Ministri Hoxhaj priti një delegacion të parlamentarëve nga Bundestagu i RF të Gjermanisë
Gjatë takimit është biseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.
Ministri Hoxhaj njoftoi deputetët gjermanë për reformat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës, progresin e vazhdueshëm në të gjitha segmentet e jetës si dhe për aspektet tjera të zhvillimeve në Kosovë.
Hoxhaj theksoi se Kosova po punon fuqishëm në konsolidimin e shtetësisë dhe në forcimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit.
Ministri i Jashtëm i Kosovës ka ritheksuar vullnetin e institucioneve kosovare për fuqizimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me Gjermaninë, si një ndër partnerët strategjik të Republikës së Kosovës.
Ai ka falënderuar parlamentarët gjermanë për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Gjermania për Kosovën në të gjitha fazat, duke i falënderuar ata sidomos për mbështetjen e Berlinit në hapat konkretë integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Hoxhaj po ashtu ka falënderuar Gjermaninë për përkrahjen e vendimit të fundit të BE-së për dhënien e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e vlerësuar këtë hap si një fazë të re të rikonfirmimit të perspektivës evropiane të Kosovës.
Duke folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ministri Hoxhaj ka dënuar dhunën e ndodhur të premten në veri, duke ritheksuar angazhimin e institucioneve të Kosovës që në koordinim me miqtë ndërkombëtarë të punojë për stabilizimin e gjendjes dhe rikthimin e normalitetit të cenuar nga strukturat kriminale serbe, në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.
Udhëheqësi i delegacionit të parlamentarëve gjermanë, Peter Weiss (CDU /CSU) theksoi mbështetjen gjermane për shtetin demokratik të Kosovës dhe për procesin integrues në BE dhe në NATO.
Weiss vlerësoi pozitivisht vendimin e BE-së për lansimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke shprehur bindjen se institucionet e Kosovës do ti përmbushin suksesshëm kriteret dhe standardet e kërkuara nga ky udhërrëfyes.





Stay Connected with MFA