3835 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Ministri Konjufca priti ambasadorin jo-rezident të Republikës së Guineas

Prishtinë, 21 shkurt 2020 – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Repubikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, të premten, priti në takim Ambasadorin e Republikës së Guineas, z. Mamadou Siradiou Diallo, ambasador jo-rezident për Kosovë.


Ministri Konjufca e përgëzoi Ambasadorin Diallou për detyrën e re në mbulimin e raporteve të ndërsjella ndërmjet të dyja vendeve dhe u shpreh i lumtur që Republika e Guineas ka vendosur që për herë të parë të emërojë ambasador për Republikën e Kosovës.

Shef i diplomacisë kosovare duke falënderuar Ambasadorin Diallou dhe vendin e tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe përkrahjen për anëtarësim në forume dhe organizata ndërkombëtare, shprehi nevojën e thellimit të mëtutjeshëm të raporteve të ndersjella ndërmjet dy vendeve.

“Të dyja vendet tona kanë pasur përvoja të ngjashme në periudha të ndryshme kohore dhe popujt tanë kanë simpati të ndërsjellë. Tani është koha që këto marrëdhënie të shtrihen në rrafshin e bashkëpunimit bilateral, në veçanti në identifikimin e fushave për bashkëpunim ekonomik”, tha Ministri.

Ambasadori Diallo i përcolli ministrit Konjufca urimet më të sinqerta të Ministrit të Jashtëm të Republikës së Guinesë, z. Mamadi Toure dhe u shpreh i gatshëm që të shërbejë si urë lidhëse për forcimin e raporteve ndërmjet të dyja vendeve.

Foto Galeria