Nisi punimet Konferenca Rrjeti Transatlantik TN2020 me temë Fuqizimi në Ballkan
Në hapje të punimeve të konferencës, me prezantime hyrëse, të pranishmëve i janë drejtuar, Rebecca Zylberman nga Këshilli Britanik në Washington DC, drejtoresha e Këshillit Britanik në Kosovë, Arjeta Emra, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi si dhe publicisti dhe historiani i mirënjohur, Tim Judah.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi në hapje të Konferencës përmendi vizitën e komisionerit për zgjerim të Bashkimit Evropian Shtefan Fyle, duke thënë se ky është një hap i Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Komisioneri Fyle nga Bashkimi Evropian është sot në Kosovë për të lansuar studimin e fizibilitetit që është një hap përpara drejt nënshkrimit të marrëveshjes së stabilizim-asociimit dhe ecjes së Kosovës përpara drejt integrimit në BE, tha Selimi.
Duke folur për temën e Konferencës, Selimi përmendi diplomacinë publike, duke thënë se çështja e Kosovës nuk ngrihet vetëm në diplomacinë klasike, përmes notave verbale, por edhe përmes diplomacisë publike.
Ambasadori Britanik në Prishtinë, Ian Cliff, në fjalën e tij theksoi nevojën që të punohet bashkërisht në mënyrë të përgjithshme për fuqizimin e Ballkanit.
Mendoj se është posaçërisht interesante se janë bërë përpjekje të mëdha këtu në Kosovë në mënyrë që të fillojnë të zhvillohen disa lidhje jo vetëm me SHBA-të, por edhe me Evropën dhe vendet tjera, si për shembull me vendet e Karaibeve, ku Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj ka qenë dy herë dhe kemi parë një apo dy vende në lindje të Karaibeve, në zonën e Caricom-it që e kanë njohur Kosovën. Sidoqoftë, është mirë që të punohet në këtë drejtim me Amerikën dhe Evropën, të punohet në mënyrë të përgjithshme, për fuqizimin e Ballkanit, tha Cliff.
Më pas, kanë filluar punimet në katër Grupet Punuese të Konferencës, në të cilat kanë marrë pjesë rreth 40 liderë të rinj nga Amerika Veriore, Meksika dhe shtetet e Evropës.
Në Grupet Punuese (Grupi Qeveritar, Grupi i Biznesit, Grupi i Medieve dhe Grupi i Shoqërisë Civile), kanë filluar të trajtohen çështje që kanë për qëllim zhvillimin e ideve të reja dhe qasjeve kreative për adresimin e sfidave të përbashkëta në Ballkan.
Konferenca e organizuar nga Këshilli Britanik në Kosovë dhe në Washington DC, Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë dhe MPJ e Kosovës, do të zhvillojë punimet edhe nesër e pasnesër.






Stay Connected with MFA