Përfundoi punimet Konferenca Ekonomike për Kosovën në Berlin

Berlin, 8 mars 2012 - Në kuadër të programit për diplomaci ekonomike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Gjermani në bashkëpunim me Iniciativën “Eciks” me seli në Vjenë si dhe me Shoqatën “Südosteuropa Gesellschaft”, të mërkurën në Berlin kanë organizuar Konferencën “Investimet në Kosovë”.
Shkarko me rezolucion më të madhShkarko me rezolucion më të madh

Ky forum ekonomik është vlerësuar si një mundësi shumë e mirë për identifikimin e investitorëve potencialë gjermanofon si dhe ka  promovuar mundësitë e investimeve dhe zgjerimin e mundësive të bashkëpunimit ekonomik në mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Në konferencë, përveç shumë investuesve potencialë gjermanë, kanë marrë pjesë edhe personalitete të shquara nga Gjermania dhe Austria si dhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Kosova si tematikë ekonomike, dhe si mundësi e investimeve të huaja, në këtë rast gjermane, ishte tema kryesore e Konferencës.

Në pjesën e parë të panelit u diskutua për relacionet e ekonomisë dhe politikës, përkatësisht për mundësitë që ofron Kosova si shtet i pavarur ne thithjen e investimeve gjermane dhe për pengesat që ka shteti i ri si rezultat i refuzimit të deritanishëm të pesë shteteve evropiane ndaj njohjes së shtetit të Kosovës.

Ambasadori kosovar në Berlin Vilson Mirdita, në fjalën e tij hyrëse vuri në pah traditën e bashkëpunimit ekonomik të Kosovës me Gjermaninë që nga vitet 70-ta, kur Kosova kishte përfaqësinë e saj ekonomike në Gjermani “Ximkos”, duke shtuar se Kosova është një vend që ofron mundësi të shumta.

Por, sipas Ambasadorit, rritjes ekomomike mund t’i ndihmojë heqja e disa barrierave, siç është edhe heqja e regjimit të vizave me Kosovën pasi që kjo po pengon edhe lëvizjen e lirë të sipërmarrësve të rinj kosovarë në Evropë.

Ralph Scheide, Ambasador austriak në Berlin ka inkurajuar investitorët gjermanë për të investuar në Kosovë. Sipas tij “Bashkimi Evropian duhet të mbështetë perspektivën e Evropës Juglindore drejt anëtarësimit në këtë organizëm”. Ai tha se në Kosovë ekzistojnë arsye të shumta pse duhet investuar, duke veçuar lehtësimet fiskale, hartimin dhe miratimin e ligjeve të domosdoshme për investime, përdorimin e euros, fuqinë punëtore etj.

“Me gjithë problemet e njohura që ka Kosova, si inflacioni, papunësia e lartë, mungesa e kuadrove të kualifikuara, Austria ka vendosur të investojë në këtë vend”, tha Ambasadori Scheide, duke paraqitur një shifër prej 70 sipërmarrjesh austriake të angazhuara në Kosovë.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës Mimoza Kusari-Lila, tha se Kosova gjendet në procesin e ndërtimit të shtetit të pavarur, ku me siguri që ka edhe shumë vështirësi. “Por, qëllimi ynë është të krijojmë kushtet e volitshme të thithjes së investimeve të huaja”, tha Kusari-Lila.

Ministrja e MTI-së foli në veçanti për kapacitetet ekonomike dhe reformat që po bëhen në të gjitha strukturat për të lehtësuar dinamikën e zhvillimit ekonomik dhe për të motivuar firmat e huaja duke shtuar se reformat prekin edhe ndryshime ligjore. “Qëllimi i Qeverisë së Kosovës është që të forcohen raportet ekonomike jo vetëm me vendet e rajonit, por në radhë të parë me Bashkimin Evropian”, tha Zëvendëskryeministrja, duke i bërë apel firmave gjermane të vijnë në Kosovë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, tha para të pranishmëve se në Kosovë ekziston një kornizë ligjore që siguron investitorët e jashtëm. Lidhur me  pranimin e fusnotës në Bruksel nga ana e palës kosovare, Beqaj tha se ky ishte një vendim shumë i rëndë por edhe i rëndësishëm.

