Ambasadori Peci u takua me Kryetaren e Parlamentit të Letonisë
Kryetarja Aboltina shprehu kënaqësinë e saj që priti Ambasadorin e parë të Kosovës, dhe theksoi se Letonia i jep shumë rëndësi lirisë, pavarësisë dhe sigurisë, që janë vlera evropiane, dhe për këtë arsye e përkrah pavarësinë dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Ajo më tutje e siguroi Ambasadorin Peci se Letonia e përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe se Prishtina mund të llogarisë në mbështetjen e Rigës.
Kryetarja Aboltina i cilësoi marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Letonisë dhe Kosovës si shumë të mira dhe theksoi se tani është koha që të ndërtohen lidhje më të forta ndërmjet dy vendeve tona, përfshirë edhe bashkëpunimin e gjithanshëm ndërparlamentar.
Ambasadori Lulzim Peci i përcolli Kryetares Aboltina përshëndetjet e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe dëshirën e tij për përforcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve.
Në vazhdim ai theksoi se agjenda evropiane është prioritare për Kosovën dhe se nuk ka alternativë tjetër.
Ambasadori Peci theksoi se Kosova ka dëshmuar se është shtet stabil dhe demokraci funksionale multietnike dhe se Kuvendi i Kosovës është shembull për regjionin për sa i përket përfaqësimit gjinor dhe komuniteteve pakicë.
Në fund të takimit, Kryetarja Aboltina i uroi sukses Ambasadorit Peci në misionin e tij.
Ambasadori Peci e siguroi Kryetaren Aboltina se do të bëjë maksimumin brenda kompetencave të tij në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Letonisë në të gjitha fushat, me çrast përkushtim të veçantë do ti përkushtoj bashkëpunimit parlamentar ndërmjet dy vendeve tona mike.






Stay Connected with MFA