3453 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 06 September 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli hap Konferencën e Pestë të Ambasadorëve

Prishtinë, 6 Shtator, 2018 – Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, ka hapur zyrtarisht Konferencën e Pestë të Ambasadorëve, e cila nisi punimet dyditore sot në Prishtinë.

Ngjarjes, që vlerësohet si ndër më të rëndësishmet në Kosovë mbi Politikën e Jashtme të Republikës së Kosovës dhe ku shpaloset vizioni dhe strategjia për të ardhmen pritet t’i adresohen me fjalimet e tyre të ndara udhëheqësit më të lartë të Republikës së Kosovës, duke përfshirë Presidentin, z. Hashim Thaçi, Kryeparlamentarin, Kadri Veseli dhe Kryeministrin, Ramush Haradinaj.

Pas adresimit të fjalimeve kryesore, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, do t’i ndajë mirënjohje Ambasadorëve të pensionuar të Shërbimit Diplomatik të Republikës së Kosovës, ndërsa Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Pacolli, do t’i ndajë mirënjohje familjeve të zyrtarëve të Shërbimit të Jashtëm, të cilët kanë ndërruar jetë.

Konferenca më pas do t’i zhvillojë punimet në katër panele. Në panelin e parë do të diskutohet mbi zhvillimet në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ndikimi i tyre në Politikën e Jashtme të Repbulikës së Kosovës; në të dytin mbi sigurinë dhe mbrojtjen në dhjetëvjetëshin e dytë të shtetësisë së Republikës së Kosovës, respektivisht sfidat e brendshme dhe rajonale të sigurisë, transformimi i FSK-së dhe NATO; në panelin e tretë mbi hapat e ardhshëm të Kosovës në procesin e integrimeve evropiane, përkatësisht përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, zbatimi i MSA-së dhe Politika e Jashtme dhe e Sigurisë e BE-së dhe Kosova.

Paneli i fundit përfshinë temën mbi trendet ekonomike globale: sfidat, orientimet dhe mundësitë për Kosovën.

Konferenca e Pestë e Ambasadorëve bashkon ekspertë të njohur ndërkombëtarë e vendorë mbi Politikën e Jashtme, anëtarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ministra, përfaqësues nga shoqëria civile, Ambasadorë të Republikës së Kosovës të akredituar në shtete të ndryshme si dhe Korin Diplomatik të Ambasadave të akredituara në vendin tonë.

Foto Galeria