“Ishte zgjidhja më e mirë në këtë moment, ajo mundëson pjesëmarrjen dhe prezantimin e shtetit të Kosovës në takimet rajonale, si vend i barabartë me të gjitha vendet tjera”, theksoi Ministri Beqaj, i cili i bëri thirrje firmave gjermane të investojnë në sektorin e energjisë, telekomunikacionit, bujqësisë etj.

Për Kujtim Dobrunën nga organizata “Eciks” me seli në Vjenë, në periudhën e pasluftës Kosova ka shënuar një rritje mesatare vjetore prej më shumë se 6 %. Ndërkohë që borxhet e Kosovës janë aktualisht në vlerën prej më pak se 6 % të prodhimit bruto.

Një prej problemeve më të mëdha, sipas tij, edhe më tej mbetet ekonomia jolegale. “Megjithatë Kosova është një vend atraktiv për investime”, tha Dobruna.

Drejtori i Konferencës në Munih, Wolfgang Ischinger u shpreh se Kosova po dëshmohet si një storie suksesi. Ischinger, i cili ishte një nga panelistët kryesor tha po ashtu se lufta për Kosovën është lufta për identitetin tonë evropian.

“Bashkimi Evropian në rastin e Kosovës tregon aftësinë e krijimit të një identiteti unik. Prandaj, të luftosh sot për njohje të Kosovës nga ana e të gjitha vendeve evropiane do të thotë të luftosh për një politikë unike të sigurisë dhe të jashtme”, tha Ischinger. Ai me shumë përkushtim mbrojti tezën se intervenimi në Kosove ka qenë i drejtë dhe investimet në Kosovë janë investime për ardhmërinë tonë të përbashkët.

Ischinger shprehu besimin se në Kosovë do të përmirësohet edhe më shumë gjendja dhe se do të mundësohet zvogëlimi i prezencës ndërkombëtare atje.

Rreth çështjes se shtimit të presionit mbi pesë vendet e BE-së për ta njohur Kosovën, u angazhua edhe ish-zëvendëskancelari austriak Erhard Busek. Sipas tij, ky është obligim i BE-së. 

“Spanja me siguri që nuk i zgjidhë problemet e veta në qoftë se nuk e njeh Kosovën, sepse problemet janë të ndryshme“, tha Busek, duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion edhe ndaj vendeve të rajonit, si për shembull ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, për normalizimin  e raporteve me Kosovën. Sipas tij, Kosova është në gjendje shumë më shpresëdhënëse se sa Bosnje-Hercegovina e cila së shpejti mund të ndodhë që ajo të bëhet vrima e zezë e rajonit dhe jo vendet tjera.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të politikës, ekonomisë dhe biznesmenë përfshirë edhe ata me origjinë nga Kosova. Ndërsa në darkën e shtruar me 40 përfaqësues të këtij forumi morën pjesë dhe deputetë gjermanë, përfaqësues të Qeverisë gjermane dhe asociacioneve ekonomike gjermane. Ishte bindje edhe e shumë pjesëmarrësve se ky Forum Ekonomik ishte një fillim shume i suksesshëm i motivimit dhe nxitjes se investitorëve gjermanë. Po ashtu u dëshmua se interesimi gjerman në ekonominë e Kosovës është gjithnjë e më i madh sidomos në fushën e energjisë dhe minierave.

Promovimi i interesave ekonomike jashtë vendit është një nga prioritetet më të rëndësishme të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës

Në këtë aspekt, MPJ parasheh që gjatë këtij viti të organizoj konferenca të karakterit ekonomik në SHBA, Zvicër, Slloveni, Kroaci, Hungari, Japoni e disa vende të tjera, me qëllim të tërheqjes së investimeve.

Deri më tani, MPJ ka iniciuar organizimin e konferencave të tilla në Londër, Paris, New York  dhe Romë.

Prapa

Stay Connected with MFA

Komunikatë për Medie

19.06.2013

Prishtinë, 19 qershor 2013 - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka propozuar ambasadorin aktual në Zagreb, Valdet Sadiku, në detyrën e zyrtarit ndërlidhës të Republikës së Kosovës në...më shumë

Komunikatë për Medie

19.06.2013

Prishtinë, 19 qershor 2013 - Dorëheqja është akt personal i secilit individ, edhe i ish- ambasadorit Peci.më shumë