3648 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 21 March 2019
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli në takimin me homologun e tij malazez, Darmanoviq: Marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Malit të Zi janë të shkëlqyeshme, do të avancohet bashkëpunimi ndër-shtetëror

Prishtinë, 21 mars 2019 – Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë arritur të ndërtojnë marrëdhënie të shkëlqyera si dy shtete fqinje, por ne do të vazhdojmë, që të avancojmë edhe më tutje këtë bashkëpunim ndër-shtetëror në të gjitha fushat e interesit të përbashkët në mes dy vendeve.

Kështu ka thënë Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, në konferencën e përbashkët për shtyp të dy ministrave, që u mbajt në Ministrinë e Punëve të Jashtme.  

“Ne, kemi pasur një takim shumë të frytshëm, kemi diskutuar për gjendjen aktuale të marrëdhënieve tona, që së bashku i kemi vlerësuar si të shkëlqyera, por kemi shqyrtuar edhe mundësitë, që na i ofron ky bashkëpunim i ngushtë në mënyrë, që edhe më tutje t’i avancojmë raportet mes dy shteteve tona”, është shprehur ministri Pacolli.  

Bashkëpunimi në fushën e integrimeve ka qenë njëra nga çështjet e diskutuara në kuadër të këtij takimi, për të cilën të dy ministrat kanë nënshkruar edhe një Marrëveshje.

“Kjo marrëveshje ofron bazë për bashkëpunim në fushën e integrimeve, inkurajon edhe bashkëpunimin rajonal, ndihmon përfarimin e vlerave të përbashkëta evropiane, bashkëpunimin ekonomik, në fushën e legjislacionit, etj. Ne, kemi çka të mësojmë, por kemi edhe vet çka të ofrojmë në këtë proces në fund të të cilit synojmë, që të jemi pjesë edhe formale e familjes së madhe evropiane”, ka thënë ministri i jashtëm Pacolli.

Në vazhdim ai, ka falënderuar homologun e tij nga Mali i Zi, Darmanoviq, për mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë vendit tonë për anëtarësim në Organizatat Ndërkombëtare, për kontributin  konkret, që ky shtet po e jep për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë përmes pjesëmarrjes në trupat e KFOR-it, ndërkohë që një vëmendje e posaçme i është dhënë edhe thellimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë.

“Ekziston potencial i jashtëzakonshëm, duhet të shfrytëzohen më mirë lidhjet ekzistuese edhe në mes Qeverive, por edhe në mes afaristëve. Ne, si Qeveri po bëjmë përpjekje, që ta përmirësojmë sa më tepër këtë klimë, por edhe infrastrukturën rrugore, dhe të bëjmë lehtësime për bizneset në të dyja shtetet”, ka thënë numri dy i Qeverisë, Pacolli.

Të drejtat, integrimi dhe krijimi i mundësive më të mira për komunitetet ka qenë temë, që gjithashtu është diskutuar në mes dy ministrave.

“Vazhdimisht jemi zotuar se do të bëjmë gjithçka mundemi, në mënyrë që të ofrojmë mundësi edhe më të mira për këtë komunitet, që është pasuri e Kosovës dhe urë e fuqishme lidhëse mes dy shteteve dhe popujve”,  është shprehur Ministri Pacolli.

 

Foto Galeria