Hoxhaj: Njohja e Kosovës nga pesëshja e BE-së, esenciale për integrimin e Kosovës dhe Ballkanit në BE

Prishtinë, 20 prill 2012 – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka vlerësuar shumë të rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet e BE-së dhe të rajonit të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, punimet e Konferencës Ndërkombëtare “Kosova Thërret”, e cila është zhvilluar të premten në Prishtinë.
Shkarko me rezolucion më të madhShkarko me rezolucion më të madh

Në një fjalim të mbajtur para përfaqësuesve të këtyre shteteve, (Qipros, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë, Spanjës, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinsë), të pranishëm në këtë konferencë,  ministri Hoxhaj ka theksuar domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e plotë që këto shtete të lëvizin drejt një vendimi të tillë afirmativ për Kosovën por edhe mbarë rajonin.

Ministri Hoxhaj ka përgëzuar organizatorët dhe mbështetësit e kësaj konference, në veçanti për përpilimin dhe botimin e analizave shumë të rëndësishme për relacionin ndërmjet Kosovës dhe këtyre shteteve.

“Mbi të gjitha, ky publikim ndriçon arsyet e vërteta pse këto shtete ende nuk iu kanë bashkuar 23 shteteve të BE-së dhe 89 shteteve të botës për të njohur realitetin e ri gjeopolitik në Ballkan. Këto të dhëna paraqesin një mundësi të mirë për institucionet e Kosovës për të krijuar një pasqyrë më të plotë për hezitimin katërvjeçar. Në të janë përfshirë edhe Serbia dhe Bosnja, që pa dyshim se paraqesin një sfidë për Kosovën në kontekstin rajonal”, ka thënë ministri Hoxhaj, duke shtuar se ky publikim do të shërbej si një udhërrëfyes për aktivitetet e institucioneve në përpjekje për të bindur këto shtete që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Lidhur me hezitimin e pesëshes evropiane për t’ju bashkuar 23 shteteve të BE-së për të njohur Kosovën, Hoxhaj ka thënë se nuk kemi të bëjmë me një bllok kundër pavarësisë së Kosovës, ngase çdo shtet ka arsyet e veta për mosnjohje.

Rreth reflektimit të mosnjohjes së pesëshes në perspektivën evropiane të Kosovës, ministri i Jashtëm Hoxhaj tha se qartësia e perspektivës evropiane të Kosovës varet shumë  nga vendimet që këto pesë shtete do të marrin në muajt ardhshëm.

“Prandaj, njohja e Kosovës nga Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro janë esenciale për integrimin jo vetëm të Kosovës, por edhe shteteve të mbetura të Ballkanit në Bashkimin Evropian”, tha ai.
 
Ndërkaq, lidhur me dimensionin regjional për mosnjohje të Kosovës nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, ministri Hoxhaj ka theksuar se ambiciet dhe aspiratat e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, janë shpeshherë në kundërshtim të plotë me politikën e saj ditore karshi Republikës së Kosovës dhe karshi vendeve të tjera të rajonit. “Serbia nuk mundet që paradite në Bruksel të ketë sjellje evropiane, kurse pasdite në Mitrovicë të ketë sjellje antievropiane”, ka thënë ndër të tjera ministri Hoxhaj. Sipas tij, fati i Serbisë është brenda kufijve të saj dhe është koha e fundit kur ajo duhet ta definojë politikën e saj karshi Bashkimit Evropian.

Të pranishmit në konferencën “Kosova Thërret”, me nga një fjalim iu janë drejtuar edhe ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff, përfaqësuesi Special i BE-së/ Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, dhe drejtori Ekzekutiv i KFOS-it, Luan Shllaku.

Më pas kanë filluar punën panelet punuese të kësaj konference, e cilat pritet të ketë rezultate të rëndësishme në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe këtyre shteteve të cilat në këtë fazë hezitojnë të njohin pavarësinë e Kosovës.

Prapa

Stay Connected with MFA

Hoxhaj: Kosova, shembull i harmonisë ndërfetare

25.05.2013

Pejë, 25 maj 2013 - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në kuadër të zhvillimit të Konferencës Ndërfetare në Pejë, ka zhvilluar takime të ndara me dhjetëra përfaqësues të...më shumë

Komunikatë për Medie

25.05.2013

Prishtinë, 25 maj 2013 - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shprehet e brengosur për zhvillimet e fundit lidhur me aktakuzat për krime lufte ndaj ish-komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, duke...më shumë