazhuar nga vendi ynë, si dhe reformat e brendshme në ministri. ​

Foto Galeria