3637 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 06 March 2019
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli: Malta ndër shtetet më mbështetëse në Bashkimin Evropian, do të na mbështet fuqishëm për anëtarësim në çdo organizatë ndërkombëtare

Prishtinë, 6 mars 2019 – Republika e Maltës vazhdon të qëndrojë përkrah Kosovës në rrugëtimin tonë evropian, duke qenë ndër shtetet më mbështetëse në BE, si për liberalizim të vizave ashtu edhe për integrimin e Kosovës në BE. Malta ka qenë dhe vazhdon të jetë e zëshme në mbështetje të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare dhe është zëri ynë edhe aty, ku ne nuk mund të jemi ende.

Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, pas takimit, që ka zhvilluar në Ministrinë e Punëve të Jashtme me homologun e tij nga Malta, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Promovimit të Tregtisë, z. Carmelo Abela.

“Dy vendet tona gëzojnë një partneritet të qëndrueshëm dhe një miqësi të fortë. Jam i lumtur, që sot shkëmbyem Notën zyrtare, për të vazhduar Kornizën e Bashkëpunimit në mes të dy MPJ-ve edhe për dy vite të tjera, për të thelluar më tej marrëdhëniet tona përmes konsultimeve politike, shkëmbimit të ekspertizave në integrimin evropian; përmes iniciativave kulturore, që dy popujt tanë ta njohin më mirë njëri tjetrin; trajnimin e diplomatëve të rinj; aktivitete në promovim të investimeve të tregtisë etj”, ka thënë kryediplomati kosovar, Pacolli.

“Jam shumë i lumtur, gjithashtu, që sot e finalizuam edhe Marrëveshjen dypalëshe për Eliminimin e Taksave të Dyfishta. Kjo Marrëveshje do të ndihmojë drejtpërdrejt në hapjen e rrugëve për shkëmbimet tregtare midis Kosovës dhe Maltës dhe Ministria, që e udhëheq, do të bëjë të pamundurën në promovimin e shkëmbimeve me bizneset kosovare dhe agjencitë përkatëse shtetërore.”, ka shtuar numri dy i Qeverisë, Pacolli.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Promovimit të Tregtisë të Maltës, z. Carmelo Abela, po e viziton Republikën e Kosovës me ftesë të Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Jashtëm, Pacolli, ndërsa gjatë qëndrimit disa ditor në vendin tonë, ai do t’i takojë edhe udhëheqësit e Institucioneve të Republikës së Kosovës.

Malta e kishte njohur Republikën e Kosovës disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së vendit, ndërsa që nga ajo kohë janë lidhur disa marrëveshje bashkëpunimi dhe janë shkëmbyer vizita në nivelet më të larta shtetërore.

 

 

Foto Galeria